Ndërlidhjet

Kosovë: Vazhdojnë përpjekjet për kthim


Foto arkiv
Foto arkiv

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiq, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se prioritet i ministrisë që udhëheq ai, në 2010-ën do të jetë krijimi i kushteve për kthimin e të zhvendosurve dhe për qëndrimin e atyre që nuk e kanë lëshuar Kosovën. Të zhvendosurit dhe të kthyerit presin mbështetje më të madhe.





Shumë serbë të zhvendosur, të cilët kthehen në Kosovë, presin që autoritetet përgjegjëse t’iu sigurojnë kulm mbi kokë e pajisje kryesore shtëpiake. Por, ata më shumë i brengos çështja nëse do të gjejnë punë.

Nebojsha Stankoviq pasi kishte ndërruar shumë qendra private në Serbi, vitin e kaluar është kthyer në Klobukar, fshat ky në komunën e Novobërdës.

“Unë kam jetuar (në një sallë) në Vranjë. Këtu kam fituar një shtëpi prej 55 metrash katrorë. Tani do të ishte mirë të na japin makina që të punojmë ndonjë gjë, tokë, bagëti.
..”, thotë Stankoviq.

Shumë serbë jetojnë vetëm disa kilometra larg shtëpive të tyre, që i kanë braktisur në vitin 1999.

Zllatko Stankoviq ka lënë qytetin e tij, Prizrenin, dhe së bashku me 200 serbë të tjerë të zhvendosur, qe dhjetë vjet jeton në ish-motelin “Lahor”, në Brezovicë.

“Unë nuk planifikoj të largohem prej këtu. Për mua është mirë. Punoj në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, kam një rrogë solide. Unë punoj, nuk mund të ankohem, por ndjej keqardhje për ata që s’punojnë”
, shprehet Stankoviq.

Zyrtarë komunalë, të angazhuar për kthimin e të zhvendosurve, thonë se nuk ka përparim në këtë proces në mjediset siç është Prizreni.

Spasa Andrijeviq nga Zyra për Komunitete në këtë komunë, thotë se përveç ndërtimit të 15 shtëpive në fshatin “Sërbica e ulët”, nuk është bërë asgjë tjetër vitin e kaluar.

Nga 10 mijë serbë, sa jetonin deri në qershor të ‘99-ës në Prizren, kanë mbetur rreth 190, ndërsa në qytet vetëm 18.

“Nuk mund të jemi të kënaqur. Ne po bëjmë çdo gjë që është nën juridiksionin tonë. Por, me vite të tëra nuk është rritur numri dhe kjo do të thotë që po bëhet pak dhe se nuk ka të interesuar për t’u kthyer”
, thotë Andrijeviq.

Sidoqoftë, Ministria për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës zotohet se në 2010-ën do të punojë në stabilizimin e komunitetit, gjë që nënkupton përkrahje, si për të zhvendosurit e brendshëm, ashtu edhe për të kthyerit.

Ministri Sasha Rashiq sqaron se plani i kthimit në vitin 2010 do të jetë më efikas, më i shpejtë dhe më cilësor.

“Në përputhje me buxhetin tonë, parashikojmë të implementojmë projekte të caktuara dhe t’i përkrahim njerëzit që të kthehen në shtëpitë e tyre”.

“Natyrisht, do të vazhdojmë të punojmë në stabilizimin e komunitetit që nuk e ka lëshuar kurrë Kosovën. Deri më tash kemi pasur situata kur kthenim njerëz në Kosovë dhe njëkohësisht kishte njerëz që e braktisnin Kosovën, sidomos kishte të rinj që largoheshin në kërkim të një jete më të mirë”.

“Të zhvendosurit që jetojnë jashtë Kosovës do të kenë hapësirë dhe mundësi për t’u kthyer. Qeveria e Kosovës dhe ministria jonë do të bëjnë çdo gjë për të siguruar kushte për kthimin”
, thotë ministri Rashiq.

Buxheti i kësaj ministrie kap shumën prej 7.5 milionë eurosh. Rashiq pohon se do të vazhdojë bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare, e para së gjithash me Qeverinë e Britanisë.

Ndërsa, me Komisionin Evropian do të bëhet projekti për riintegrimin e të kthyerve në katër komuna.

Në Kosovë, deri më tash, janë kthyer rreth 19.000 persona. Në Ministrinë për Kthim thonë se po punojnë për t’iu siguruar atyre qëndrimin.

Por, siç shprehet Rashiq, papunësia është problem i madh kudo në Kosovë.

“Do të përkushtohemi që përmes projekteve për zhvillim, stabilizim dhe forcim të komuniteteve, të përpiqemi të sigurojmë ekzistencën e tyre pas kthimit”
, thotë Rashiq.
XS
SM
MD
LG