Ndërlidhjet

Bardosh: “Freedom House” pranon Kosovën si shtet


Gordon Bardosh
Gordon Bardosh

"Vendimi u mor duke marrë parasysh faktet në terren: Kosova ka shpallur pavarësinë dhe mbi 60 shtete e kanë njohur", thotë Gordon Bardosh, analist për Ballkanin në Organizatën Freedom House.








RADIO EVROPA E LIRË

Në raportin e fundit të “Freedom House”, Kosova është zhvendosur nga territoret e diskutueshme te kategoria e shteteve. Si erdhët deri te ky vendim?

GORDON BARDOSH
Vendimi u mor duke marrë parasysh faktet në terren: Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008 dhe mbi 60 vende e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Në këto kushte, “Freedom House”, në raportin e fundit, vendosi që ta pranonte Kosovën si shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Vitin e kaluar, Kosova klasifikohej si territor jo i lirë, derisa këtë vit si shtet pjesërisht i lirë. Cilat janë arsyet që, sipas jush, çuan në këtë lëvizje të Kosovës? Ku është shënuar përparimi më i madh?

GORDON BARDOSH
Shumica e arsyeve që çuan në këtë vendim, ka të bëjë me qartësimin e sistemit politik. Ky i fundit lidhet me shpalljen e pavarësisë dhe me faktin se Kosova është pranuar nga një e treta e bashkësisë ndërkombëtare.

Ekziston bindja se institucionet politike dhe ligjore të Kosovës kanë marrë më shumë përgjegjësi përsipër për punët e vendit.

Kjo ka bërë që Kosova të renditet më lart sesa një vend që është protektorat apo një lloj protektorati i bashkësisë ndërkombëtare.

Një tjetër arsye lidhet me miratimin e Kushtetutës. Dua të theksoj edhe faktin se kosovarët tani janë më përgjegjës për fatet e tyre.

Bazuar në të gjitha këto arsye, u vendos që Kosova të ngrihet më lart në renditje, nga vend jo i lirë në shtet pjesërisht të lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga ajo që sqaruat, a mund të thuhet se përparimi i Kosovës në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira lidhet me faktin se institucionet kosovare kanë më shumë përgjegjësi, por jo dhe me mënyrën se si po ushtrohet pushteti? A është ky përfundim i saktë?

GORDON BARDOSH
Është i saktë deri në një shkallë. Kemi daljen e shumë ligjeve të reja, si dhe miratimin e Kushtetutës. Ka ende probleme të dukshme sa i përket zbatimit të ligjeve.

Së pari, ka ende shumë ligje që duhet të miratohen. Kemi shumë ligje në letër, por që nuk zbatohen në praktikë. Ky është një problem që do ta ndjekim në vitet në vazhdim.

Do të shohim se si ka ecur miratimi i ligjeve në Kuvend dhe si do të zbatohen në terren rregulloret e ndryshme në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Raporti juaj vëren një trend pozitiv sa u përket lirive në Ballkan. A besoni se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka pasur ndikim në këtë trend pozitiv të zhvillimeve në rajon?

GORDON BARDOSH
Në këtë fazë është e vështirë të thuhet. Kemi parë zhvillime pozitive në disa vende dhe nuk është e qartë se në çfarë shkalle ka ndikuar në këto trende shpallja e pavarësisë së Kosovës, në ç’shkallë ka ndikuar integrimi në Bashkimin Evropian apo premtimi për integrimin evropian.

Në këtë kuptim, është vërtet shumë e vështirë t’i ndajmë të gjithë faktorët që kanë ndikuar në këtë proces.

Ajo që mund të themi me bindje, është fakti se shumica e vëzhguesve janë të befasuar për mirë me shkallën e ulët të dhunës që pamë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Shumë vëzhgues mendonin se procesi do të ishte shumë kaotik, me shumë më tepër dhunë, e për pasojë me shumë më tepër probleme për të gjithë rajonin.

Në këtë moment duhet të jemi të kënaqur se çfarëdo problemesh që mund të jenë shkaktuar në rajon nga pavarësia e Kosovës, ato kanë qenë minimale.

Merita për këtë u takon të dyja palëve, si udhëheqësve politikë në Prishtinë, edhe atyre në Beograd, që janë përpjekur sa mundën që të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm në qasjen ndaj kësaj situate.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa të forta apo sa të brishta janë përparimet e shënuara në fushën e të drejtave civile dhe politike në Kosovë?

GORDON BARDOSH

Ende kemi të bëjmë me një situatë të brishtë. Ashtu siç folëm dhe më herët për miratimin e ligjeve, neve na duhet ende të presim për të parë se në çfarë shkalle do të zbatohet në terren legjislacioni i miratuar.

Një nga gjërat për të të ardhur keq, ka të bëjë me faktin se ka pak prova që tregojnë përmirësimin e situatës së grupeve joshqiptare në Kosovë.

Shpallja e pavarësisë duket se ka pasur pak efekt në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Derisa Qeveria e Kosovës të mos ketë miratuar plotësisht ligjet e mandatuara nga Bashkimi Evropian dhe grupi ndërkombëtar mbikëqyrës për Kosovën, si dhe të mos fillojë zbatimi i plotë i tyre në terren, nuk do të shohim shumë përparim në çështjet kyçe.
XS
SM
MD
LG