Ndërlidhjet

Mali i Zi dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike


Podgoricë

Podgoricë


Kosova dhe Mali i Zi të premten vendosën marrëdhënie diplomatike.

Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se “Mali i Zi dhe Kosova të premten vendosën marrëdhënie diplomatike, duke shkëmbyer letrat e marrëveshjes”.

Hyseni tha se vendosja e marrëdhenieve diplomatike ka ardhur pas një komunikimi zyrtar me homologun e tij, Millan Roçen, dhe ftesës që i është bërë nga Republika e Kosovës.

Shefi i diplomacisë kosovare, Hyseni, gjithashtu tha së në kohën e duhur do të shkëmbehen ambasadorët dhe stafi tjetër diplomatik.

Ndjeshmëria e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ka bërë që vendosja e marrëdhënieve diplomatike te zhargitet”, deklaroi Hyseni.

Unë ju siguroj që asnjëherë nuk ka pasur kushtëzime nga ana e Malit të Zi. Ndërkohë që Republika e Kosovës do të përkujdeset që të gjithë qytetarët e saj, përfshirë këtu edhe qytetarët me përkatësi etnike malazeze, të ndjehen si në shtetin e tyre, si në shtëpinë e tyre”, tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni.

Më herët, Qeveria në Podgoricë tha se marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën janë vendosur në pajtim me vendimin zyrtar të 9 tetorit, 2008, për njohjen e Kosovës.

Në letrën e tij, ministri i Jashtëm, Millan Roçen, theksoi se e ndan mendimin e homologut të tij, se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës kanë perspektivë të mirë.

Ai theksoi se Mali i Zi e vlesëron lart atë që Hyseni e ka theksuar në letrën e tij, se autoritetet e Kosovës kanë mirëkuptim për nevojat e komunitetit malazez në Kosovë.

Pres që statusi i tyre do të zgjidhet mbi baza të përhershme, në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, krahas përgatitjeve për shkëmbimin e personelit diplomatik”, tha shefi i diplomacisë malazeze.

Roçen theksoi se kjo do t’i kontribuojë mirëbesimit të ndërsjellë dhe respektimit tradicional që kultivojnë dy popujt miq, për interesin e përbashkët, forcimin e stabilitetit rajonal dhe arritjen më të shpejtë të synimeve evropiane dhe euroatlantike.

Në vitin 2008, njohja e Kosovës nga Podgorica bëri që Beogradi ta dëbojë ambasadorin malazez, por nëntorin e kaluar, ambasadori i Malit të Zi u kthye në Beograd.

Serbia ka protestuar te Mali i Zi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe e ka tërhequr ambasadorin e saj, Zoran Lutanovac, për konsultime në Beograd.

Ministria e Jashtme e Serbisë sot i ka paraqitur demarsh përfaqësuesit të Malit të Zi në Beograd, me rastin e vendimit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me, siç thuhet, “institucionet e përkohshme vetëqeverisëse në Prishtinë”.

Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme të ambasadorit të Serbisë në Podgoricë për konsultime në Beograd, thuhet në komunikatën e ministrisë së Jashtme të Serbisë.(V.P.)
XS
SM
MD
LG