Ndërlidhjet

Maqedonia s’pret zgjidhje të shpejtë të kontestit me Greqinë


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup

Qeveria e Maqedonisë nuk beson se kontesti rreth emrit me Greqinë do të mbyllet gjatë kryesimit të Spanjës me Bashkimin Evropian. Kryeministri Gruevski thotë se kundërshton çdo zgjidhje, e cila do t’i cenonte interesat kombëtare maqedonase. Me këtë qëndrim pajtohet edhe BDI-ja.




Qeveria e Maqedonisë mbetet e përkushtuar në zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë, që të mund të zhbllokohet procesi i integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri Nikolla Gruevski, megjithatë, nuk është optimist se kjo çështje do të mund të shtyhet për zgjidhje nga Spanja, e cila ka marrë presidencën e radhës me Bashkimin Evropian.

Gruevski thotë se Maqedonia dëshiron mbylljen e këtij problemi shumëvjeçar, por me kusht që të mos cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare maqedonase.

“Në përgjithësi, mendoj se kryesimi spanjoll me BE-në nuk mund të bëjë diçka të veçantë në drejtim të çështjes që hapi Greqia dhe ne jemi të ndërgjegjshëm. Kishim dy bllokada të mëdha në Bukuresht dhe në Bruksel”.

“Ne do të tentojmë që në periudhën e ardhshme të arrijmë zgjidhje për dalje nga situata e tanishme, por kuptohet se ajo nuk mund të jetë çfarëdo zgjidhjeje. Duhet të kemi zgjidhje, e cila nuk do t’i cenojë interesat shtetërore dhe kombëtare”,
deklaron kryeministri Gruevski.

Edhe partneri i tij i koalicionit, Bashkimi Demokratik për Integrim, shprehet në favor të zgjidhjes së kontestit me Greqinë.

Talat Xhaferi, deputeti i BDI-së, beson se me ndihmën edhe të faktorit ndërkombëtar, do të arrihet që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përfundimisht të ketë një kompromis të pranueshëm, që nuk do të rrezikonte, siç shprehet ai, “identitetin e bashkëkombësve maqedonas”.

BDI-ja, thotë Xhaferi, e kupton brengosjen e VMRO-DPMNE-së, andaj edhe nuk do të insistojë që të ndryshojë pozicionin e saj.

“Neve, si pjesë e pushtetit, jemi deklaruar që çështja e identitetit të bashkëkombësve është çështje që ata i tangon dhe neve në këtë drejtim... Nuk kemi ndërmend të përzihemi sa i përket asaj çështjeje, për faktin se zgjidhja e emrit të Republikës së Maqedonisë është me rëndësi që të mos jetë në dëmin tonë”, deklaron Xhaferi.

Nga ana tjetër, partitë opozitare nuk i kanë komentuar këto vlerësime të partive në pushtet. Ndërsa, analistët politikë thonë se është i pakuptimtë pozicioni i BDI-së, e cila disa herë i ka ndryshuar qëndrimet lidhur me çështjen e emrit.

Fillimisht, zyrtarë të lartë të kësaj partie, para disa muajve, ishin kërcënuar se, nëse deri në fund të vitit 2009 nuk zgjidhet kontesti, shqiptarët do të kërkojnë alternativa të reja, për të dalë më pas lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti, të deklarojë se “ nuk do të ndodhë Lufta e Tretë Botërore nëse çështja e emrit nuk zgjidhet gjatë kryesimit spanjoll me BE-në”.

Duke i komentuar këto pozicione, analisti Isen Salihu shprehet:

Në çdo anketë që realizohet, disponimi i shqiptarëve është thuajse 100% që çështja e emrit të zgjidhet sa më shpejt, që të hapet rruga për anëtarësim në NATO dhe për avancimin e procesit për anëtarësim në BE”.

“Andaj, nuk ka nevojë që partitë shqiptare, e në veçanti BDI-ja, si parti më e madhe shqiptare në Maqedoni, të bëjë kompromise apo të shprehë mirëkuptim për qëndrimin e maqedonasve për këtë çështje, por, para se gjithash, të ketë parasysh disponimin e shqiptarëve”.

Kryeministri Gruevski ka paralajmëruar se bisedimet mund të rifillojnë nga fundi apo fillimi i muajit të ardhshëm, por edhe kjo deklaratë e tij, sipas analistëve, nuk dëshmon seriozitetin e qeverisë për zgjidhjen e kontestit.
XS
SM
MD
LG