Ndërlidhjet

logo-print

Deficiti tregtar i Kosovës është në nivel shumë të lartë dhe shkaqet e këtij deficiti janë politikat e disfavorshme ekonomike për krijimin e një industrie emergjente dhe krijimin e kushteve për një konkurueshmëri të mirëfilltë në treg. Kështu thonë ekspertët për çështje ekonomike, si dhe përfaqësuesit e bizneseve.


Shpërpjesëtimi shumë i madh në mes të eksportit dhe importit është një nga problemet më të mëdha makroekonomike në Kosovë, i cili ka shkaktuar një deficit tregtar kronik. Kështu vlerëson Muhamet Mustafa, ekspert për çështje të ekonomisë nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest” në Prishtinë.

Ai u referohet të dhënave nga Enti Statistikor i Kosovës, të cilat tregojnë se që nga viti 2001 e deri në muajin e fundit të vitit të kaluar, deficiti tregtar ka arritur vlerën prej 8 miliardë e 352 milionë eurosh.

Vetëm brenda 11 muajve të vitit të kaluar, vlera e deficitit tregtar në Kosovë, sipas Entit të Statistikave të Kosovës, ka qenë 1 miliard e 558 milionë euro. Zoti Mustafa thotë se deficiti tregtar kronik ka ndodhur për disa arsye.

“E para, ne kemi pasur një dezindustrializim të thellë gjatë viteve ‘90 dhe një vonesë të privatizimit që ka vonuar procesin e fillimit të riindustrializimit të Kosovës. Do të thotë, ato grupacione eksportuese, që kanë pasur diku rreth 700 milionë euro në vitet ‘80, tashmë nuk ekzistojnë”.

“Arsyeja e dytë është se industria e re, e cila është zhvilluar në Kosovë, ka shumë probleme që të zhvillohet dhe të ndërtojë konkurueshmërinë, për shkak se politikat ekonomike nuk kanë qenë të favorshme që të krijohet një industri emergjente, e cila ka filluar të krijohet”,
thotë Mustafa.

Sipas tij, aktualisht në Kosovë, në mesin e rreth 60 mijë bizneseve aktive, ekzistojnë rreth 1,300 biznese prodhuese, të cilat kanë mjaft vështirësi të zhvillohen, për shkak të, siç thotë ai, kredive jo të favorshme, shërbimeve të shtrenjta publike, si dhe ballafaqimit me probleme të eksportit dhe marrëdhënieve tregtare.

Ndërkaq, Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se niveli i lartë i deficitit tregtar është tregues se ekonomia vendore nuk po zhvillohet. Për këtë gjë, sipas tij, nuk mund të fajësohen bizneset.

“Politikat tregtare në Kosovë janë të atij lloji saqë nuk dallojnë gjatë importit të produktit të gatshëm dhe produktit që ka destinim prodhimin ose teknologjinë prodhuese”.

“Prandaj, edhe mungesa e infrastrukturës fizike dhe asaj ligjore e qet Kosovën dhe bizneset e saj jashtë konkurrencës në krahasim me regjionin, duke u nisur nga fakti që në Kosovë edhe energjia është e shtrenjtë, si dhe politikat tregtare më të shtrenjta dhe më të disfavorshme. Të gjitha këto, Kosovën e kanë sjellë në këtë gjendje, ku ne kemi një deficit shumë të madh tregtar”,
shprehet Shahini.

Ndryshe, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tashmë kanë deklaruar se gjatë vitit 2010, kjo ministri do ta ketë prioritet zvogëlimin e diferencës në mes të importit dhe eksportit.

Kjo është paraparë edhe në Dokumentin e Politikave Tregtare të kësaj ministrie. Zoti Shahini shpreson se masat e qeverisë mund të jenë të efektshme.

“Mekanizmat shtetërorë mund të krijojnë politika të atilla që ta avancojnë biznesin vendor dhe ekonominë e vendit, por edhe ta rrisin konkurueshmërinë e bizneseve në krahasim me importin”.

“Por, duhet të krijojnë politika mbrojtëse për disa sektorë, të cilët ne i kemi të avancuar në Kosovë dhe mund të eksportojmë”,
thotë Shahini.

Dokumentin e politikave tregtare e vlerëson pozitivisht edhe zoti Mustafa, por ai tërheq vërejtjen se zbatimi i këtij dokumenti duhet të përcillet edhe me masa të tjera shtesë.

“Është një dokument i rëndësishëm dhe i mirëseardhur. Megjithatë, problemet nuk do të lëvizin, nëse nuk bëhet ndryshim rrënjësor që financimi i zhvillimit, kredia dhe mundësitë tjera të financimit, të jenë shumë më të favorshme”,
përfundon Mustafa.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG