Ndërlidhjet

Shkodër: Vazhdon evakuimi


Fshati Dajç, Shqipëri

Fshati Dajç, Shqipëri

Ndonëse ka pasur zvogëlim të sipërfaqjes së përmbytur, gjendja në zonat e goditura të Shqipërisë mbetet e rëndë. Bashkë me ekspertët e ushtrisë shqiptare, në Shkodër gjenden forcat e specializuara nga Kosova, të cilat po ndihmojnë në evakuimin e popullsisë. Qeveria thotë se situtata është nën kontroll.


Qeveria thotë se situata është ne kontroll në zonat e prekura nga përmbytjet. Më problematiket vijojnë të mbeten komunat Dajç, Ana e Malit, Velipojë, Bushat. Në këto komuna është përqëndruar dhe vëmendja kryesore e forcave të ushtrisë dhe policisë së shtetit, të asistuara dhe nga njësitë speciale të ushtrisë italiane dhe trupa të Kosovës.

Janë vënë në fuksion të plotë dhe dy helikopterë të sjellë nga Italia si ndihmë për evakuime në zonat e përmbytura. Evakuimi, tha Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, mbetet përparësia kryesore e Komitetit të Emergjencave civile.

Evakuimi mbetet prioriteti i parë i operacionit dhe objektivi më i rëndësishëm i operacionit. Objektivat e operacionit kanë rezultuar të suksesshme, evakuimi po vazhdon. Nuk ka asnjë humbje në jetë njerëzore. Kërkojmë që dhe popullsia të bashkëpunojë me ne për të plotësuar evakuimin”, tha Basha.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ndodhet në terren prej ditës së parë të përmbytjeve në zonën e Shkodrës, tha se situata është nën kontroll.

Nga dita e djeshme në Bunë ka vazhduar të rritet niveli, është 6cm më lartë. Siç e patë helikopterët vazhdojnë të vijnë për të ndihmuar me ushqime, ilaçe dhe çdo gjë që kanë nevojë banorët. Besoj se situata është nën kontroll”, tha Topalli.

Sot presidenti i Republikë, Bamir Topi u takua me ekspertin e njohur të hidrocentraleve dhe digave, Profesor Farudin Hoxhën, njëkohësisht dhe Kryetar i Komitetit të Digave të Mëdha. Hoxha dha garanci mbi sigurinë e digave në kaskadën e Drinit.

Unë dua t’i transmetoj të gjithë popullit që duhet të jenë të sigurtë se me ta nuk do të ndodhë gjë. Kaskada e Drinit është e sigurtë dhe do të qëndrojë siç ka qëndruar deri më sot. Bëj çudi që dikush mundohet të lëshojë ndonjë tymnajë të pavërtetë. Plotësisht të pavërtetë”, tha Hoxha.

Nga ana e tij presidenti i Republikës u bëri thirrje banorëve në zonat e përmbytura të kenë besim në angazhimin maksimal të strukturave shtetërore në përballimin e situatës së krijuar.

Unë ju siguroj se të gjitha strukturat e shtetit janë në një bashkëpunim shumë profesional dhe do të doja që dhe nga ky komunikim me ju t’i falenderoja të gjithë, duke ju ofruar bashkëpunimin dhe detyrimin për bashkëpunim që ka çdo institucion”, tha Topi.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, njoftoi miratimin e një fondi paraprak për ushqim për banorët dhe gjënë e gjallë.

Ne do të përballojmë çdo nevojë që kanë këto zona, brenda anormalitetit të krijuar, si për banorët ashtu dhe për bagëtinë”, tha ministri Bode.

Por situata nuk i ka shpëtuar debatit politik. Deputeti i Partisë Socialiste, Damjan Gjiknuri, tha se përmbytjet janë pasojë e keqmenaxhimit njerëzor. Për këtë PS kërkoi largimin e ministrit Prifti.

Dëshmitë e ekspertëve po nxjerrin në pah se tragjedia erdhi si pasojë e keqmenaxhimit të strukturave shtetërore përgjegjëse për veprat në kaskadën e Drinit. Nëse nuk e ndien veten e tij fajtor Berisha duhet të shkaktojë menjëherë Dritan Priftin, i cili me arrogancë dhe neglizhencë ka shmangur çdo kërkesë të rregullores në fuqi për menaxhimin e prurjeve ujore”, tha Gjiknuri.

Në selinë blu, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, akuzoi kryetarin e PS-së se ka kërcënuar mediat që po pasqyrojnë me transparencë gjitheçka që po ndodh në zonat e përmbytura.

Edvini iu tha mediave se kanë shitur lirinë e tyre vetëm se raportojnë me vërtetësi operacionet e shpëtimit të ndërmarra nga qeveria në zonën e përmbytur. Partia Demokratike kërkon nga Edvin Rama të heqë dorë nga presioni politik mbi mediat e pavaruara.
Anëtarë të policisë së shtetit dhe banorët e zonave të përmbytura prej dy javësh përballen me pasojat e rënda të një fatkeqësie natyrore, ndërkohë që ti bridhje hoteleve luksoze të parisit apo resorteve moderne të detërave të nxehta
”, tha zëdhënsja e PD-së, Mëhilli.



*****
Qeveria e Kosovës ndan 200 mijë euro ndihmë për Shqipërinë


Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 200 mijë eurosh ndihmë për zonat e goditura nga vërshimet në Shqipëri.

Njëherësh, kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar që ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, të urdhërojë edhe dërgimin e një numri shtesë të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët do t’u shkojnë në ndihmë ekipeve të shpëtimit dhe emergjencës në Shqipëri.
Aktualisht, janë 15 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët janë dërguar në zonat e goditura.

Kryeministri Thaçi ka thënë se ndihma e Kosovës për Shqipërinë duhet të jetë e menjëhershme, në mënyrë që të ndihmohet shteti shqiptar për tejkalimin e gjendjes së rëndë.
“Janë ndërmarrë masa për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së dhe grupeve të zjarrfikësve të Kosovës, të cilët tashmë janë atje”.

“Kemi menduar që sot, paraprakisht, si ndihmë fillestare të ndahen 200 mijë euro për përballimin e gjendjes, por do të jemi të gatshëm edhe për ndihma edhe më të mëdha, varësisht situatës”
, ka thënë Thaçi.
XS
SM
MD
LG