Ndërlidhjet

Feith konfirmon strategjinë për veriun


Pieter Feith
Pieter Feith

ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës po hartojnë një strategji për veriun e Kosovës, e cila parasheh veprimet që duhet bërë gjatë këtij viti për vendosjen e autoritetit në veri, shuarjen e strukturave paralele, si dhe respektimin e ligjeve të Republikës së Kosovës.





Një strategji për integrimin e veriut, i cili vazhdon të jetë jashtë kontrollit të pushtetit kosovar, është duke u hartuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe Qeveria e Kosovës.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, konfirmoi se kjo zyrë është e përfshirë në këtë strategji.

ICO-ja dhe Qeveria kanë përmendur përfshirjen e miqve ndërkombëtarë të Kosovës, por pa saktësuar se për kënd tjetër bëhet fjalë.

Shefi i ICO-së, Piter Feith, tha se strategjia synon të zbatohet në një plan afatshkurtër dhe afatmesëm dhe se ka të bëjë me kthimin e ligjshmërisë në veriun e vendit.

“Strategjia është bazuar në faktin se Zyra Civile Ndërkombëtare nuk i njeh strukturat paralele, por vetëm institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Ndërsa, sa i përket sundimit të ligjit, ne do të punojmë në bazë të një kornize të vetme ligjore, që mbulon tërë territorin e Kosovës. Këto janë dy parimet bazë të çdo strategjie për veriun”
, tha Piter Feith, pas një takimi që zhvilloi, mëngjesin e sotëm, me kryeministrin Hashim Thaçi.

Mediat vendore të informimit kanë publikuar detaje të strategjisë, e cila thuhet se qartëson dy plane themelore të BE-së për veriun - vendosjen e serbëve të veriut nën juridiksionin e Qeverisë së Kosovës, si dhe zëvendësimin e rolit të UNMIK-ut pa rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas këtij dokumenti, janë disa pika bazë, mbi të cilat do të veprojë Qeveria në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë: krijimi i komunës veriore të Mitrovicës përmes zgjedhjeve që do të mbaheshin kah mesi i këtij viti, organizimi i zgjedhjeve lokale në tri komunat tjera veriore të Kosovës, margjinalizimi i strukturave paralele dhe mbyllja e zyrës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, si dhe forcimi i pranisë së EULEX-it në pjesën veriore.

ICO-ja thotë se dokumenti është i kësaj zyre dhe jo i Bashkimit Evropian. Sidoqoftë, Piter Feith pranoi se dokumenti i publikuar është i saktë, por jo edhe i përfunduar.

Dua të them dy gjëra; së pari, ky është draft dhe nuk është dokument final dhe është një ndërmarrje e përbashkët e Qeverisë dhe e miqve ndërkombëtarë. Ndjej keqardhje që dokumenti ka mbërritur në media. Ai nuk është dokumenti final”.

“Ne vazhdojmë konsultimet e ngushta me Qeverinë për strategjinë në veri. Është një produkt i përbashkët mes Qeverisë dhe neve dhe kur t’i arrijmë konkluzionet finale, ne do t’ju njoftojmë”
, tha Feith.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se detajet e zbuluara në media, janë vetëm disa ide preliminare të strategjisë për kthimin e ligjshmërisë në veriun e vendit.

Është një angazhim i përbashkët i institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Është fjala për idetë preliminare që kemi nxjerrë për strategjinë e vendosjes së ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, veçanërisht në veri të Mitrovicës”.

“Edhe kjo strategji e përbashkët është në përputhje me Planin e Ahtisarit dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës“
, theksoi Thaçi.

Beogradi zyrtar vazhdon financimin e strukturave paralele serbe në Kosovë. Ai edhe këtë vit ka ndarë mbi 40 milionë euro për këto struktura, ndërsa ka emëruar edhe gjykatës për gjykatat paralele serbe, gjë që ka nxitur reagimin e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, tha se ky mision nuk i njeh strukturat paralele, ndërsa institucionet e fuqishme, të drejta dhe shumetnike për sundimin e ligjit, sipas tij, i bëjnë të ashtuquajturat struktura paralele jorelevante.

Kermabon tha se vendimi politik i Beogradit për emërimin e gjykatësve për gjykatat serbe në Kosovë, kërkon veprim urgjent.

EULEX-i është duke punuar në rithemelimin e gjyqësorit funksional në veri të Mitrovicës, ka rihapur gjykatën dhe zhvilluar pesë gjykime aty”, tha Kermabon, gjatë një vizite në komunën e re të Ranillugut.
XS
SM
MD
LG