Ndërlidhjet

Ndihmat nuk po mbërrijnë në Haiti


Haiti

Haiti

Angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, pas tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i së martës në Haiti, po rritet. Megjithatë ndihmat humanitare dhe ekipet e shpëtimit nuk po munden të arrijnë në terren për shkak të infrastrukturës së shkatërruar. Aeroporti i kryeqytetit haitian nuk ka kapacitete për të përballuar fluksin e fluturimeve. Në Porto Prins shihen barrikada me kufoma.


Frustrimi në mesin e banorëve të Haitit po rritet ndjeshëm si pasojë e vonesave në mbërritjen e ndihmës humanitare.

Agjencitë e lajmeve citojnë dëshmitarë në vendin e ngjarjes të thonë se banorët e Porto Prinsit në shenjë proteste kanë ngritur barrikada me kufomat e të vdekurve nga tërmeti.

Ekipet e shpëtimit dhe ekipet me ndihma humanitare po përballen me vështirësi të shumta për të hyrë në Haiti. Aeroporti kryesor i vendit ka mungesë në karburantin e aeroplanëve, nuk ka hapësirë për zbarkimin e të gjitha mjeteve si dhe nuk ka një kullë kontrolli.

Nga ana tjetër porti kryesor i vendit është dëmtuar rëndë, çfarë e pamundëson dërgimin e ndihmave nga uji.

Të dhënat më të fundit nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar flasin për rreth 50 mijë viktima nga tërmeti.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Kroullei, tha se ekipe nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, Rusia, Kina, Kanadaja dhe Amerika Latine kanë mbërritur në Haiti dhe kanë filluar të shpërndajnë ndihma, të kryejnë operacione shpëtimi si dhe të ofrojnë ndihmë mjekësore në mesin e një popullate shumë të dëshpëruar.

Padyshim kjo është një listë e gjatë, që rritet vazhdimisht, por së paku 30 vende me ndihma të konsiderueshme kanë aritur në Haiti ose janë në rrugë për atje. Në këtë kuptim nuk është vetëm angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Haitit që po rritet, por po rritet përkushtimi i gjithë bashkësisë ndërkombëtare”, tha Kroullei.

Edmond Mule, ish drejtuesi i misionit paqeruajtës të OKB-së në Haiti, pritet të arrijë gjatë ditës në Porto Prins për të bashkërenduar operacionet humanitare.



*************
Shtetet e Bashkuara po japin një ndihmë fillestare prej 100 milionë dollarësh për operacionet humanitare në Haiti.

Sot po njoftoj një fond të menjëhershëm prej 100 milionë dollarësh në mbështetje të operacioneve të ndihmës. Kjo do të jetë kryesisht në paisje për shpëtimin e jetëve, në ushqim, ujë dhe në barnat e nevojshme. Ky investim do të rritet gjatë vitit derisa do të hyjmë në një fazë rimëkëmbje nga kjo tragjedi e paimagjinueshme”, tha Obama. Ai shtoi se “jemi solidarë me fqinjët tanë në jug”.

Haiti
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe mijëra trupa në Haiti për të asistuar në operacionet humanitare pas tërmetit shkatërrues të së martës.
3500 ushtarë do të dërgohen në Haiti, 100 nga të cilët do të arrijnë në vendin e ngjarjes gjatë ditës së sotme.

2200 marinsa amerikane shtesë do të mbërijnë në Haiti për operacionet e sigurisë, të kërkimit dhe të shpëtimit. Trupat amerikane po ruajnë aeroportin e Porto Princit. Në aeroport kanë mbërritur aeroplanët e parë me ndihma nga Kina, Franca dhe Spanja.

Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ofrojë 100 milionë dollarë ndihmë për Haitin. Kordinatori për Kryqin e Kuq të Haitit, Viktor Xhekson, tha se numri i të vdekurve nga tërmeti mund të jetë mes 45 e deri në 50 mijë njerëz. E njëjta organizatë ka vlerësuar se 3 milionë njerëz, ose një e treta e popullsisë së Haitit kanë nevojë për ndihma emergjente.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun tha se 100 milionë dollarë do të dërgohen menjëherë nga trupi më i lartë i botës.

Burimet e OKB-së thanë se 36 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse kanë humbur jetën, por shifrat mund të rriten ndërsa ekipet e shpëtimit po i kërkojnë të mbijetuarit në gërmadhat e ndërtesës shtatë katëshe të misionit.

Kreu i OKB-së Ban ki Mun tha se 150 punonjës të organizatës botërore llogariten si të humbur. Saktësisht 100 prej tyre ishin në ndërtesën e OKB-së në momentin që ajo u rrënua.

Ban ki Mun vlerësoi lart përgjigjen e menjëhershme të bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar. Ai shtoi se situata e sigurisë është relativisht nën kontroll.

Siguria e përgjithshme dhe rendi publik po mbahen. Siç ju thashë kemi 3000 forca paqeruajtëse në vend. Ata vazhdojnë të patrullojnë, derisa detyrë kryesore kanë të shoqërojnë dhe ndihmojnë shpërndarjen e ndihmave humanitare”, tha Ban.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ish presidenti amerikan Bill Klinton, i cili tash është i dërguar special i OKB-së për Haitin, tha se përpjekjet fillestare janë fokusuar në shpëtimin e sa më shumë jetëve.

Duhet të shpëtojmë sa më shumë jetë të jetë e mundur dhe t’u ndihmojmë të plagosurve. Duhet t’u japim ujë dhe ushqim”, tha Bill Klinton.

Tërmeti i fuqishëm prej 7 shkallë Rihter, më i rëndi në 200 vitet e fundit, shkaktoi shembjen e shumë ndërtesave në këtë vend të Karaibeve.(I.B)
XS
SM
MD
LG