Ndërlidhjet

Bie numri i rasteve me A/H1N1 – pritet valë e re


Në Kosovë është shënuar rënie e numrit të pacientëve të infektuar me virusin A/H1N1, të njohur si gripi i derrave. Por, zyrtarët e institucioneve thonë se pritet një valë jetër eventuale e këtij gripi, në muajt e ardhshëm.


Gjatë tri javëve të fundit, në Kosovë është shënuar rënie progresive e rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara me virusin pandemik A/H1N1, i njohur si gripi i derrave. Kështu thonë zyrtarët e institucioneve shëndetësore dhe atyre qeveritare, përgjegjëse për shëndetësinë në Kosovë.

Por, njëherësh, ata vlerësojnë se ekziston rreziku nga një valë e re e paraqitjes së kësaj pandemie dhe thonë se institucionet shëndetësore duhet të jenë të gatshme të përballen me të.

Dr Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, thotë se numri i pacientëve që janë duke u kuruar aktualisht në këtë klinikë nga gripi i derrave, është i vogël.

“Në tri javët e fundit, evidentojmë një rënie progresive të pacientëve që kërkojnë ndihmë te ne. Aktualisht, në rang të Kosovës, janë 6 pacientë të spitalizuar, të cilët gjendjen klinike, stabile, e kanë të dyshimtë për infeksionin me influencën A/H1N1, dhe dy të tjerë, të cilët janë në gjendje të rëndë klinike. Bëhet fjalë për dy shtatzëna”, sqaron dr Dreshaj.

Ndryshe, institucionet e shëndetit publik, deri më tash, janë pajisur me 5 mijë vaksina kundër gripit të derrave, të cilat janë donacion nga Turqia. Por, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se numri i të vaksinuarve është i vogël. Zëdhënësi Faik Hoti shpjegon arsyet:

“Për shkak të një anti-fushate, të themi ashtu, kundër vaksinës, në nivele të ndryshme, numri i atyre që janë vaksinuar me vaksinën kundër gripit të derrit, që është donacion i Republikës së Turqisë, është i vogël”.

“Ka mbi 200 vaksina që janë përdorur deri më tash. Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike është një numër shumë i vogël i vaksinave, sepse ato janë shpërndarë nëpër qendrat rajonale shëndetësore”,
thotë Hoti.

Edhe dr Dreshaj konsideron se një fazë tjetër eventuale e gripit të derrave në Kosovë, është tejet e mundshme, gjatë muajve në vijim.

“Ne presim që kjo epidemi ta ketë edhe valën tjetër të paraqitjes, ashtu si është duke ndodhur aktualisht në Serbi, ku i kanë diku mbi 500 të spitalizuar dhe mbi 60 të vdekur”.

“Kjo ecuri është duke u evidencuar edhe në Maqedoni dhe në Greqi dhe unë mendoj se Kosova nuk është një oazë e kursyer nga gripi H1N1”,
shprehet dr Dreshaj.

Në anën tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka premtuar se do të sigurojë për Kosovën rreth 220 mijë doza të vaksinës kundër gripit të derrave.

Skënder Syla, përfaqësues i kësaj organizate për Kosovën, thotë se që nga momenti kur autoritetet kosovare të finalizojnë planin operacional të vaksinimit, OBSH-ja, brenda 10 ditëve, do të sjellë në Kosovë kontingjentin e parë të këtyre vaksinave.

“Pandemia është ende e pranishme dhe do të jetë, sipas të gjitha gjasave, brenda 6-12 muajve të ardhshëm. Sa më i madh të jetë numri i personave që vaksinohen, do të jetë më e mbrojtur popullata”, thekson Syla.

Ndryshe, në kuadër të planit operacional të vaksinimit është paraparë edhe një fushatë e mediave për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për nevojën e vaksinimit kundër gripit të derrave.

Përkundër faktit se në Kosovë do të sillen rreth 220 mijë doza të vaksinës kundër gripit të derrave, ndërkohë që deri më tash janë shpenzuar vetëm rreth 5 për qind e vaksinave të sjella nga Turqia, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se institucionet kosovare po shqyrtojnë mundësinë e sigurimit edhe të një numri tjetër të vaksinave, varësisht nga nevojat që do të paraqiten.

“Duke qenë se virusi i gripit të derrit nuk është virus sezonal, por një virus që është aktiv vazhdimisht, nuk mund të krijohet asnjë lloj komoditeti nga ana e institucioneve, që të hiqet dorë nga blerja e vaksinave apo sigurimi i dozave të mjaftueshme të tyre”.

“Nëse tash kemi një situatë të qetë, kjo nuk do të thotë që pas një, dy apo tre muajve nuk do të jetë një situatë krejtësisht e kundërt”,
thotë Hoti.

Sidoqoftë, sipas raportit aktual të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë, prej 15 korrikut të vitit të kaluar e deri më tash, janë shënuar 321 raste pozitive me grip të derrave, prej të cilave 14 kanë përfunduar në mënyrë fatale.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG