Ndërlidhjet

Topalli: Debati bëhet në Parlament, jo në rrugë


Jozefina Topalli

Jozefina Topalli

"Kryetari i opozitës do që ta dëmtojë procesin integrues. Ne do të bëjmë çdo gjë që proceset integruese të avancojnë dhe liberalizimi i vizave të bëhet në korrik", thotë Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, për Radion Evropa e Lirë.




RADIO EVROPA E LIRË

Zonja kryetare, më 18 janar fillon dhe sesioni i ri parlamentar. Cila do të jetë sfida më e fortë e këtij sesioni të ri?

JOZEFINA TOPALLI
Ne mbyllëm një vit, ku janë regjistruar disa nga datat më të rëndësishme historike të zhvillimeve politike, në mënyrë të veçantë ato në fushën e integrimit.

Nëse viti 2009 do të mbahet mend si viti i NATO-s, si viti i dorëzimit të kërkesës për marrjen e statusit kandidat, nëse viti 2009 do të mbahet mend dhe do të shënohet me vendimin e 16 nëntorit dhe të dorëzimit të pyetësorit, viti 2010 do të jetë viti i liberalizimit të vizave.

Për shqiptarët, për perceptimin e tyre, për historinë e tyre, ky do të jetë viti më i rëndësishëm, sepse, pas një shekulli, qytetarët shqiptarë, të rinjtë shqiptarë, do të mund të lëvizin në Europë të lirë.

Dhe, padyshim, në krye të detyrimeve është Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, i cili ka kaluar një numër të rëndësishëm ligjesh, marrëveshjesh dhe konventash, që lidhen me marrjen e liberalizimit të vizave.

Në të njëjtën kohë, sfidat e reja në kuadrin ekonomik, në luftën kundër varfërisë, rishikimi i buxhetit në gjysmën e vitit të ardhshëm - do të jenë disa nga angazhimet kryesore.

Kemi një sërë ligjesh të depozituara, por për mua, si kryetare e Kuvendit, i rëndësishëm mbetet fakti se vendet bosh të 4 muajve të fundit janë muaj që nuk e ndihmojnë vendin tonë në proceset integruese, nuk e ndihmojnë në vendimet e ardhshme të marra për opinionin nga Komisioni Europian, as nuk janë në konsolidim të demokracisë së Shqipërisë.

Ndaj, unë uroj që kryetari i Partisë Socialiste të mos i pengojë më deputetët që të ushtrojnë mandatin e tyre, të mos pengojë më deputetët për të respektuar dhe nderuar kontratën që ata kanë me qytetarët socialistë, që i kanë votuar dhe besojnë te kjo forcë e madhe politike.

Pa dyshim, unë jam e sigurt se në momentin që ata do të kthehen në Parlament, ne do të kemi shumë punë për të bërë bashkë. Ata do të gjejnë shumë hapësira, ato që jep ligji, Rregullorja, Kushtetuta dhe natyrisht elasticiteti i kryetarit të Kuvendit, për të respektuar fjalën e opozitës, sepse opozita fjalën ka.

Unë besoj se ne, së bashku, do të miratojmë dhe Ligjin për Gjykatën Administrative, që është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mbështetje të biznesit dhe në penalizmin e arbitrariteteve, që kanë qenë jo të rralla gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe në raport me privatin, edhe në raport me biznesin.

Më pas do të vazhdojmë me ligje të tjera, që kanë të bëjnë me reformat në shëndetësi dhe në arsim, që janë dy nga fushat më të dashura që unë kam.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Topalli, ju sapo përmendët Projekt-ligjin për Gjykatën Administrative, i cili, për t’u miratuar, kërkon një shumicë të cilësuar. Ka qenë problem gjatë sesionit që lamë pas fakti që ligje, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar, nuk kanë mundur të kalojnë, për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend. Si e keni menaxhuar këtë situatë?

JOZEFINA TOPALLI

Në përgjithësi, kuadri ligjor është i plotësuar. Padyshim që ka nevojë për përmirësime të tjera apo për plotësime të tjera.

Unë e vlerësoj shumë të rëndësishëm Ligjin për Gjykatën Administrative. Ai është një ligj që ndihmon drejtësinë në përgjithësi, është një ligj që do të ndihmojë biznesin dhe privatin.

Është detyrim i opozitës për të respektuar vullnetin, dëshirën dhe aspiratat e atyre qytetarëve që e kanë votuar këtë forcë politike. Detyrimi për të votuar nuk ka çështje dëshire apo qejfi.

Ajo është përgjegjësi dhe detyrim ndaj atyre që të votojnë, qoftë kur je në mazhorancë që ke përgjegjësi tepër të madhe, por edhe kur je në opozitë, sepse mundësia e kalimit të këtij ligji varet nga vota jote.

