Ndërlidhjet

Josipoviq konfirmon ftesën për Sejdiun


Presidenti i sapozgjedhur i Kroacisë, Ivo Josipoviq.

Presidenti i sapozgjedhur i Kroacisë, Ivo Josipoviq.

Presidenti i ardhshëm i Kroacisë, Ivo Josipoviq, i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se Zagrebi u ka dërguar ftesë të gjithë përfaqësuesve të vendeve, me të cilat Kroacia ka marrëdhënie diplomatike, dhe edhe Kosovës, pavarësisht kushtëzimeve të presidentit serb, Boris Tadiq.



“Ftesat për pjesëmarrje në inaugurim u janë dërguar të gjitha vendeve, me të cilat Kroacia ka marrëdhënie diplomatike”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë presidenti i ardhshëm kroat, Ivo Josipoviq.

I pyetur të komentojë deklarimin e presidentit serb, Boris Tadiq, se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e tij nëse në Zagreb do të jetë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, presidenti i ardhshëm i Kroacisë ka thënë se “nga pozicioni i vet, Zagrebi nuk bën dallime, ndonëse do të ketë mirëkuptim për nevojat specifike që Serbia ka lidhur me raportet me Kosovën”.

“Mendoj se ky fakt nuk duhet t’i përcaktojë marrëdhëniet tona të ardhshme”
, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Ivo Josipoviq.

Autoritetet kroate kanë ftuar për inaugurimin e presidentit të Kroacisë, Ivo Josipoviq, që mbahet muajin e ardhshëm, përfaqësuesit e të gjitha shteteve, me të cilat Zagrebi ka marrëdhënie diplomatike dhe rrjedhimisht edhe përfaqësuesit e Kosovës, ka mësuar Radio Evropa e Lirë në qarqet zyrtare të Zagrebit.

Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, të enjten ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Josipoviqit, nëse në këtë solemnitet merr pjesë edhe kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, sepse, sipas tij, kjo tërthorazi do të thoshte se Serbia njeh pavarësinë e Kosovës.

Analistja e Radios Evropa e Lirë, Ines Shashkor, ka thënë se Kroacia ka dërguar ftesat për inaugurimin që bëhet më 18 shkurt, bashkë me lutjen që t’i dërgohen të dhënat se cilët nga zyrtarët do të marrin pjesë në inaugurim, porse përgjigjet ende nuk kanë arritur.

Ines Shashkor ka thënë se Zagrebi ende nuk ka reaguar ndaj deklaratës së Tadiqit për mosardhjen eventuale në inaugurimin e Josipoviqit, për shkak të pranisë së Sejdiut.

Presidenti i ardhshëm, Josipoviq, ka qenë shumë i matur dhe me asnjë fjalë nuk ka komentuar deklaratat e Tadiqit. Josipoviq është i hapur për të gjithë dhe ka bërë të ditur se Beogradi dhe Sarajeva ndoshta janë adresat e para të interesimit të administratës së ardhshme kroate”, ka thënë Ines Shashkor.

Por, analisti i gazetës beogradase “Politika”, Boshko Jakshiq, ka thënë se reagimi i Tadiqit është i pritur dhe se nuk duhet zmadhuar aspektet negative të mosshkuarjes eventuale të Tadiqit në Zagreb.

“Kjo është një situatë, në të cilën ai është rob i një politike që e ka trashëguar dhe që në një masë edhe e zbaton. Zyrtarët serbë janë pengje të politikës së tyre, që tash sa kohë e zhvillojnë ndaj Kosovës”, ka vlerësuar Jakshiq.

Nga ana tjetër, Ines Shashkor ka thënë se Serbia është e frenuar nga çështja e Kosovës.

“Sa më parë që këtë ta kuptojë edhe Beogradi, do të jetë më mirë për rajonin dhe Serbinë”, ka thënë Shashkor dhe ka shtuar se shumica e atyre që merren me politikë në Zagreb, do të dëshironin të shihnin Boris Tadiqin në inaugurimin e Josipoviqit.

Por, Boshko Jakshiq është i mendimit se Tadiq nuk do të shkojë në Zagreb.

Në vend të kësaj, do të kërkohet rasti i parë që të organizohet një takim i presidentit të ri të Kroacisë dhe presidentit të Serbisë, në një moment më të përshtatshëm që nuk do të ketë barrë çështjen e Kosovës”, ka konkluduar Boshko Jakshiq. (M.K.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG