Ndërlidhjet

Konfuzion mbi zgjedhjet për Mitrovicën


Mitrovicë
Mitrovicë

Autoritetet thonë se zgjedhjet për Mitrovicën veriore do të shpallen duke respektuar afatet ligjore. Por, afati i përcaktuar nga strategjia për veriun, 16 janari, tashmë ka kaluar; politikanët serbë të veriut thonë se do t’i kundërvihen kësaj strategjie.




Një nga hapat që parasheh strategjia për veriun, e hartuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, është themelimi i komunës së Mitrovicës Veriore dhe mbajtja e zgjedhjeve atje më 16 maj.

Afati i shpalljes së zgjedhjeve nga ana e presidentit, që përcaktohet në këtë strategji, ka kaluar të shtunën, më 16 janar. Sidoqoftë, zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, tha se shpallja e zgjedhjeve do të bëhet brenda afateve ligjore.

“Presidenti, në koordinim me institucionet tjera të Kosovës, me Qeverinë dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal, do t’i shpallë zgjedhjet, gjithmonë duke pasur parasysh dhe duke u mbështetur në afatet ligjore. Gjithsesi do të respektohen ligjet në fuqi dhe afatet”, tha Beqiri, pa saktësuar datën se kur do të shpallen zgjedhjet.

Politikanët serbë të veriut kanë paralajmëruar se do të përdorin, siç kanë thënë, të gjitha mjetet demokratike për të penguar zbatimin e strategjisë, që qëllim ka shuarjen e strukturave paralele serbe dhe kthimin e autoritetit të Prishtinës.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun, Millan Ivanoviq, në një konferencë për gazetarë, i bëri të ditura metodat që do t’i përdorin për t’iu kundërvënë strategjisë së re.

“Me të gjitha mjetet legale do t’i kundërvihemi kësaj, me të gjitha metodat demokratike, me të gjitha metodat e rezistencës qytetare dhe padëgjueshmërisë qytetare. Do t’i bëjmë thirrje popullit tonë që të mos marrë pjesë në këto zgjedhje të shqiptarëve. Fakt është se në zgjedhjet e kaluara shqiptare, këtu në veri asnjë serb nuk ka marrë pjesë”, tha Ivanoviq.

Në anën tjetër, në Ministrinë e Pushtetit Lokal nuk parapëlqejnë të japin datën për zgjedhjet për komunën e re të Mitrovicës veriore, themelimi i së cilës parashihet edhe me Pakon e Ahtisarit.

Zyra Civile Ndërkombëtare pati thënë, kohë më parë, se zgjedhjet për Mitrovicën veriore dhe vendbanimin tjetër me shumicë serbe, Parteshin, do të mbahen 6 muaj pas atyre të 15 nëntorit, pra më 16 maj.

Por, zëvendësministri Shpend Tërdeva tha se e tëra varet nga suksesi që do kenë ekipet përgatitore për themelimin e komunës.

“Nuk jemi të interesuar që të ngutemi, të ndërtojmë një sistem që nuk është i qëndrueshëm. Në rastin konkret do t’i kemi vlerësimet dhe vlerësimi i parë duhet të dalë nga ekipi përgatitor në terren, që do të shkojë në Mitrovicë”.

“Nga këtu do të ndërhyjë edhe Zyra e presidentit, që ka të vetmin autoritet për shpalljen e zgjedhjeve“,
tha Tërdeva.

Strategjia për veriun, për të cilën kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se është në fazën finale, parasheh mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në tri komunat veriore, në të cilat zgjedhjet u bojkotuan nga shumica serbe.

Por, planet e veprimit, që janë në letër, nuk dihet se kur do të nisin së zbatuari në praktikë. Institucionet ende nuk kanë marrë vendim për tri komunat veriore, të cilat me një përqindje tejet të vogël të votave u fituan nga kandidatët shqiptarë.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Shpend Tërdeva, tha se këto tri komuna nuk do të mbesin jashtë procesit.

“Është një proces, i cili do të jetë shumë i matshëm, politikisht i vlerësueshëm nga të gjithë faktorët politikë relevantë në Kosovë. Prandaj, nuk janë të përjashtuara as tri komunat tjera nga ky proces”, u shpreh Tërdeva.

Ndryshe, përgatitje për zgjedhje në veri është duke bërë edhe Serbia, zyrtarë të së cilës kanë kundërshtuar ashpër strategjinë e ICO-së dhe Qeverisë së Kosovës për kthimin e autoritetit të Prishtinës në veri.

Sipas drejtuesve të strukturave paralele në këtë pjesë të Kosovës, zgjedhjet serbe për Mitrovicën veriore do të mbahen më së largu në qershor. Për këtë tashmë disa subjekte politike serbe edhe kanë filluar fushatën elektorale.

Në anën tjetër, Zyra Civile Ndërkombëtare dhe EULEX-i kanë përsëritur, javën e kaluar, se nuk i njohin strukturat paralele serbe, duke i cilësuar ato si të papranueshme.
XS
SM
MD
LG