Unë kujtoj që, vite më parë, kur ne ishim në opozitë, votonim pa përjashtim të gjitha ligjet që kishin të bënin me proceset integruese dhe çështjet e sigurisë dhe me çështjet e integrimit.

Për sa i takon mendimit ekonomik, shkollës ekonomike, politikave që ndajnë të majtën dhe të djathtën, e drejta e tyre është për të votuar kundër, për të abstenuar, për të mos votuar, për të kundërshtuar.

Nëse u rikthehem muajve të kaluar, ajo që mua më ka munguar, por besoj edhe demokracisë dhe parlamentarizmit i ka munguar, është mendimi opozitar. Ai është jashtëzakonisht i domosdoshëm.

Mendimi opozitar, pavarësisht se është kritik, e ndihmon qeverisjen, por, mbi të gjitha, ndihmon mbarëvajtjen e punëve të një shteti, që ka nevojë për konsolidim të mëtejshëm të institucioneve të tij dhe që nuk ka luksin për të humbur asnjë orë, asnjë minutë për të çuar përpara reformat.

Ne jemi një vend që kemi kapërcyer ose kemi kaluar me shumë lehtësi krizën ekonomike globale, me të cilën vazhdon të përplaset bota dhe vende shumë të fuqishme. Kjo është diçka shumë pozitive që na bën të ndihemi mirë, por kjo nuk do të thotë se ne kemi fuqinë ekonomike të një vendi si Gjermania apo Franca.

Ne dimë se në Shqipëri ka probleme të mëdha në familjet shqiptare. Ne e dimë se beteja jonë e përditshme në çdo orë është kundër varfërisë, si të përmirësojmë më shumë arsimin, si të bëjmë shkollën më të fortë, si të japim më shumë mundësi punësimi.

Ne jemi një shoqëri me një strukturë sociale shumë të re dhe kjo vë në detyrë përpara qeverisjes. Çfarë do të bësh ti që t’i rrisësh akoma më shumë investimet? Çfarë do të bësh ti që të rrisësh më shumë punësimin?

Nuk ka sfidë më të madhe, nuk ka detyrim më të madh për një qeveri, për një mazhorancë, përveç proceseve integruese, sesa të mendojë se si do të rrisë mirëqenien e çdo familjeje, si do të bëjë të mundur që një njeri, i cili mbaron universitetin, të gjejë hapësira dhe mundësi që dijen e tij ta aplikojë në një vend pune, në privat apo në administratë publike.

Kjo është detyra e shtetit, kjo është detyra e Qeverisë. Në këtë aspekt, duhen reforma të tjera në fushën ekonomike, reforma të tjera në mbështetje të biznesit, në mbështetje të investimeve të huaja.

Unë jam shumë e kënaqur që investimet kanë vazhduar të rriten. Jam shumë e kënaqur që fuqia blerëse është rritur edhe në vitin e fundit. Jam shumë e kënaqur që është rritur numri i bizneseve, por kjo mua nuk më bën që të rri në këtë kënaqësi dhe të mos mendoj se çfarë tjetër duhet të bëj.

Shqipëria, për asnjë çast, nuk ka luksin që të mos mendojë për të bërë diçka tjetër që nuk e kishte menduar përpara, po që nuk kishte pasur mundësi për ta bërë në fillim.

RADIO EVROPA E LIRË
Më datën 18 janar, të gjitha gjasat janë që Parlamenti të rifillojë punimet, por pa opozitën. Ndoshta, pjesë të fragmentarizuara të saj, deputetë të Partisë Socialiste, të cilët e kanë deklaruar këtë gjë, do të mund të jenë në Kuvend, por edhe kjo është gjithsesi me pikëpyetje të madhe.

A mendoni se mazhoranca i ka bërë të gjitha detyrat e saj, domethënë i ka dhënë përgjigjen e duhur opozitës për ta rikthyer atë në Parlament? Kujtoj që hapja e kutive vijon të jetë kushti kryesor i vendosur nga opozita. Partia Socialiste ka deklaruar se nuk ka ndërmend të kthehet në Parlament pa u hapur kutitë e votimit. Çfarë do të bëhet pas kësaj?

JOZEFINA TOPALLI
Kjo është një çështje që nuk zgjidhet nga PD-ja. Kjo është një çështje që ka të bëjë me kryetarin e Partisë Socialiste, i cili me kërkesën e tij (në fakt ai nuk e thotë realisht se çfarë kërkon) kërkon të mos njohë rezultatin e 28 qershorit, gjë që do të thotë të mos pranosh bazën mbi të cilën ngrihet një sistem demokratik.

As gazetarët, as gjykatësit, as pjesa tjetër e administratës nuk votohet çdo 4 vjet për të marrë besimin, ajo qëndron në detyrë për aq sa ia cakton ligji.

Të vetmit që shkojnë për t’u votuar dhe për t’u gjykuar nga gjykatësi i madh, që është sovrani, janë politikanët, forcat politike dhe rregulli i parë i demokracisë thotë: “Respekto parimin e mazhorancës”.

