Ndërlidhjet


Kalimi ilegal i kufijve, kontrabanda e mallrave të ndryshme, si dhe moskontrollimi i duhur i kufijve nga ana e organeve shtetërore të vendit, janë disa nga fenomenet që i bëjnë kufijtë e Kosovës të mos jenë të sigurt sa duhet. Kështu vlerësojnë zyrtarët policorë dhe ekspertët e sigurisë.

Behar Selimi, ndihmësdrejtor i përgjithshëm pranë Policisë Kufitare, thotë se cenimi më i madh i kufijve vjen si pasojë e llojeve të ndryshme të kontrabandës.

“Kufijtë, në kuptimin bashkëkohor të fjalës, kryesisht cenohen nga format e ndryshme të kontrabandës, duke filluar nga ato me kafe e deri te kontrabanda që bëhet edhe me njerëz”.

“Kërcënimet kryesore të sigurisë në vijën tonë kufitare janë të formave të reja - ato që i përmenda, plus shtojmë edhe migrimin ilegal, i cili çdo ditë e më tepër po fillon të shqetësojë vendin tonë, sepse po shfrytëzohet si vend transit
”, thotë Selimi.

Selimi, i cili njëherësh është edhe drejtues i bordit për menaxhim të integruar të kufirit, thotë se pjesa veriore e Kosovës apo pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë nuk kontrollohen krejtësisht nga autoritetet e vendit. Sipas tij, kjo çështje ende mbetet sfidë për institucionet e Kosovës.

“Pjesa veriore e Kosovës kërcënohet më shumë nga format e ndryshme të kontrabandës dhe për atë arsye ne akoma nuk i kemi të gjithë mekanizmat e shtetit që funksionojnë për kontrollimin dhe mbikëqyrjen e vijës kufitare”.

“Dihet botërisht se ne akoma nuk e ushtrojmë qind për qind pushtetin tonë policor në Leposaviq, në pikën kufitare të Jarinës dhe atë të Bërnjakut, që opinioni i njeh si pikat 1 dhe 31
”, deklaron Selimi.

Kërcënimet e njëpasnjëshme, si krimi i organizuar dhe kontrabanda, po cenojnë në mënyrë permanente shtetin e Kosovës, thotë eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu. Ai konsideron se një gjë e tillë ndodh edhe si pasojë e funksionimit të strukturave paralele.

“Krimi i organizuar, dihet që ka marrë hov në Kosovë, duke marrë parasysh që disa pjesë të vendit nuk kontrollohen nga shteti dhe organet e tij të sigurisë. Duhet të përqendrohemi në atë pikë”.

“Do të kisha cekur edhe pikën e dytë - kërcënimin global apo terrorizmin. Kosova dhe kjo pjesë e Ballkanit, edhe pse nuk janë kërcënuar në mënyrë direkte, ka tregues që mund të ndodhë në të ardhmen”,
thotë Musliu.

I pyetur se si mund të dalë Kosova nga kjo gjendje, eksperti Musliu konsideron se duhet një seriozitet më i madh dhe punë më efektive e institucioneve. Sipas tij, autoritetet vendore duhet t’i përshpejtojnë të gjitha proceset për tejkalimin e këtyre sfidave.

“Kufijtë e Kosovës janë ende të ndjeshëm, nuk janë të siguruar ashtu siç duhet, për shkak të kapaciteteve jo të mjaftueshme të Policisë së Kosovës - dua të them se nuk janë të trajnuar në nivelin sa duhet”.

“Ministria e Punëve të Brendshme duhet të hartojë një plan veprimi dhe një strategji, që të jetë funksionale për ruajtjen e kufijve të Kosovës
”, thotë Musliu.

Ndërkohë, ekspertët e çështjeve të sigurisë pohojnë se tejkalimi i sfidave serioze të sigurisë në Kosovë, duhet të bëhet me një punë më serioze, gjë që, sipas tyre, aktualisht nuk është duke ndodhur.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG