Ndërlidhjet

KQZ-ja ende pa vendim për Gjilanin


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ende nuk kanë marrë një vendim të prerë për ecurinë e procesit zgjedhor në Gjilan. Ata kanë deklaruar se janë në konsultime të vazhdueshme mes vete dhe se shpejt pritet të merret një vendim.





Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, as të premten nuk ka marrë ndonjë vendim, sa i takon çështjes së procesit zgjedhor në Gjilan.

Kryetarja Nesrin Lushta, ka thënë se anëtarët e KQZ-së ende janë duke u konsultuar, sa i takon mundësisë së marrjes së një vendimi.

“Sa i përket çështjes së Gjilanit, ne, anëtarët e KQZ-së po mbajmë konsultime mes vete, po e shikojmë ligjin, në mënyrë që sa më shpejt që të jetë e mundshme, të marrim një vendim. Gjegjësisht, që të merret vendimi nga ai organ, i cili është kompetent”.

“Ju e dini se vendime, konkretisht jo për çështjen e Gjilanit, por në përgjithësi, merr gjykata, merr KKZ-ja (Komisioni Komunal Zgjedhor), merr KZAP-i ( Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa), të gjithë ata, mirëpo ne jemi duke u konsultuar mes vete
”, ka deklaruar Lushta.

Lushta, pas mbledhjes të së premtes, ku është diskutuar për emërimin e anëtarëve të rinj për Komisionet e vendvotimeve në procesin zgjedhor për Prizrenin e Lipjanin, nuk ka përjashtuar mundësinë që një vendim për Gjilanin të merret edhe nga ana e gjykatës.

“Nuk përjashtohet mundësia. Çështja e Gjilanit nuk është e ndërlidhur me çështjen e Prizrenit dhe të Lipjanit, andaj edhe do të vendoset ndaras dhe nuk ka lidhje as me kohë
”, ka theksuar Lushta.

Kryetarja e KQZ-së, ka thënë se diskutimet për çështjen e Gjilanit nuk do të zgjasin shumë, derisa ka shtuar se vendimi do të merret në bazë të ligjit.

“Ne duhet të shikojmë vetëm ligjin dhe të marrim vendime ligjore. Nuk besoj që do të zgjasë shumë, për arsye se tashmë kanë kaluar disa ditë”, ka thënë Lushta.

Edhe njëri nga anëtarët e KQZ-së, Blerim Burjani, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pohuar se po vazhdojnë konsultat për një rrugëdalje nga situata e krijuar për procesin e Gjilanit.

Sipas tij, janë duke u shqyrtuar mundësitë për të dalë nga kjo gjendje.

“Po ka edhe shumë konsulta që bëhen jo vetëm në KQZ, por edhe me institucione të tjera dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë, për të ardhur deri te një zgjidhje, që është e pranueshme për momentin dhe na zhbllokon prej gjendjes aktuale, në të cilën gjendemi tash për tash
”, ka shpjeguar Burjani.

Megjithatë, Burjani ka deklaruar se në fuqi mbetet vendimi i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Vendimi i KZAP-it mbetet në fuqi. Ai është evident dhe i vetmi vendim i ligjshëm për momentin që është në fuqi, është vendimi i KZAP-it, që është një institucion i ndarë prej nesh, i cili merret me ankesa dhe hetim”.

“Normalisht, që ata kanë një vendim të nxjerrë kaherë, kështu që ne kemi dështuar për momentin, të kemi rezultat përfundimtar. Dhe, nuk është pranuar rezultati përfundimtar i QNR-së (Qendra e Numërimit dhe Rezultateve)”
, është shprehur Burjani.

Pas rinumërimit të votave nga QNR-ja, ka dalë se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa, ka fituar 51.48 për qind të votave, ndërsa kundër-kandidati i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, 48.52 për qind të votave, rezultate këto që nuk kanë marrë miratimin e KQZ-së.

Por, sipas Burjanit për të pasur një rivotim në Gjilan, kërkohet një pajtim i përgjithshëm mes anëtarëve të KQZ-së.

“Kërkohet sërish një pajtim i përgjithshëm në KQZ që të mund të ecet para, apo për të shkuar Gjilani në rivotim. Baza ligjore është e ndarë dhe është e qartë se çfarë bën KZAP-i dhe çfarë bëjmë ne”.

“Por, megjithatë është detyrë, obligim i Komisionit Qendror Zgjedhor, sipas ligjit, të organizojë zgjedhje, andaj edhe rreth këtij procesi me siguri që do të kërkohet qëndrim prej KQZ-së”
, ka thënë Burjani.
XS
SM
MD
LG