Ai që merr jo 100 mijë vota më shumë, por 1 votë më shumë, ka qeverisjen dhe është e drejta dhe detyra e tij për të qeverisur. Ai që merr jo 100 mijë vota më pak, por 1 votë më pak ka për detyrë për të bërë detyrën e shenjtë të opozitës.

Në qoftë se kryetari i Partisë Socialiste nuk pranon alfën e demokracisë, kemi të bëjmë me një problem shumë të rrezikshëm në mendjen dhe në vendimmarrjen e tij. Por, unë jam e sigurt se deputetët e Partisë Socialiste, shumica e tyre, duan të kthehen në Parlament.

Deri tani, ata kanë gjetur një pengesë të fortë, kanë pasur edhe frikë nga kryetari i Partisë Socialiste.

Detyra jonë është të përsërisim për të satën herë se çdo gjë që është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, mund të realizohet në Kuvend. Debati bëhet në Parlament, nuk bëhet në rrugë. Vendi i tyre është në Parlament.

Janë votuar për të ardhur në Parlament, jo për të mbetur deputetë në tentativë, por për të qenë deputetë realë dhe për të pasur mundësinë e madhe, si askush tjetër, për të shfrytëzuar foltoren e Parlamentit, për të komunikuar me qytetarët, me votuesit e tyre dhe për të thënë se çfarë është bërë mirë e çfarë keq, çfarë mendojnë për një çështje ekonomike, çfarë mendojnë për një çështje sociale, çfarë mendojnë për proceset e integrimit.

Pra, të shprehin mendimin e tyre opozitar, kritik apo pozitiv, sipas vlerësimit të tyre. Kjo është detyra e opozitës.

Ne u garantojmë çdo komision parlamentar, ashtu siç e kanë pasur edhe herët e tjera. Edhe në vitin 2005 kanë kërkuar komision hetimor parlamentar për zgjedhjet. E kanë bërë.

Kanë dalë me një rezolutë, në të cilën vendosnin pikat kryesore, mbi të cilat do të punohej për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Kryeministri Berisha u ka thënë sërish të sjellin amendamentet e tyre, sërish për të votuar siç dëshirojnë ata.

Kërkojnë komision hetimor, të vijnë dhe do të kenë mazhorancën, por çdo gjë brenda kuadrit kushtetues. Ky është shteti.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Topalli, ju përmendët Kushtetutën, por gjatë muajit mars, ndoshta më 7 mars, përfundon edhe afati kushtetues për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Si do të veprohet pas këtij momenti, nëse opozita nuk do të futet në Parlament? Çfarë do të bëhet me mandatet e këtyre deputetëve?

JOZEFINA TOPALLI
Shteti funksionon në bazë të ligjit të tij themelor, që e ka emrin Kushtetutë. Ajo që shkruan Kushtetuta, ajo duhet të zbatohet dhe të aplikohet që në ditën e parë, pa asnjë dyshim, pa asnjë hezitim.

Po të mos e bënim këtë, atëherë ne s’do të ishim shtet, ne s’do të ishim shtetarë dhe ne s’do ta meritonim karrigen në të cilën jemi. Kështu që në këtë aspekt, Kushtetuta vetëm duhet të respektohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo nënkupton edhe zëvendësimin e mandateve?

JOZEFINA TOPALLI
Këtë nuk e bën Parlamenti, këtë e bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Parlamenti do të mbledhë Këshillin Legjislativ dhe Sekretariatin e Rregullores dhe të Imuniteteve, të cilët do të bëjnë verifikimin e datave, të afateve që shkruhen në Kushtetutë dhe do të vënë në dijeni KQZ-në.

Gjatë këtyre ditëve, unë, për shkak të angazhimeve të tjera, nuk kam komunikuar me deputetët, por shumë shpejt unë do t’u kërkoj atyre që të fillojnë të punojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Angazhimi më kryesor i mazhorancës është që rreth muajit korrik të mund të arrihet liberalizimi i vizave Shqipëri –BE. A penalizohet ky proces, dhe jo vetëm, por dhe përgjigjja ndaj pyetësorit të BE-së, si pasojë e mungesës së opozitës në Kuvend?

JOZEFINA TOPALLI
Në mënyrë të veçantë, Parlamenti ka rreth 30 e ca pyetje shumë të rëndësishme, midis të cilave janë disa pyetje politike dhe ju e dini se prioritet kryesor i partneritetit me BE-në është dialogu në Parlament.

Brenda shpirtit, unë e ndjej dhe mendoj se kryetari i opozitës do që ta dëmtojë, pavarësisht se nuk e artikulon direkt. Ky është qëllimi i tij. Ne do të bëjmë çdo gjë që proceset integruese të avancojnë dhe liberalizimi i vizave të bëhet në korrik.
XS
SM
MD
LG