Ndërlidhjet

WSJ: “Goditja e internetit nga Kina po vazhdon”


“Wall Street Journal”


Interneti e ka bërë më të lehtë punën për disidentët, por Pekini tash propozon bllokimin e qasjes në faqe të internetit, që nuk janë të regjistruara dhe të miratuara nga qeveria.

Në vitin 1968, Nikolla Çaushesku e kishte bërë krim që dënohet me vdekje për secilin që në Rumani ka makinë shkrimi, e cila nuk është e regjistruar.

Kur letrat anonime, në të cilën kritikohej diktatori, ishin zënë në rrugën e tyre për në Radion Evropa e Lirë, Çaushesku kishte urdhëruar mostra të dorëshkrimit nga të gjithë rumunët, në mënyrë që pastaj ekspertët t’i zbulonin autorët.

Çaushesku ia doli të kontrollojë vendin deri në vitin 1989, kur komunizmi në Evropën lindore u shkatërrua dhe ai u ekzekutua.

Qeveritë autoritare tash duhet të bëjnë shumë më tepër punë, sesa t’i regjistrojnë makinat e shkrimit dhe ta monitorojnë postën. Tash, ato po bëjnë përpjekje më të mëdha në këtë drejtim, për shkak se teknologjitë digjitale kanë bërë shumë për fjalën e lirë.

Kina po e bën atë që po mundet për të na përkujtuar se kjo teknologji po ashtu mund të jetë mjet i shtypjes, derisa Pekini ka paraqitur ripërkushtim për censurë në pjesën më të madhe të internetit në këtë vend.

Vitin e kaluar, autoritetet kishin kërkuar që prodhuesit e kompjuterëve të instalonin softuerin e ashtuquajtur “Green Dam” në çdo kompjuter që shitej në Kinë, i cili do të mund të bllokonte faqe problematike dhe religjioze. Por, rregullativa lidhur me këtë çështje është në pritje.

Edhe pa censurën me këtë softuer, Kina ia doli të bllokojë qasjen e plotë në internet. Të hënën e kaluar, shfrytëzuesit e internetit ishin të befasuar pasi nuk mund t’i hapnin faqet, siç janë: Facebook, Twitter dhe YouTube.

Pas disa orësh, këto faqe u kthyen përsëri, por kjo ishte një përkujtim se mbajtja e kontrollit ndaj 300 milionë kinezëve që e përdorin internetin, kërkon vigjilencë.

Kina nuk e fsheh përkushtimin e saj për censurë. Ministri për Sigurinë Publike shkroi për rëndësinë e kontrollit në një gazetë të Partisë Komuniste, Kuishi.

“Interneti është bërë një mjet i rëndësishëm për forcat anti-kineze, për angazhim në infiltrim dhe sabotazh”, pati shkruar ky ministër, duke kërkuar politika që sigurojnë “udhëzime korrekte të opinionit të internetit”.

Disidenti më i njohur i Kinës, Liu Ksiaobo, i cili është dënuar me 11 vjet burg për subverzion nga roli i tij në organizimin e fushatës së nënshkrimeve të manifestit “Karta 08”, e krijuar sipas modelit çekosllovak "Karta 77", ka bërë thirrje për shprehje të lirë, të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit.

Prejse Liu Ksiaobo ishte burgosur, në fund të vitit 2008, këtë kartë e kanë nënshkruar më se 10 mijë njerëz në Kinë. Nënshkrimi është bërë edhe online në internet.

Në një shkrim të tij, para burgosjes, zoti Liu kishte theksuar çështjen se sa e vështirë ishte që para internetit të organizoheshin përpjekjet e këtilla. “Interneti është dhuratë e zotit për Kinën”, kishte thënë ai.

Njëherësh, censura e internetit nga çdo qeveri është e vështirë. Por, siç po tregon Kina, edhe kjo mund të bëhet. (F.B.)
XS
SM
MD
LG