Ndërlidhjet

logo-print

Haiti: Frustrim me vonesat e ndihmave


Haiti - Ushtarët francezë ofrojnë ndihma...

Haiti - Ushtarët francezë ofrojnë ndihma...

Në Haiti, që është goditur nga tërmeti shkatërrues, po rritet frustrimi lidhur me vonesat në shpërndarjen e ndihmave. Nga ana tjetër, infrastruktura e dëmtuar po i pengon përpjekjet ndërkombëtare.



Mijëra banorë të Haitit e kanë kaluar edhe natën e tretë pa strehë mbi kokë ose në kampet e improvizuara në kryeqytetin Porto-o-Prens, pasi ky vend karibean u godit nga tërmeti më shkatërrues në 200 vjetët e fundit.

Ndihma ka arritur nga e gjithë bota, por korrespondentët po raportojnë frustrim në rritje në Port-o-Prens, lidhur me vonesat e shpërndarjeve të ndihmave.

Në një pjesë të qytetit, banorët e zemëruar të Haitit i kanë bllokuar rrugët me kufoma, duke kërkuar përpjekje më të shpejta për ndihma.

Elojsa Estimeble, e cila i ka shpëtuar tërmetit, u shpreh për pakënaqësinë e saj:

“E gjithë familja ime ka vdekur, mbesa, motra, tezja, nëna ime. Shtëpia ime është shkatërruar. Nuk kam ku të jetoj, të gjithë njerëzit këtu nuk kanë ku të jetojnë. Dëshiroj ta di çka do të bëjë qeveria këtu”.

Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara për paqeruajtje, Edomnd Mulet, ka arritur në Porto-o-Prens, për t’i koordinuar përpjekjet ndërkombëtare për ndihma.

Grupet humanitare thonë se për të mbijetuarit e tërmetit janë të domosdoshme uji i pijshëm, ushqimi, furnizime mjekësore e të tjera.

Luis Fernandez, nga ekipi shpëtimtar i Floridës së Shteteve të Bashkuara, tha se grupi i tij po përpiqej t’i gjente personat që mund të jenë të zënë nën gërmadhat e ndërtesave të shkatërruara.

Haiti
“Kjo është njëra nga katastrofat më të mëdha që i kam parë në 20 vjetët e fundit. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë në mënyrë pozitive. Shumica e punëtorëve të shpëtimit kanë më tepër se 20 vjet përvojë në kërkim dhe shpëtim. Sipas përvojës sonë, 10, 12 ose 14 ditë pas tërmetit, ne kemi qenë në gjendje t’i shpëtojmë të mbijetuarit
”, tha Fernandez.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar vlerëson se deri në 50 mijë njerëz mund ta kenë humbur jetën në tërmetin e së martës, me intensitet 7 shkallë të Rihterit.

Kombet e Bashkuara thonë se afro 3 milionë e gjysmë njerëz në Haiti, që është vendi më i varfër në hemisferën perëndimore, jetojnë në hapësirat e goditura nga tërmeti.

Ekipet nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, Rusia, Kina, Kanadaja dhe Amerika Latine kanë arritur dhe kanë filluar të shpërndajnë ndihma, të ndërmarrin operacione të shpëtimit me makineri të rënda dhe me qentë e stërvitur dhe të marrin pjesë në dhënien e ndihmave mjekësore.

Në Uashington, presidenti Barak Obama ka premtuar “njërën nga përpjekjet më të mëdha për ndihma në historinë më të re” dhe ka premtuar se banorët e Haitit “nuk do të harrohen”.

Por, ai po ashtu ka thënë se “mund të nevojiten ditë”, që kontingjenti i ndihmave i Shteteve të Bashkuara në terren të jetë i plotë, për shkak të dëmtimit të rrugëve, të aeroportit dhe të komunikimeve.

Një Nju Jork, koordinatori për ndihma, Xhon Holms, tha se komuniteti ndërkombëtar është i mobilizuar, në mënyrë që ndihma në Haiti “të arrijë sa më shpejt që është e mundshme”.

“Infrastruktura lokale mjekësore është e dëmtuar rëndë dhe e mbingarkuar me të plagosurit, prandaj është prioritet i lartë që të kemi më tepër mjekë atje, më tepër ekipe mjekësore, spitale të improvizuara, ilaçe. Kuptohet, këtu është edhe çështja bazike e ujit. Mendoj se kjo çështje do të jetë sfida kryesore”, tha Holms. (F.B.)
XS
SM
MD
LG