Ndërlidhjet

Politika, pengesë e këmbimeve tregtare


Këmbimet tregtare të Kosovës me disa nga vendet e rajonit, nga përfaqësues të institucioneve vlerësohen si të mira. Por, ekspertë për çështje ekonomike thonë se bashkëpunimi ekonomik nuk është në nivelin e duhur.



Bashkëpunimi ekonomik i Kosovës me vende të ndryshme të rajonit nuk është në nivelin e duhur, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Eksperti Ibrahim Rexhepi pohon se bashkëpunimi ekonomik zhvillohet vetëm në një drejtim, në atë të importit dhe jo në forma të tjera të avancuara.

Sa i përket importit, Kosova është një ndër vendet më të hapura dhe në bashkëpunim më të mirë me rajonin. Mirëpo, nuk ka ndonjë formë tjetër të bashkëpunimit, qoftë në kuptimin e investimeve të përbashkëta, apo të ardhjes së kapitalit nga vendet e rajonit”.

“Te këmbimet tregtare, vendin e parë, si zakonisht, e ka Maqedonia; Serbia kur është te importet, ndërsa Kosova nuk ka ofertë, nuk ka prodhim, cilësi, por ka edhe barriera të ndryshme sa i përket eksportit të prodhimeve të veta”
, thotë Rexhepi.

Edhe Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se shkëmbimet tregtare të Kosovës me vendet e rajonit mbeten shumë të ulëta.

Sipas tij, Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve nga Serbia dhe Maqedonia. Ndërkaq, raportet ekonomike me Shqipërinë, thotë Sadiku, vazhdojnë të mbesin të paavancuara.

“Këtu, në veçanti, do të theksoja nivelin e bashkëpunimit të Kosovës me Shqipërinë. Importet që vijnë nga Shqipëria arrijnë deri në 6 për qind në gjithsejtë importet që realizon Kosova. Kjo vërtet është shumë e pamjaftueshme për të demonstruar një bashkëpunim tregtar të Kosovës me Shqipërinë”, shprehet Sadiku.

Sipas tij, situatë e pavolitshme në fushën e këmbimeve tregtare shkaktohet edhe nga mungesa e investimeve të përbashkëta brenda rajonit.

Kemi lëvizje të pamjaftueshme brenda rajonit, sa u përket investimeve të jashtme Këtu kam parasysh pjesëmarrjen tejet të vogël të kompanive të Shqipërisë në procesin e privatizimit në Kosovë”, thotë Sadiku.

Por, Ibrahim Rexhepi konsideron se niveli i ulët i bashkëpunimit ekonomik nuk është pasojë e mungesës së vullnetit të komunitetit të biznesit për të komunikuar mes vete. Sipas tij, ky problem është i natyrës politike.

“Nëse duhet ta emërojmë, unë them se është bashkëpunim i keq. Të marrim rastin e CEFTA-s. Problemi nuk është i disponimit të bizneseve për komunikim mes vete, por është i natyrës politike; rasti i Serbisë dhe i Bosnjës”.

“Nëse i krahasojmë të dhënat e mëhershme, vërehet se Kosova ka pasur një lloj eksporti, aq sa ka pasur mundësi. Tash nuk ka, për shkak të vulave apo formaliteteve politike, të cilat qeveritë e këtyre vendeve i kanë imponuar dhe bizneset i respektojnë”
, thekson Rexhepi.

Pavarësisht këtyre, udhëheqës të Doganave të Kosovës thonë se raportet ekonomike me vendet fqinje janë të mira.

Naim Huruglica, drejtor i këtij institucioni, pohon se produktet nga Serbia dhe Maqedonia vazhdojnë të jenë më të pranishmet në tregun e Kosovës. Ndërkaq, me Shqipërinë, thotë ai, ndonëse niveli i importit nuk është shumë i lartë, bashkëpunimi është shumë i mirë.

“Realisht, me Shqipërinë, bashkëpunimi është një ndër më të mirët në rajon. Por, nuk mund të përjashtoj as Malin e Zi dhe Maqedoninë, më të cilët kemi një bashkëpunim të mirë”.

“Nuk kemi pasur probleme as të tregtarëve tanë për të pasur qasje në këto tregje. Do të thotë, është njohur një përmirësim në këto raporte. Ndërkaq, me Shqipërinë, vërehet një rritje e shkëmbimeve tregtare“,
pohon Huruglica.

Sidoqoftë, ekspertët thonë se Kosova, në këtë segment, nuk mund të presë ndryshime në një periudhë afatshkurtër, pasi, sipas tyre, ajo edhe më tej varet nga importi.
XS
SM
MD
LG