Ndërlidhjet

logo-print

Vlerësimet pozitive të Organizatës Freedom Houese ndikojnë në përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë. Pozita dhe opozita ndajnë opinione të kundërta rreth asaj se kush është meritor për këto përparime.


Përfaqësues politikë në Prishtinë e vlerësojnë korrekt dhe real raportin e fundit të “Freedom House” për lirinë në botë, ku, mes tjerash, vlerësohet se në Kosovën e pavarur janë shënuar përparime.

Nga një vend “jo i lirë”, Kosova vlerësohet se ka kaluar në një vend “pjesërisht të lirë”, ku si të arritura kryesore potencohen përparimet në fushën e të drejtave të komuniteteve dhe organizimi i zgjedhjeve komunale të nëntorit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se raporti i “Freedom House” për lirinë në botë tregon për shkallën e zhvillimit pozitiv në Kosovë, duke e renditur atë në shtetin me më shumë përparime në këtë rajon.

“Raporti i fundit i ‘Freedom House’ për lirinë në botë është pa dyshim pozitiv për Kosovën. Një raport, i cili e vlerëson progresin e arritur gjatë një viti në Kosovë. Vlen të theksohet se nga të gjitha vendet e rajonit, shkalla e progresit pozitiv është më e madhja në Kosovë dhe kjo është potencuar edhe në raportin e ‘Freedom House’”, thotë Krasniqi.

Vlerësime pozitive për raportin e fundit të “Freedom House” dhe pjesës që flet për Kosovën, shpreh edhe opozita. Por, sipas Avni Arifit, nga Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ky vlerësim pozitiv nuk i atribuohet qeverisë, por popullit të Kosovës.

Pas shumë vlerësimeve negative, ku potencohen dukuritë negative, si korrupsioni e krimi i organizuar, një raport i tillë, sipas Arifit, është shumë i mirë për Kosovën dhe imazhin e saj në botë.

“Është shumë lajm i mirë për Kosovën. Ky raport, megjithatë, bazohet në dy aspekte, në atë të përmirësimit të pozicionit të minoriteteve dhe njëkohësisht procesit të kaluar zgjedhor”.

“Pra, një meritë që i takon ekskluzivisht popullit të Kosovës, sepse nuk kemi të bëjmë këtu me një vlerësim për institucionet, por faktikisht këtu duhet të krenohet populli i Kosovës, sepse është meritë ekskluzive e popullit të Kosovës për këto zhvillime”,
vlerëson Arifi.

Duke ia atribuuar të gjitha meritat e këtij raporti popullit të Kosovës, zyrtari i AAK-së, Arifi, thotë se nga një sjellje e tillë e popullit të Kosovësj duhet të mësojnë edhe institucionet dhe qeveria, në mënyrë që përparimet të shtrihen edhe në rrafshin institucional.

“Shpresoj se qeveria do të marrë mësim nga kjo. Është ndjenjë e mirë kurdo që ka vlerësim pozitiv për Kosovën. Është mirë që institucionet e Kosovës t’i ndërpresin praktikat e gabueshme, qoftë korruptive, qoftë kontroll mbi media”.

“Të përmirësohen të gjitha defektet që kanë ndodhur. Por, këto janë vetëm dëshira, sepse nuk mund të presim nga këto institucione që të punojnë në drejtim të përmirësimit të imazhit të Kosovës”,
shprehet Arifi.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se vlerësimi pozitiv i “Freedom House” për lirinë në Kosovë, nuk mund të lë anash punën e qeverisë dhe akterëve të tjerë që ndikuan në rritjen e shkallës së përgjithshme të lirisë.

“Ky është një vlerësim për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë, për të gjitha angazhimet dhe iniciativat e qeverisë, institucioneve dhe shoqërisë civile, të cilat tanimë Kosovës i japin një pozicion më të mirë, më pozitiv, në aspektin ndërkombëtar dhe arenën ndërkombëtare”.

“Vlerësojmë se shkalla e progresit do të vazhdojë dhe vit pas viti do të kemi raporte edhe më pozitive në rangimet e ‘Freedom House’”,
thekson Krasniqi.

Përparimet në Kosovë dhe rritja e shkallës së lirisë së përgjithshme janë një e arritur e dukshme, thotë kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Ai, megjithatë, thotë se gjendja aktuale nuk është ajo që duhet dhe synon ta arrijë qoftë Kosova, apo komunitetet që jetojnë në të.

“Ajo që ndërlidhet me realitetin, është se gjendja nuk është ajo që ne do të dëshironim të ishte, por gjithsesi shihen kthesa pozitive”.

“E dimë se ka ende shumë punë dhe çështje që duhet përmirësuar në rrafshin e lirive, por ne kemi një dozë optimizmi që do të ketë një hapësirë shumë më të mirë për të gjitha komunitetet, sidomos për komunitetin serb”,
thotë Petroviq.

Raporti i fundit i “Freedom House” vlerëson se Ballkani Perëndimor ka shënuar përparime në liri gjatë vitit të fundit, ndërkaq përmirësimet në Kosovë ishin më të dukshmet.

Në këto përmirësime thuhet se ka ndikuar statusi i shtetit të ri të pavarur të Kosovës, që ka sjellë forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pakicave, dhe organizimi i zgjedhjeve të nëntorit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG