Ndërlidhjet

Zhargitja e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me procesin e Gjilanit është e panevojshme. Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës.


Mosmarrja e një vendimi deri më tash nga Komisioni Qendror Zgjedhor për ecurinë e mëtejme të procesit për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Gjilanit, ka ngjallur reagimin e dy partive politike, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për, siç thuhet, zhargitjen e panevojshme të një vendimi.

Raporti përfundimtar i Qendrës së Numrimit dhe Rezultateve (QNR) thotë se kandidati i PDK-së, Qemajl Mustafa, ka fituar me 51.48 për qind të votave, përballë kandidatit të LDK-së, Fatmir Rexhepi, i cili ka fituar 48.52 përqind të votave.

Duke u bazuar në rezultatet që jep ky raport, Blerand Stavileci, zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se nuk ka pasur nevojë të shtyhet vendimi i KQZ-së lidhur me Gjilanin. Ai tha se shpreson që vendimi të merret në ditët në vijim.

“Ne nuk i dimë arsyet, por neve, si subjekt politik, na intereson që fitorja jonë, tani më e disafishtë dhe e përsëritur, është e pastër. Ka një diferencë të theksuar të votave".

"Ne nuk e dimë se ku qëndrojnë arsyet, por ne, si gjithnjë, besojmë në institucionet tona të pavarura dhe gjithashtu besojmë se është çështje kohe kur ato do ta japin verdiktin final. Ne konsiderojmë se është çështje e ditëve, që një gjë e tillë të vuloset përfundimisht”,
u shpreh Stavileci.

Në anën tjetër, Ismet Beqiri, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se KQZ-ja e ka komplikuar situatën, duke mos sjellë një vendim, gjë që, sipas tij, ka mundur ta bënte shumë më herët, duke respektuar vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar të Gjilanit.

Ai tha se zhargitja nga ana e KQZ-së për të marrë një vendim, po krijon konfuzitet dhe po e komplikon situatën.

“Nuk është në mandatin e KQZ-së, në një mënyrë, siç është thënë, të bëjë një hetim. Por, ka qenë në mandatin e saj, thjesht, ta respektojë vendimin e KZAP-it dhe të shkohet në rivotim. Sinqerisht t’ju them, kemi ardhur në një situatë kur zhargitja po i përngjan një lloj ‘ping-pongu’ të panevojshëm. Thënë thjesht, është një komplikim".

"Por, ja që kanë hyrë në një proces, të cilit as unë dhe shumë kush nuk e di se si mund t’i dalë fundi, sepse janë dy mundësi: të pranohet ajo që është thënë nga KZAP-i apo të numërohet tash kjo e rinumërimit, ndërkohë që të dyja janë ndesh me njëra-tjetrën”,
tha Beqiri.

Ndryshe, përfaqësuesit e të dy partive kanë theksuar se reagimet e subjekteve të tyre politike ndaj vendimit eventual të KQZ-së, i cili pritet këto ditë, do të jenë konform realitetit që do të krijohet. Megjithëkëtë, lidhur me vendimin eventual, ata kanë pritje të ndryshme. Zëdhënësi i PDK-së, Stavileci, tha:

“Më së miri është që të presim dhe ne si subjekt politik, në secilin veprim dhe secilin vendim, do t’i përgjigjemi realitetit të ri në mënyrë të arsyeshme dhe të përgjegjshme, ashtu siç kemi bërë deri më tani".

"Mirëpo, ne nuk koniderojmë se duhet të ketë vështirësi dhe pengesa të tilla. Ka një realitet të mbështetur në fakte dhe argumente dhe kështu ka dashur, fundja, vullneti i qytetarëve, që ka qenë dhe ka rezultuar me fitoren e kandidatit tonë”.


Ndërkaq, duke u nisur nga fakti se raporti përfundimtar i Qendrës së Numrimit dhe Rezultateve (QNR) nuk ka marrë 2/3 e votave në KQZ, zoti Beqiri, u shpreh:

“Unë nuk e di se si mund të merret një vendim tjetër, që të ndryshohet, gjëgjësisht të tentohet të kalohet ose miratohet raporti i Qendrës së Numrimit, kur nuk ka kaluar. Unë nuk e di se me cilën të drejtë mund të shkohet për të njëjtën çështje dy herë në votim".

"Ju e keni dëgjuar edhe shefin e shtabit të LDK-së, i cili e ka paralajmëruar një lloj padie në Gjykatën Kushtetuese rreth mosrespektimit të ligjit ose ligjshmërisë nga ana e KQZ-së karshi vendimit të KZAP-it. Kjo mendoj se është mënyra e drejtë dhe korrekte, që në proces dhe me procedurë ligjore të insistohet në jetësimin e vendimit të KZAP-it”,
përfundoi Beqiri.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG