Ndërlidhjet

KQZ - në pritje të vendimit


Anëtarët e KQZ-së kanë vazhduar konsultat për një rrugëdalje nga situata e krijuar për procesin e Gjilanit. Ditë më parë, KQZ nuk arriti 2/3 e votave të nevojshme për të miratuar raportin final të Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve.



Përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë ende nuk kanë arritur të përcaktojnë ecurinë e mëtejme për procesin e Gjilanit.

Pas mungesës së 2/3 të votave të nevojshme për miratimin e raportit përfundimtar të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) mbi hetimet dhe rinumërimin e votave për komunën e Gjilanit, KQZ-ja ka vazhduar konsultimet edhe gjatë së martës, për të gjetur një rrugëdalje nga situata e krijuar.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se vendimi për Gjilanin nuk është marrë ende dhe se takimi i fundit i komisionit që ajo drejton, është përqendruar në përgatitjet për rivotim në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit, më 31 janar.

“Në këtë takim është diskutuar lidhur me përgatitjet e raundit të ardhshëm të zgjedhjeve, të them ashtu kushtimisht. Është diskutuar lidhur me një çështje që ka të bëjë me regjistrimin e partive politike. Ndërsa, për çështjen e Gjilanit jemi në konsulta; konsultat ende nuk kanë përfunduar”, theksoi kryetarja Lushta.

Paralelisht me vendimin për të përsëritur zgjedhjet për kryetar komune në Prizren e Lipjan, KQZ-ja kishte vendosur që për Gjilanin të zhvillohen fillimisht hetime dhe të bëhet rinumërimi i rreth 35 mijë votave të kësaj komune, e pastaj eventualisht të vendoset për rivotim.

Në këtë mënyrë, ishte udhëzimi i 19 dhjetorit i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shpalljen e rivotimit në të tria komunat që ishte shqyrtuar veç e veç.

Njohësit e procesit zgjedhor në Kosovë thonë se situata e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mund të tejkalohet vetëm me një vendim tjetër të këtij komisioni.

Ish-kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, këshilloi KQZ-në t’i analizojë dispozitat ligjore dhe situatën në tërësi për të dalë nga, siç e quajti ai, pat-pozicioni.

Baraliu nuk përjashtoi mundësinë që të rishqyrtohet çështja e rivotimit për Gjilanin.

“Kjo do të duhej të trajtohej pikërisht para se të bëhej mbledhja e ardhshme dhe të vihet në rend dite njëri variant apo tjetri dhe patjetër të dilet me njërin nga këto dy variante, që janë legjitime dhe e drejtë e KQZ-së të marrë vendim sa më parë, për hir të interesave të qytetarëve, sepse ka shumë punë për të bërë për qytetarët e Gjilanit, sepse tash jemi në një pat-pozicion”, tha Baraliu.

Një propozim për këtë çështje e bëri të ditur në mbledhjen e fundit të KQZ-së anëtari i këtij komisioni nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Fadil Maloku, duke sugjeruar që rasti i Gjilanit të kalojë në Gjykatë Supreme.

Unë propozova që zgjidhja të shkojë në Gjykatë Supreme dhe Gjykata Supreme të japë mendimin meritor për këtë pat-pozicion, në të cilin gjendet aktualisht Komisioni Qendror Zgjedhor”, tha Maloku.

Përfaqësues të koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, ndërkohë, kanë thënë se autoritetet e administrimit të procesit zgjedhor në Kosovë, kanë dështuar në gjetjen e zgjidhjes për komunën e Gjilanit.

Përfaqësuesi i këtij koalicioni, Ismet Kryeziu, i bëri thirrje KQZ-së që të respektojë ligjin dhe të marrë një vendim jopolitik për komunën e Gjilanit.

“Anëtarët e KQZ-së dhe KQZ-ja si tërësi, si institucion, nuk duhet të bëjnë matematikë, të cilën e bëjnë partitë politike, të cilën e bëjnë subjektet politike, por duhet të respektojnë ligjin dhe duhet t’i marrin vendimet e veta në zbatim të ligjit dhe në përputhshmëri me ligjin”, tha Kryeziu.

Raporti i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, i cili nuk u miratua të hënën, e nxjerr fitues kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafën, me 51.48 për qind të votave, kundrejt kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, me 48.52 për qind të votave.
XS
SM
MD
LG