Ndërlidhjet

logo-print

Bill Klinton: Të ndihmojmë Haitin


Bill Klinton

Bill Klinton


"Washington Post"

Shkruan: Bill Klinton, presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për Haitin.



Ndërsa po i shkruaj këto rreshta, ende nuk e dimë shkallën e dëmeve nga tërmeti, që të martën goditi brigjet e Haitit. Por, vlerësimet e para thonë se rreth 3 milionë njerëz, pothuaj një e treta e popullsisë së Haitit, kanë nevojë për ndihmë, duke e bërë këtë emergjencën më të madhe në historinë e Amerikave.

I tërë sistemi i Kombeve të Bashkuara po punon për t’i plotësuar nevojat në Haitit pas shembjes së selisë sonë dhe vdekjes së shumë kolegëve tanë.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është zotuar të japë mbështetje të plotë për rimëkëmbjen e vendit, ashtu si qeveritë e shumë vendeve të tjera. Organizatat joqeveritare dhe qytetarët e thjeshtë janë ofruar të ndihmojnë. Madje, edhe kontributet më të vogla do të bënin dallim të madh pas një shkatërrimi të tillë.

Por, pasi të kalojë emergjenca, do të mbeten punët për rindërtimin e vendit. Që nga dhjetori 1975, kur unë dhe Hillari udhëtuam në Haiti, kam qenë i preokupuar me shpresën e atyre njerëzve përballë abuzimit, neglizhencës dhe varfërisë.

Si president, punova për t’i dhënë fund diktaturës së dhunshme ushtarake në Haiti dhe për ta rivendosur presidentin e zgjedhur në zyrë. Qershorin e kaluar, e pranova rolin e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara për Haitin, për të ndihmuar në zbatimin e planit afatgjatë të zhvillimit, duke rritur ndihmat e qeverive të huaja dhe investimet private.

Këto ndihma do të krijojnë më shumë vende të punës, arsim më të mirë, kujdes më të mirë shëndetësor, shpyllëzim më të vogël dhe energji më të pastër për vendin që ka nevojë.

Patëm një filim të mbarë dhe para tërmetit besoja se Haiti ishte më afër se kurrë për të siguruar një të ardhme të ndritur.

Përkundër kësaj tragjedie, unë ende besoj se Haiti do t’ia dalë mbanë.

Së pari, duhet të kujdesemi për të plagosurit, të vdekurit, të pastrehët dhe të uriturit. Sapo t’i pastrojmë rrënojat, do të krijojmë të nesërme më të mirë për haitianët, me ndërtesa më të forta, me shkolla më të mira dhe shëndetësi më të mirë. Njerëzit e Haitit e meritojnë mbështetjen tonë.

Në ditët në vijim, do të rrëfehen shumë histori për humbje dhe triumf të shpirtit të njeriut. Ata do të na bëjnë thirrje për t’u ndihmuar, jo vetëm që të rivendosim Haitin, por ta ndihmojmë që të bëhet një vend më i fortë dhe më i sigurt, të cilin njerëzit e vet gjithmonë e kanë dëshiruar dhe merituar. (V.P.)
XS
SM
MD
LG