Ndërlidhjet

logo-print

Kush është pjesë e strategjisë për veriun?


Mitrovica

Mitrovica

Autoritetet kosovare thonë se suksesi i strategjisë për veriun e Kosovës, qëndron në përfshirjen e të gjithë faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Deri tash vetëm ICO-ja dhe Qeveria thonë hapur se janë pjesë e strategjisë.


Kthimi i kontrollit në veri, përmes strategjisë së ICO-së e Qeverisë, sipas autoriteteve kosovare do të ketë sukses, nëse përfshihen të gjithë faktorët vendorë e ndërkombëtarë.

Por, pjesë të strategjisë, që synon vendosjen e sundimit të ligjit në veri, e rrjedhimisht zbehjen e strukturave paralele serbe, pranojnë se janë vetëm qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), e jo edhe EULEX-i dhe KFOR-i.

“Parimisht është një projekt i përbashkët mes ICO-së dhe Qeverisë së Kosovës. Siç e dimë, ka faktorë tjerë që punojnë në Kosovë, por kjo është një strategji e përbashkët e ICO-së dhe e Qeverisë
”, thotë zëdhënësi i ICO-s, Endi Mekgafi, duke u përpjekur që të mos përfshijë dy institucionet që janë përgjegjëse për njërën nga pikat kryesore të strategjisë - vendosjen e sundimit të ligjit në veri.

“EULEX-i dhe KFOR-i kanë mandatin e tyre, kanë programet e tyre dhe programet e tyre përfshijnë veprimet në tërë territorin e Kosovës. Nisma e qeverisë dhe ICO-s është çështje jona, e dy institucioneve tona, ndërsa organizatat tjera do të vazhdojnë me programet e tyre të punës”
, thekson Mekgafi.

Beogradi zyrtar kontrollon veriun tash e dhjetë vjet, përmes strukturave paralele, për të cilat edhe sivjet ka ndarë mbi 40 milionë euro.

Sipas analistëve politikë, për t’u zbatuar strategjia për kthimin e ligjshmërisë në veri, është e domosdoshme përfshirja e KFOR-it dhe e EULEX-it.
Analisti Driton Lajçi thotë se mendon që edhe KFOR-i e EULEX-i janë të përfshirë në strategji, por, sipas tij, ekziston një marrëveshje e heshtur që për këtë të mos flitet hapur.

“Sepse problemi është jashtë territorit të Kosovës. Ka vende të BE-së që nuk e njohin pavarësinë, ka vende brenda NATO-s që e pranojnë rezolutën 12 44, që e duan ende rolin e UNMIK-ut”.

“Është një kompleks çështjesh që e detyrojnë KFOR-in ta ketë këtë rol, që të ndihmojë sigurinë e Kosovës, por duke balancuar, duke ruajtur raportet mes shteteve, që u takojnë forcave të KFOR-it e të NATO-s”
, shprehet Lajçi.

Zyrtarë për informim në KFOR nuk e komentojnë strategjinë, e cila u publikua në javën që po lëmë pas, pasi, siç thonë, ende nuk e kanë marrë dokumentin zyrtar.

“Ende nuk ka ndonjë plan zyrtar që ne ta shohim. Është diskutuar në media, por KFOR-i nuk ka marrë ndonjë plan zyrtar nga institucionet ndërkombëtare në Kosovë”.

“Është e parakohshme që të jepet ndonjë deklaratë për këtë. Ne do të deklaroheshim vetëm për diçka që e marrim zyrtarisht nga institucionet”
, thotë zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Boh.

Driton Lajçi thotë se e sheh si të patjetërsueshëm rolin e KFOR-it, në kthimin e kontrollit në veri, pasi, sipas tij, tensionet e vazhdueshme atje, e bëjnë situatën të paparashikueshme.

“Roli i KFOR-it është esencial. Pa përfshirjen e KFOR-it, nuk besoj se do të zbatohet strategjia, sepse në momentin që e kalon Urën e Ibrit, përballesh me një situatë krejtësisht ndryshe dhe është vetëm KFOR-i ai që tash për tash mund të shtrijë autoritetin në tërë territorin e Kosovës”,
thekson Lajçi.

Ndryshe, ditë më parë, autoritetet e Aleancës Veri-atlantike shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me funksionimin e strukturave paralele në Kosovë, duke u zotuar të reagojnë, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë vendin.

Vetë komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Fixherald, ka thënë se strukturat paralele paraqesin kërcënim për situatën e brendshme në vend.

Edhe institucionet tjera ndërkombëtare, ICO dhe EULEX-i ditët e fundit janë shprehur kundër strukturave paralele, duke i quajtur ato të papranueshme.

Kjo bashkërenditje e qëndrimeve, për Driton Lajcin, sinjalizon se situata në veri, mbase më në fund do të merret më seriozisht.

“Kësaj radhe duket se situata është më serioze dhe strategjia është më e vendosur që të realizohen, meqenëse edhe faktorët ndërkombëtarë, siç ishte vizita e fundit e admiralit Fixherald, i cili tha se institucionet paralele, sistemet e dyfishta juridike e politike krijojnë probleme dhe janë shkaktarë të i kërcënimit të sigurisë në Kosovë
”, thotë Lajçi.

Një tjetër fakt, që sipas Lajçit, mund ta bëjë strategjinë e zbatueshme, është partneriteti, që qeveria dhe institucionet tjera kanë lidhur me një pjesë të komunitetit serb, të cilët morën pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhe tashmë janë pjesë e institucioneve kosovare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG