Ndërlidhjet

Atentatori lirohet, misteri mbetet


Në vitin 1983, derisa atentatori Mehmet Ali Ahxha vuante dënimin me 19 vjet burg në Itali, Papa Gjon Pali e vizitoi atë dhe e fali.
Në vitin 1983, derisa atentatori Mehmet Ali Ahxha vuante dënimin me 19 vjet burg në Itali, Papa Gjon Pali e vizitoi atë dhe e fali.

Mehmet Ali Ahxha, tash 52 vjeç, i cili e plagosi seriozisht Papa Gjon Palin e Dytë në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, rreth 30 vjet më parë, u lirua nga burgu. Ahxha thuhej se ishte militant që kishte lidhje me organizatën e djathtë ekstreme Ujqit Gri të Turqisë, por asnjëherë nuk u zbulua motivi i qartë për sulmin ndaj Papës.



Ishte 13 maji i vitit 1981. Ora ishte pesë pasdite. Vendi ishte Sheshi i Shën Pjetrit në Romë.

Papa Gjon Pali II, me origjinë polake, ishte shfaqur në shesh mbi një xhip të zbuluar. Makina u ndal në mesin e turmës dhe Papa ngriti në duar një vogëlushe.

Në çastin kur ia ktheu prindërve të saj, nga turma u shfaq një dorë që mbante pistoletën automatike Brauning.

U dëgjuan të shtënat dhe Papa u përmbys anash në xhip, me dy plumba në zorrë dhe me plagë në dorën e majtë dhe krahun e djathtë.

Kështu e përshkroi këtë çast Piter Xhenings, lexues i lajmeve nga rrjeti televiziv amerikan ABC.

“Papritmas, të shtëna u dëgjuan nga turma. Sipas dëshmitarëve okularë, Papa mbeti i ngirë për një çast dhe pastaj ra përmbys në ulësen e tij”, njoftoi ABC.

Kjo ishte vepër e turkut Mehmet Ali Ahxha, asokohe një 23-vjeçar, i përzier me organizatat e djathta ekstreme dhe me një histori krimesh të dhunshme përkundër moshës së re.

Ai nuk mundi të shkrepë më shumë plumba nga një murgeshë, e cila ia kapi dorën dhe menjëherë personeli i sigurisë e dërgoi në paraburgim, meqë nuk mundi të arratiset për shkak të turmës së madhe.

Pra, atentatori dihej, por motivi ishte i paqartë dhe ende mbetet i tillë, pas gjithë këtyre viteve.

Në gjykimin e tij në Itali, Ahxha tha se kishte vepruar nën urdhrin e atasheut ushtarak të Bullgarisë në Romë, Zilo Vasilev.

Kështu, ai drejtpërdrejt e implikoi botën komuniste në atentatin ndaj pontifikatit polak, i cili ishte simbol i lirisë dhe rezistencës ndaj marksizmit në gjithë Evropën lindore, sidomos në sytë e bashkëkombësve polakë.

Në Poloni, sindikata “Solidariteti” e Leh Valesës ishte themeluar vetëm tetë muaj para atentatit ndaj Papës dhe historia tregon se Moska kishte të drejtë të frikësohet nga prania e një pape polak në Romë, sepse “Solidariteti” dhe Gjon Pali u bënë pyka që e shkundën komunizmin në Evropë.

Por, lidhjet e Ahxhas me shërbimin sekret bullgar, ose me KGB-në sovjetike, asnjëherë nuk u dëshmuan.

Dolën edhe teori të tjera, siç ishte ajo se Perëndimi kishte urdhëruar vrasjen e Papës që pastaj të akuzojë Moskën.

Por, sot Ahxha është i lirë dhe ka premtuar t’u tregojë gazetarëve më shumë javën e ardhshme. Avokati i tij, Gokaj Gyltekin, i tha agjencisë Reuters se nuk duhet të ketë frikë nga lirimi i tij.

“Ai e vuajti dënimin. Nuk ka problem me sistemin gjyqësor. Ai ishte në burg 19 vjet e 11 muaj në Itali për atentatin ndaj Papës dhe 10 vjet në Turqi për ngjarjet e këtushme. Tash ai është i lirë. Nuk ka logjikë që të shfaqet ndonjë reagim ndaj lirimit të tij”, tha Gyltekin.

Çfarë do që Mehmet Ali Ahxha eventualisht të pretendojë rreth rastit misterioz, i cili ndodhi 30 vjet më parë, ai me siguri që do të nxisë më shumë pyetje sesa që do të japë përgjigje. (V.P.)
XS
SM
MD
LG