Ndërlidhjet

logo-print

Kompania amerikano-turke “Bechtel&Enka” është shpallur ofertuesi më i mirë për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Prishtinë - Merdare. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.




Oferta e kompanisë amerikano-turke “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Prishtinë - Merdare është shpallur më e mira nga Komiteti Ndërministror për ndërtimin e autostradës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e këtij komiteti për të filluar negociatat me kompaninë, e cila ka ofruar që me vlerën 7.5 deri në 8 milionë euro për kilometër ta ndërtojë autostradën, që parashihet të jetë rreth 103 kilometra e gjatë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha:

“Qeveria e Kosovës aprovon ofertën alternative të trasesë së autostradës Vërmicë - Prishtinë - Merdare. Qeveria e Kosovës miraton fillimin e negociatave me kompaninë e parë ranguese ‘Bechtel&Enka’ për nënshkrimin e kontratës”,
tha Thaçi.

Autoritetet kosovare gjithashtu kanë bërë të ditur se autostrada Vermicë- Prishtinë - Merdare do të jetë autostradë hyrje – dalje, në gjerësi prej 28 metrash, ku do të jenë katër shirita qarkullues me nga 3.75 metra, dy shirita për ngadalësim me nga 3 metra dhe brezi i gjelbër në mes me gjerësi deri në 4 metra.

Ministri i Transportit dhe Post-telekomunikacionit, Fatmir Limaj, theksoi se autostrada, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë do të ndërtohet brenda 36 muajve që nga nisja e punimeve.

Ministri Limaj nuk dha ndonjë detaj se kur pritet të nënshkruhet kontrata me këtë kompani, porse u shpreh i bindur se punimet mund të fillojnë brenda pak javësh.

Ndërsa, sa u përket ndryshimeve, të cilat kompania amerikano-turke “Bechtel&Enka” ka propozuar, ministri Limaj sqaroi:

“Do të ketë një ndryshim të trasesë nga udhëkryqi i autostradës E 6 E 7 deri në kyçje E 9 me gjatësi prej 11. 6 kilometrash. Sipas propozimit të kompanisë del se për 36 muaj pritet përfundimi i gjithë autostradës nga Besia në Sllatinë, Orllat - pjesa që është investim i Qeverisë së Kosovës, pastaj nga Orllati deri në Vermicë”.

Oferta e prezantuar nga kompania “Bechtel&Enka” përfshin ndërtimin e dy fazave të segmentit të autostradës. Faza e parë përfshin ndërtimin segmentit A1 plus A2 plus B3 Vermicë – Prizren - Suharekë – Orllat, në gjatësi 60.7 kilometra, e cila pritet të përfundojë brenda 24 muajve që nga dita e fillimit, me një kosto përafërsisht prej 7.5 deri në 8 milionë euro kilometri rrugor.

Ndërsa, faza e dytë përfshin ndërtimin e segmentit Sllatinë - Besi në gjatësi 27 kilometra, me kosto të njëjtë dhe pritet të përfundojë brenda 36 muajve nga nënshkrimi i kontratës.

Kryeministri Thaçi, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka folur edhe për përftimet, të cilat do t’i ketë Kosova që nga fillimi i ndërtimit të autostradës.

“Do të krijohen me mijëra vende të punës. Edhe ekspertët, edhe kompanitë lokale do të kenë mundësi përfitimi dhe mundësi të reja zhvillimi. Shteti i Kosovës do të ketë akses më të lehtë në tregjet ndërkombëtare, por edhe tregjet kosovare në ato botërore”.

“Kosova do të jetë shumë më afër me portet detare. Për Kosovën po krijohet një dalje në det, prandaj ky projekt është në fazën finale për t’u konkretizuar
”, u shpreh kryeministri Thaçi,

Kompanitë tjera konkurruese për projektin e autostradës ishin: “Alpine” nga Austria, kompania “Makyol” nga Turqia, “Pizzaroti” nga Italia, “Porr” nga Austria, “Terna” nga Greqia dhe “Strabag” nga Austria, e cila kishte ofertën e dytë më të mirë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG