Ndërlidhjet

Ekspertët ligjorë në Prishtinë kritikojnë institucionet e Kosovës për vonesat në miratimin e një varg ligjesh që rregullojnë punën e institucioneve për sundim të ligjit në vend. Ata thonë se në aspektin afatgjatë, sundimi i ligjit në Kosovë do të vështirësohet, po qe se ka zvarritje të mëtejme në avancimin dhe zbatimin e ligjeve të tilla.





Ekspertët për çështje të drejtësisë në Kosovë thonë se moskezistimi i ligjeve, siç i quajnë ata, esenciale për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, është pasojë e mungesës së vullnetit politik të institucioneve përgjegjëse.

Ata theksojnë se institucionet shtetërore të Kosovës duhet të përshpejtojnë në miratimin e Ligjit për Gjykata, Ligjit për Këshillin Gjyqësor e atë Prokurorial, Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe të tjerë, përmes të cilëve mundësohet forcimi i mekanizmave për sundimin e ligjit.

Eksperti Ismet Salihu thotë se mendon që mungesa e këtyre ligjeve po vë në pikëpyetje disa procese në zhvillim në fushën e sundimit të ligjit.

“Ka filluar emërimi i gjyqtarëve. Së pari duhet të bëhet në Gjykatën Supreme, pastaj në gjykatat e qarqeve dhe të tjera. Mirëpo, nuk dihet se çfarë gjykata do të jenë”.

“Është dashur paraprakisht, para se të fillojë emërimi, të nxirret Ligji për Gjykatat dhe në bazë të ligjit, pastaj të emërohen edhe gjyqtarët
”, shprehet Salihu.

Nga mbi 100 ligje, të cilat deri më tani janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, vetëm pesë prej tyre i referohen drejtpërdrejt funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë.

Pra, ekziston tashmë Ligji mbi Gjykatën Kushtetuese, Ligji mbi Institutin Gjyqësor të Kosovës; Ligji për Kompetencat, përzgjedhjen e lëndëve dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë; Ligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Penal të Kosovës; dhe Ligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Ndërsa, vazhdojnë të mungojnë ligjet që rregullojnë punën e gjykatave, të këshillave gjyqësorë e prokurorialë dhe të tjerë.

Salihu kritikon legjislativin kosovar për vonesat në nxjerrjen e këtyre ligjeve.

“Nxjerrja e këtyre ligjeve është diskutuar dhe është shtruar si nevojë emergjente për përgatitje edhe para dy apo tri viteve. Këtu është bërë një vonesë e madhe”
, thotë Salihu, duke theksuar edhe domosdoshmërinë e miratimit të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë.

Për shkak të mungesës së këtij ligji, Kosova disa herë ka qenë në qendër të kritikave të organizatave vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Pajazit Nushi, vlerëson se mungesa e një ligji të tillë në Kosovë zbeh gatishmërinë e dëshmitarëve potencialë për krime të natyrave të ndryshme për të bashkëpunuar me institucionet e sundimit të ligjit.

Nushi shpjegon problematikën që është krijuar për shkak të mungesës së këtij ligji:

“Janë dëshmitarë të sferave të ndryshme, dëshmitarë të korrupsionit, dëshmitarë të vjedhjeve të ndryshme, dëshmitarë të ekzagjerimeve të ndryshme seksuale dhe të bartjes së qenieve njerëzore dhe të tjera”.

“Prandaj, mungesa e vullnetit politik dhe mungesa e qartësisë e mban të aktualizuar gjithmonë nevojën e miratimit të një ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë
”, thekson Nushi.

Edhe pse Qeveria e Kosovës e ka shpallur sundimin e ligjit si një ndër prioritetet për vitin 2010, në dyert e institucioneve për sundimin e ligjit vazhdojnë të trokasin kritika, si nga ekspertët vendorë, ashtu dhe nga diplomatët ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG