Ndërlidhjet

A mund të rritet kostoja e autostradës?


Ekspertët e ndërtimtarisë vlerësojnë se vlera prej 7.5 deri në 8 milionë euro për kilometër, për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Prishtinë - Merdare, mund të jetë e arsyeshme, nëse në të është përfshirë edhe ndërtimi i të gjitha objekteve përcjellëse. Megjithatë, disa prej tyre kanë dilema për procesin dhe janë skeptikë në lidhje me skemën financiare për ndërtimin e kësaj autostrade.


Ekspertë të ndërtimtarisë në Kosovë japin mendime të ndryshme për koston e ndërtimit të autostradës.

Ata thonë se çmimi prej 7.5 deri në 8 milionë euro për kilometër, mund të jetë i arsyeshëm nëse kompania “Bechtel & Enka” nuk do t’i ngritë çmimet gjatë realizimit të projektit.

Eksperti i ndërtimtarisë, Ferid Fazliu, dyshon se oferta e kompanisë, e cila është përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës, si oferta më serioze, do të mbetet kjo që është tash.

“Si çmim, mund të jetë i arsyeshëm, se ky ka qenë tenderi dhe ekipi e ka vlerësuar dhe ka bërë përzgjedhjen. Por, kjo kompani ka punuar në Shqipëri e në Rumani dhe çmimet i ka rritur pasi që e ka fituar projektin”
, thotë Fazliu.

Në garën për ndërtimin e kësaj autostrade ka qenë edhe kompania “Strabag”, nga Austria, por Komiteti Ndërministror, i mbështetur edhe në vlerësimin e kompanisë kosulente, ka parashikuar se “Bechtel-Enka” është më serioze në ofertën teknike dhe financiare.

Në anën tjetër, eksperti i ndërtimtarisë Selman Buçolli, thotë se mendon që çmimi për ndërtimin e autostradës mund të jetë i arsyeshëm, nëse në të është përfshirë edhe ndërtimi i të gjitha objekteve përcjellëse.

“Terreni ku do të ndërtohet autostrada, është mjaft i përshtatshëm. Sidomos traseja Merdare- Vërmicë. Çmimet e rrugëve janë të arsyeshme, nëse janë përfshirë të gjitha ndërtimet e objekteve përcjellëse të rrugës”
.

“Objektet përcjellëse janë urat, të cilat bartin një sasi mjaft të madhe të çmimeve, po ashtu kanalet e ndryshme, nënkalimet, mbikalimet dhe lidhjet me rrugët tjera”
, thekson Buçolli.

Megjithatë, lidhur me skemën financiare, autoritetet kosovare nuk kanë dhënë ende detaje tjera. Ata deklarojnë se do të negociojnë me kompaninë “Bechtel & Enka” lidhur me këto çështje.

Ndërkohë, sa i përket asaj sa a mund të realizohet ky projekt brenda 36 muajve, ashtu siç kanë deklaruar krerët e institucioneve të Kosovës, ekspertët e ndërtimtarisë vlerësojnë se ky afat është i mjaftueshëm.

Për këtë, eksperti i ndërtimtarisë, Buçolli, shpjegon më shumë detaje.

“Afati për ndërtimin e kësaj rruge është mjaft optimal dhe realisht mund të ndërtohet, nëse kryesi i punëve përkushtohet me të gjitha mekanizmat dhe mjetet”.


“Po ashtu, gjatë realizimit të projektit, varet nga investitori se a mund t’i kryejë obligimet, siç është shpronësimi, zgjidhja e objekteve përcjellëse etj”
, sqaron Buçolli.

Ndërtimin e kësaj autostrade ekspertët e ndërtimtarisë e konsiderojnë projektin më të madh dhe më të rëndësishmin për shtetin e Kosovës, që, sipas tyre, e lidhë Kosovën me korridoret evropiane.

Inxhinieri i diplomuar i ndërtimtarisë, Ferid Fazliu thekson:

“Tani, pas ndërtimit të autostradës së Shqipërisë, autostrada e Kosovës do të jetë shumë e leverdishme. Kosova ekonomikisht do të zhvillohet pasi që ka qarkullim dhe besojmë që edhe Banka Botërore do ta ndihmojë Kosovën në këtë projekt”.


Autostrada Vërmicë – Prishtinë - Merdare do të jetë hyrje-dalje e sistemit të mbyllur, me gjerësi 28 metra, ku do të jenë katër shirita qarkullues me nga 3.75 metra; dy shirita për ngadalësim me nga 3 metra; si dhe brezi i gjelbër në mes, me gjerësi prej 4 metrash.
XS
SM
MD
LG