Ndërlidhjet

Nataliteti në Kosovë ka shënuar rënie shqetësuese në vitet e fundit. Ekspertët thonë se nëse krahasohet me vendet evropiane, Kosova ka përqindjen më të lartë të rënies së natalitetit. Ligji për lehoninë është një prej faktorëve të cilësuar si shkaktarë të kësaj dukurie.


Nataliteti në Kosovë ka shënuar rënie shqetësuese në vitet e fundit. Kështu thotë Shefqet Lulaj, drejtor i klinikës gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Numri i lindjeve prej vitit 2000 deri më 2008 ka shënuar rënie. Në vitin 2000 kanë qenë të raportuara 39 mijë lindje, ndërsa në vitin 2008 - 28 mijë lindje, që do të thotë se janë raportuar 27.8 për qind më pak krahasuar me vitin 2000. Ne mendojmë se kjo përqindje është e lartë”,
thotë Lulaj.

Nëse krahasohet me vendet evropiane, Lulaj thotë se Kosova ka përqindjen më të lartë të rënies së natalitetit. Sipas tij, përderisa në vendet tjera ekzistojnë faktorët stimulues, në Kosovë është një presion ndoshta jo i vetëdijshëm, që ai e quan diskriminues.

“Kjo shifër është shqetësuese dhe duhet t’i shqetësojë edhe institucionet dhe faktorët relevantë, të cilët kujdesen për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Kosovë”, shprehet Lulaj.

Në rënien e natalitetit në Kosovë, sipas ekspertëve, ndikojnë shumë faktorë. Një nga ta thuhet se është edhe Ligji për lehoninë, i cili lehonave u lejon vetëm 12 javë pushim.

Fadil Rracaj, drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohon se kjo gjendje do të vazhdojë edhe më tej, për shkak të, siç thotë ai, pamundësisë për t’i paguar lehonat më gjatë në pushim.

“Kur kihet parasysh projektligji i punës, është e vërtetë se përcakton një pushim të lehonisë prej 12 javëve, me mundësi zgjatjeje edhe për 12 javë të tjera pa pagesë”.

“Janë të përcaktuara të drejtat minimale prej 12 javëve, për shkak të rrethanave në vendin tonë, duke marrë parasysh zhvillimin ekonomik, ku institucionet nuk kanë mundësi financiare të kompensojnë më gjatë, e as sektori privat”,
shpjegon Rracaj.

Edhe Agron Gashi, nga UNICEF-i, konfirmon trendin e rënies së natalitetit, duke cekur faktorët që ndikojnë në këtë çështje.

“Zyra e UNICEF-it ka përkrahur mbledhjen e të dhënave që nga viti 2000, në bashkëpunim me OBSH-në dhe UNFP-në. Ky bashkëpunim është fuqizuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë”.

“Në bazë të të dhënave që kemi, ka rënie të numrit të lindjeve. Nuk është bërë ndonjë analizë se pse është duke ndodhur, mirëpo gjendja ekonomike ndikon, pastaj planifikimi familjar. Edhe pushimi i lehonisë është shkaktar që ndikon në rënien e natalitetit”,
thekson Gashi.

Ndërkaq, sipas Skënder Sylajt, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, optimale do të ishte që ligji t’u mundësonte lehonave së paku 6 muaj pushim, sepse, sipas tij, rekomandimet janë që fëmija të ushqehet me qumësht gjiri 6 muaj.

“Ende nuk ka ligj për sigurime shëndetësore, as ligj të punës. Andaj, në të ardhmen, OBSH-ja rekomandon fuqimisht që të ketë një bashkëpunim më të mirë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Punës dhe Mirëqenies Sociale, në mënyrë që kjo çështje të analizohet dhe të hartohen dhe përpilohen ligjet, bazuar në kushtet që ekzistojnë, por gjithmonë duke pasur në fokus gruan dhe shëndetin e saj”,
thotë Sylaj.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG