Ndërlidhjet

Pritjet nga strategjia për veriun


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Strategjia për shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në veri mirëpritet nga partitë opozitare shqiptare, por kritikohet nga serbët e veriut. Beogradi zyrtar, ndërkaq, thotë se nuk do të lejojë shuarjen e strukturave paralele serbe.







Përpjekjet e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës për kthimin e autoritetit të Prishtinës në veri, përmes strategjisë për veriun, janë mirëpritur nga partitë opozitare në Kosovë. Por, ideja është kundërshtuar nga Beogradi dhe politikanët serbë të veriut.

Strategjia parasheh vendosjen e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës, e cila vazhdon të jetë e kontrolluar nga strukturat paralele, të financuara nga Beogradi zyrtar.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, vlerësoi faktin që “për herë të parë ICO-ja konstaton se duhet një strategji për veriun, në mënyrë që të sigurohet integriteti territorial i Kosovës dhe integrimi i serbëve”.

Por, Shala vuri në pah pengesat që mund të dalin në zbatimin e kësaj strategjie.

“Kam edhe disa shqetësime, të cilat kanë të bëjnë, para së gjithash, me mënyrën se si do të reagojë Serbia ndaj një strategjie të tillë, sepse shihet se Beogradit pengon çdo nismë, e cila ka për qëllim që ta integrojë veriun e Kosovës në Kosovë”, tha Shala.

Dhe, reagimi i Beogradit ka qenë i shpejtë. Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se Serbia nuk guxon të lejojë që të zbatohet plani i EULEX-it për shuarjen e strukturave paralele.

“As serbët dhe as shteti i Serbisë nuk guxojnë të lejojnë që institucionet e tilla të zhduken nga hapësira e Kosovës. Serbët kanë të drejtë për organizimin e tyre politik”, u shpreh Bogdanoviq.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, i cili e mirëpret nismën e ICO-së dhe Qeverisë, tha se, po qe se ekziston vullnet i mekanizmave ndërkombëtarë e vendorë për zbatimin e strategjisë, do të tejkalohen edhe pengesat që dalin nga Beogradi.

“Nëse ka gatishmëri, ka vullnet për të vepruar, atëherë besojmë se, shumë shpejt, ato struktura që veprojnë tashmë në ato pjesë të Kosovës, do t’i takonin së kaluarës”, theksoi Makolli.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, duke folur për strategjinë për veriun, ka thënë se ajo është “bazuar në faktin se ICO-ja nuk i njeh strukturat paralele, por vetëm institucionet e Kosovës në veri dhe se me këtë plan synohet të vendoset rendi dhe ligji në veri”.

Por, kreu i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq, tha se serbët e kësaj ane nuk do të pranojnë integrimin e kësaj pjese të Kosovës, e as respektimin e ligjeve kosovare.

“Serbët kanë të drejtë të jetojnë në shtetin e tyre, serbët kanë mbetur në Kosovë vetëm duke iu falënderuar institucioneve të tyre të shtetit serb, janë mjekuar në institucionet e tyre, kanë dërguar fëmijët në shkollat e tyre, kanë pasur përfaqësues në pushtetin lokal”.

“Këtë të drejtë, askush nuk mund t’ua marrë serbëve dhe çdo përpjekje për imponimin e ndonjë zgjidhjeje tjetër, do të çojë në destabilizim të gjerë dhe kjo do të nënkuptonte edhe spastrim etnik të serbëve nga Kosova”
, tha Millan Ivanoviq.

Këmbëngulës për vazhdimin e jetës së strukturave paralele është edhe Goran Bogdanoviq, i cili tha se këta mekanizma janë shpresa e vetme që serbët të mbijetojnë dhe të forcohen ekonomikisht.

“Përvoja na ka treguar se në dhjetë vjetët e fundit, bashkësia ndërkombëtare dhe autoritetet shqiptare shumë pak kanë investuar në mjediset serbe, ku jetojnë serbët. Vetëm Beogradi ka investuar dhe kuptohet përmes këtyre institucioneve”, tha Bogdanoviq.

Për Blerim Shalën, kjo rezistencë e serbëve të veriut, sikurse edhe e Beogradit zyrtar, është e pritshme. Por, ai nuk i sheh pengesat vetëm nga serbët, por edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Shala tha se dyshon në unitetin e BE-së për zbatimin e kësaj strategjie, që vjen si pasojë e mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të këtij unioni. Po ashtu, Shala tha se përveç adresimit politik të këtij problemi, duhet marrë parasysh edhe masat shtesë të sigurisë.

“Prandaj, shpresoj se ky dokument do të sinkronizohet apo do të ketë një bashkëveprim midis ICO-së, EULEX-it, KFOR-it, ashtu që të arrihet sukses në zbatimin e tij, sepse, mbi të gjitha, një dokument është valid, është i qëndrueshëm po qe se zbatohet në terren”, tha Shala.

Mediat vendore të informimit kanë publikuar detaje të strategjisë, e cila thuhet se qartëson dy plane themelore të BE-së për veriun - vendosjen e serbëve të veriut nën juridiksionin e Qeverisë së Kosovës, si dhe zëvendësimin e rolit të UNMIK-ut pa rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas këtij dokumenti, janë disa pika bazë, mbi të cilat do të veprojë Qeveria në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë: krijimi i komunës veriore të Mitrovicës përmes zgjedhjeve që do të mbaheshin kah mesi i këtij viti, organizimi i zgjedhjeve lokale në tri komunat tjera veriore të Kosovës, margjinalizimi i strukturave paralele dhe mbyllja e zyrës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, si dhe forcimi i pranisë së EULEX-it në pjesën veriore.

Ndryshe, Beogradi zyrtar vazhdon financimin e strukturave paralele serbe në Kosovë. Ai edhe këtë vit ka ndarë mbi 40 milionë euro për këto struktura, ndërsa ka emëruar edhe gjykatës për gjykatat paralele serbe, gjë që ka nxitur reagimin e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.
XS
SM
MD
LG