Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës dhe EULEX-i kanë diskutuar sot në kuadër të Bordit për Sundim të Ligjit gjendjen në veri të Kosovës. Ndonëse nuk u kumtua të jetë marrë ndonjë vendim, si shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, ashtu edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, u pajtuan që të ketë një bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet vendorëve e ndërkombëtarëve, me qëllim të vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.



Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe vendimet e Beogradit për fuqizimin e strukturave paralele atje, janë trajtuar gjatë një takimi të përbashkët të përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe misionit të EULEX-it.

Bordi i Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit, ku bëjnë pjesë organe vendore e ndërkombëtare, është zotuar për ndërmarrjen e hapave të përbashkët dhe të koordinuar në veri dhe në pjesë të tjera të Kosovës.

Shefi i EULEX-it, Iv De Kermabo, tha se këto janë përpjekje të përbashkëta, porse nuk mund të priten përmirësime të shpejta të gjendjes në fushën e sundimit të ligjit.

Ky është një fillim i mirë, por, siç kam thënë edhe më herët, nuk ka përmirësime të shpejta kur bëhet fjalë për arritjen e qëllimeve tona ambicioze të përbashkëta”, tha Kermabo.

Ai u angazhua që institucionet e sundimit të ligjit të funksionojnë si të lira dhe të pavarura nga ndërhyrjet politike.

Ka shumë punë para nesh për këtë vit dhe ne në EULEX presim të vazhdojmë asistimin e institucioneve kosovare në sundimin e ligjit, për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha Kermabo.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili kryeson Bordin e Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit, tha se vendorët kanë rolin parësor në procesin e vendosjes së rendit dhe ligjit. Kurse ndërkombëtarët, sipas tij, janë një ndihmesë e rëndësishme në këtë qëllim.

Qeveria e Republikës së Kosovës, këtë vit, i ka dhënë vetes shumë prioritete, por janë tri kryesoret: prioriteti i parë është sundimi i rendit dhe ligjit, prioriteti i dytë është zhvillimi ekonomik dhe prioritet i tretë janë zotimet tona për perspektivën evropiane”.

Forca udhëheqëse me siguri se do të jetë Qeveria e Kosovës, por gjithsesi ndihmës kryesor në këtë proces do të jetë misioni i EULEX-it, prej të cilit presim ndihmën dhe bashkëpunimin konkret për arritjen e synimeve të përbashkëta. Unë shpesh them se nuk e konkurrojmë njëri-tjetrin, por e plotësojmë me synime të përbashkëta”, u shpreh Kuçi.

Vendimi i fundit i Beogradit për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës, jo vetëm që ka nxitur reagime, por edhe ka sfiduar sërish sistemin e drejtësisë dhe atë të sigurisë në Kosovë.

Autoritetet vendore kanë pohuar se këto struktura janë ilegale dhe nuk do të mund të funksionojnë në territorin e Kosovës, përderisa përfaqësues ndërkombëtarë sërish janë në favor të bisedimeve me Beogradin për ndërprerjen e përkrahjes së këtyre strukturave.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG