Ndërlidhjet

Strategjia për veriun, në fazën finale


Mitrovica

Mitrovica

Qeveria ka thënë se është në fazën finale të strategjisë për veriun, e cila synon vendosjen e ligjshmërisë në këtë pjesë të Kosovës. Si pjesë e kësaj strategjie, është edhe krijimi i komunës së Mitrovicës veriore. Por, zgjedhjet për këtë komunë, nuk janë shpallur ende.






Strategjia për kthimin e ligjshmërisë në veriun e vendit, sipas qeverisë, e cila bashkë me ICO-në, po e harton atë, është në fazën finale.

Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e së shtunës të Qeverisë, i ka shpjeguar kabinetit të tij detajet e strategjisë, përmes së cilës synohet shuarja e strukturave paralele serbe.

“Strategjia që është punuar, jep rekomandime dhe orientime për katër fushat kryesore: së pari fuqizimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës; reformimin e pushtetit lokal, apo decentralizimin dhe themelimin e komunës së Mitrovicës së veriut; adresimin e qeverisjes vendore në tri komuna në veri, si dhe përmirësimin e situatës sociale dhe ekonomike”.

“Këto rekomandime kanë për qëllim krijimin e një gjendjeje afatmesme, në të cilën sundimi i ligjit është i fuqizuar dukshëm dhe është implementues në tërë territorin e Republikës së Kosovës”,
ka thënë Thaçi.

Me strategjinë për veriun parashihet edhe krijimi i komunës së Mitrovicës Veriore. Në të vërtetë, për Mitrovicën Veriore dhe Parteshin, qe paraparë që zgjedhjet të mbahen 6 muaj pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, përkatësisht më 16 maj.

Sipas Ligjit për qeverisje lokale, zgjedhjet duhet të shpallen më së paku katër muaj para datës së mbajtjes së tyre.

Kjo nënkupton që të shtunën, presidenti do të duhej të shpallte zgjedhjet për Mitrovicën. Por, zyrtarë të Presidencës kanë thënë se java e ardhshme mund ta sqarojë situatën.

Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq, nuk ka saktësuar kohën se kur do të mbahen zgjedhjet në veriun e Mitrovicës, i cili është jashtë kontrollit të pushtetit kosovar.

“Ne do ta respektojmë agjendën, të cilën jemi duke e diskutuar dhe do të ketë drejtime të drejta në kohën e duhur dhe mundësi më të mira të mundshme kur të krijohen”
, ka deklaruar Thaçi.

Por, përgatitje për zgjedhje në veri është duke bërë edhe Serbia, zyrtarë të së cilës kanë kundërshtuar ashpër strategjinë e ICO-së dhe Qeverisë së Kosovës për kthimin e autoritetit të Prishtinës në veri.

Një zyrtar i të ashtuquajturit Organ i përkohshëm për komunën e Mitrovicës veriore ka thënë se zgjedhjet serbe do të mbahen më së largu në qershor.

Tashmë, ka shpjeguar Zoran Bratiq, disa subjekte politike serbe në veri, kanë nisur fushatën elektorale.

“Sipas Ligjit për qeverisje lokale, parashihet që zgjedhjet të shpallen në afat prej dy muajsh, që do të thotë nga 4 janari deri më 4 mars”.

“Kryesia e Kuvendit të Serbisë duhet të shpallë zgjedhjet lokale për komunën e Mitrovicës veriore për të formuar qeverinë në nivel lokal”
, ka thënë Bratiq.

Zgjedhjet lokale në Mitrovicën veriore dhe në Partesh nuk u mbajtën më 15 nëntor, për shkak se Zyra Civile Ndërkombëtare pati vlerësuar se nuk kishte kushte për mbajtjen e tyre.

Ndërkohë, Endi Mekgafi nga kjo Zyrë, ka thënë se intervistimi i kandidatëve për ekipet përgatitore për krijimin e komunës së Mitrovicës, ka përfunduar këtë javë.

Por, ai nuk është shprehur të jetë i sigurt nëse kjo nënkupton se kësaj here janë arritur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve.

“S’kam informacione mbi shpalljen e zgjedhjeve, por nga pikëpamja e ICO-së, një nga brengat tona është arritja e kushteve për zgjedhjet në komunën e re të Mitrovicës veriore”.

“Koha e shpalljes së zgjedhjeve do të caktohet nga institucionet e Kosovës, ndërsa ICO-ja do të bëjë vlerësimin nëse janë arritur këto kushte
”, ka theksuar Mekgafi.

Politikanët serbë të veriut kanë hedhur poshtë mundësinë e organizimit të zgjedhjeve në pjesën veriore të Mitrovicës, ashtu siç kanë kundërshtuar strategjinë e Qeverisë dhe ICO-së për kthimin e ligjshmërisë në veriun e Kosovës.

Në veri vazhdojnë funksionimin strukturat paralele serbe të financuara nga Beogradi zyrtar, duke sfiduar kështu Kushtetutën e Kosovës.

Kreu i ekzekutivit u ka bërë thirrje sërish serbëve të Kosovës që ta respektojnë ligjshmërinë në vend, ndërsa ka çmuar lart veprimet e kryetarit të ri të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, i cili një ditë më parë kishte dëbuar nëpunësit e administratës paralele serbe nga ndërtesa e komunës së Shtërpcës.

Nikoliq është zgjedhur kryetar i Shtërpcës, komunë kjo me shumicë serbe, në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.
XS
SM
MD
LG