Ndërlidhjet

Korrupsioni mbërthen bizneset


Dhënia e mitos dhe pagat e vogla të punëtorëve në institucionet publike, janë arsyet kryesore që po krijojnë rritjen e korrupsionit në rrafshin ekonomik. Kështu thonë njohës për çështje ekonomike, sipas të cilëve, për luftimin e kësaj dukurie duhet të ekzistojë vullneti i ekzekutivit të vendit, por edhe i shoqërisë civile.


Dhënia e mitos zyrtarëve qeveritarë, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, për të fituar ndonjë tender, është kushti kryesor që po krijon rritjen e korrupsionit në rrafshin ekonomik.

Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, kompanitë e mëdha biznesore janë më tepër të përfshira në këtë dukuri.

Njëherësh, këto ndërmarrje po pengojnë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, thotë se kjo dukuri po ndikon në mënyrë negative edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Në kontekst të kësaj, mund të them se edhe ekonomia, sidomos kompanitë e mëdha, që të mund t’i realizojnë qëllimet e tyre, do të thotë për të ardhur te përfitimet e mëdha, pos formave të tjera, përdorin korrupsionin”.

“Pra, lirisht mund të themi se elementi i korrupsionit është prezent edhe në rrafshin e bizneseve”,
thekson Limani.

Shkak tjetër për rritjen e korrupsionit, Limani përmend pagat e vogla dhe mungesën e përgjegjësive të punëtorëve në institucionet publike.

“Vetë niveli i pagave i bën të korruptohen dhe është gjë e kuptueshme se korrupsioni është që të vijë njeriu deri te një burim tjetër i të ardhurave për t’i plotësuar nevojat e veta”.

“Dhe, e dyta, nuk ka përgjegjësi. Aty ku nuk ka përgjegjësi, korrupsioni është në prag. Por, sa di unë, asnjë person nuk ka dhënë përgjegjësi për çështje të korrupsionit, edhe pse institucione të ndryshme japin raporte të sakta rreth korrupsionit”, thekson Limani.

Në anën tjetër, Lekë Musa, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se korrupsioni mbetet kërcënim serioz për funksionimin e bizneseve në Kosovë.

Musa, ndërkaq, shprehet se nuk do të ketë zhvillim ekonomik përderisa korrupsioni është i pranishëm.

“Për arsye se bën dërgimin e resurseve ekonomike në ato pjesë, të cilat nuk do të ndikojnë në zhvillimin, apo në rritjen ekonomike”.

“Do të thotë, në vend që të ardhurat të shkojnë në ato pjesë të ekonomisë, që do të kenë efekte të ngritjes - rritjes, ato shkojnë në stimulime të tjera, të cilat nuk e kanë efektin pozitiv në ekonomi
”, deklaron Musa.

Për ta luftuar këtë dukuri, Lekë Musa thotë se duhet të ekzistojë vullneti i përfaqësuesve politikë, komunitetit të biznesit, por edhe i shoqërisë civile.

“Përfundimisht, duhet të niset prej dëshirës politike, vullnetit politik është ai që duhet të luftojë korrupsionin”.

“Mirëpo, një anën tjetër, gjithashtu edhe vetë shoqëria duhet të bëjë presion te politikë-bërësit, që të luftohet korrupsioni. Nuk do të ketë zhvillim ekonomik derisa korrupsioni nuk luftohet me vullnet
”, vlerëson Musa.

Ndërkohë, në një hulumtim që ka publikuar më herët Oda Ekonomike Amerikane, thuhet se mbi 60 për qind e kompanive biznesore, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, u kanë dhënë mito zyrtarëve qeveritarë për të fituar një tender.

Por, zyrtarë qeveritarë tashmë kanë deklaruar se prioritet i Qeverisë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas tyre, përpjekjet e vazhdueshme të ekzekutivit janë që të krijojnë ambient të përshtatshëm për komunitetin e biznesit.
XS
SM
MD
LG