Ndërlidhjet

BE: Bogdanoviq nuk i respektoi procedurat



Zyra e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq i është pamundësuar qëndrimi në Kosovë për shkak se nuk i ka respektuar procedurat për vizitat zyrtare.

“Ekzistojnë norma dhe procedura ndërmjet Beogradit, Bashkimit Evropian dhe Prishtinës për vizitat zyrtare, dhe në rastin konkret ato nuk janë respektuar”, ka thënë zëdhënësja, Julia Rojter.

Ajo ka shtuar se në rrethana të këtilla ka pasur “shqetësime për rendin publik”.

"Kuptohet, ekziston liria e lëvizjes në tërë Kosovën për qytetarët dhe vizitorët privatë, si dhe për vizitorët zyrtarë, të cilët e respektojnë procedurën",
ka theksuar Rojter.

* * * * * *

Sot Policia e Kosovës e ndaloi Bogdanoviqin në një fshat të komunës së Shtërpcës dhe e përcolli deri në kufirin me Serbinë.

Policia e Kosovës sot e ktheu mbrapa në kufi me Serbinë ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, meqë ky i fundit “nuk kishte kërkuar lejen e institucioneve të Kosovës”, i tha Radios Evropa e Lirë zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Ndalimi i tij është bërë në komunën e Shtërpcës, derisa po zhvillonte takime me banorët lokalë. Ai fillimisht ka zhvilluar një takim me udhëheqësin e strukturave paralele të Serbisë në këtë komunë, Zvonko Mihajloviq. Ky i fundit nga Beogradi njihet si kryetar i kuvendit komunal të Shtërpcës.

Vizita e sotme e Bogdanoviqit pason konstituimin e djeshëm të kuvendit komunal në këtë komunë, përbërja e të cilit ka dalë nga zgjedhjet vendore të nëntorit në Kosovë.

Bogdanoviq ka kërkuar nga autoritetet e rendit vendimin e shkruar nga Qeveria e Kosovës për këtë veprim, për çka thuhet se policia i është përgjigjur duke thënë se ekziston vetëm urdhër verbal se ai duhet ta braktisë Kosovën, kanë njoftuar mediat serbe.

Ministri në Qeverinë e Serbisë ka thënë se bëhet fjalë për një hap të paparë të, siç ka thënë, “autoriteteve të përkohshme në Kosovë”, meqë ai jeton në Kosovë dhe ka të drejtë, pavarësisht nga funksioni ministror që mban, të qarkullojë brenda territorit.

Ky është një ilustrim se në Kosovë nuk ekziston liria e qarkullimit dhe se serbëve të këtushëm, banorëve të Kosovës, rrjedhimisht edhe mua, na cungohet e drejta themelore për të qarkulluar lirshëm”, ka thënë Bogdanoviq.

Ai ka insistuar që Policia e Kosovës ta kthejë në veri të vendit, por autoritetet e rendit e kanë dërguar atë në vendkalimin kufitar Merdare, në verilindje të Kosovës. (A.V.)
XS
SM
MD
LG