Ndërlidhjet

logo-print

FT: “Përse Amerika dhe Kina do të përplasen?”


"Financial Times"

Përplasja e kompanisë “Google” me Kinën ka të bëjë më shumë se sa thjesht me fatin e një kompanie të vetme.

Vendimi i kompanisë për t’u tërhequr nga Kina, nëse qeveria kineze nuk ndryshon politikat mbi censurën, tregon marrëdhëniet gjithmonë e më shumë problematike mes SHBA-ve dhe Kinës.

Rasti i kompanisë “Google” është i rëndësishëm, pasi ai sugjeron se gjykimet, mbi të cilat është ngritur politika amerikane ndaj Kinës, që nga masakra e Tianmenit në vitin 1989 e këtej, janë të gabuara.

Amerika e ka mirëpritur daljen e Kinës si një gjigant ekonomik duke besuar se hapja ekonomike do të çonte drejt liberalizimit politik të këtij vendi.

Nëse ky gjykim ndryshon, atëherë mund të ndryshojë dhe politika amerikane ndaj Kinës. Është tjetër gjë të mirëpresësh ngritjen ekonomike të një vendi që po shndërrohet në demokraci liberale dhe tjetër gjë është rritja ekonomike e një shteti leninist njëpartiak.

Të dy ish-presidentët amerikanë, Bush e Klinton, kanë pasur bindjen e thellë se tregtia, e në veçanti koha e internetit dhe informacionit, do t’i bënin të parezistueshme ndryshimet politike në Kinë.

Këtë e theksoi presidenti Klinton gjatë një vizite në Pekin, në vitin 1998, kur tha se, “në kohën e teknologjisë dhe informacionit, kur suksesi ekonomik bazohet tek idetë, liritë individuale janë thelbësore për madhështinë e çdo kombi”.

Të njëjtën ide theksoi një vit më pas dhe presidenti Bush.

Por, deri tani faktet nuk e miratojnë një teori të tillë. Kina ka vazhduar të censurojë mediat, por nuk ka parë ndonjë rënie ekonomike.

Përkundrazi, sot ajo është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe eksportuesi numër një në plan global.

Nga ana tjetër, qeveria kineze vetëm sa po bëhet më shtypëse. Vendimi i kompanisë “Google” për t’u përballur me qeverinë kineze, është shenjë se amerikanët janë të lodhur me marrëdhëniet me regjimin autoritar kinez.

Edhe nëse administrata amerikane nuk do të bëjë hapa përpara në këtë drejtim, zërat që kërkojnë politika më të ashpra ndaj Kinës do të bëhen më të fortë në Kongres.

Vendimi i “Google” për të folur publikisht mbi sulmet në internet të Kinës, do të luajë një rol në rritjen e drojës amerikane nga Kina në çështjet e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë thuajse naive në lidhjet mes tregut të lirë dhe demokracisë. Kinezët kanë qenë provokativë lidhur me çështjet e monedhës dhe të drejtave të njeriut.

Nëse ata duan të mënjanojnë një përplasje të dëmshme me Amerikën, ndryshimi i politikës është i këshillueshëm. (I.B)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG