Ndërlidhjet

Në Prishtinë, ka filluar konferenca ndërkombëtare dy ditore për investitorë potencialë për termocentralin “Kosova e Re”, në të cilën, sipas autoriteteve kosovare, po marrin pjesë mbi 50 kompani ndërkombëtare dhe vendore.





Autoritetet kosovare i kanë ftuar investitorët ndërkombëtarë që të investojnë në termocentralin “Kosova e Re”, pasi, sipas tyre, Kosova është ambient i qetë dhe i sigurt për investitorët e jashtëm.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka siguruar investitorët se i tërë procesi do të jetë i qartë, transparentë, legal dhe i hapur.

“Qëllimi ynë është që t’i furnizojmë plotësisht, me sasinë dhe cilësinë e duhur, konsumatorët dhe ekonominë e Kosovës me energji elektrike. Ne do t’i ofrojmë investitorit privat që ai të prodhojë edhe për eksport”.

“Dhe, në kohë të duhur, do të marrim qëndrime dhe vendime të përshtatshme, gjithnjë në konsultim me investitorin fitues për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’"
, ka thënë Thaçi.

Edhe Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, ka theksuar se është bërë shumë punë gjatë dy viteve të kaluara, për të plotësuar dhe përshtatur sa më mirë kuadrin ligjor dhe garantues të investimeve të nevojshme, për zhvillimin e suksesshëm të projektit “Kosova e Re”.

“Së fundi kemi bërë një pako të rikonfiguruar të projektit, si nga përmbajtja, ashtu edhe nga madhësia. Ky projekt me kapacitetet e veta prej 1,100 megavat, mbështet këtë objektiv deri në vitin 2030, duke kombinuar kapacitetet e reja me kapacitete të rehabilituara”
, ka pohuar Pula-Shiroka

Ndryshe, këtë konferencë e kanë mbështetur edhe institucionet financiare ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Ranjit Nayak, nga Banka Botërore, ka thënë se komponenta kryesore e këtij institucioni është që të rrisë prodhimin e energjisë elektrike, të rrisë efikasitetin dhe të sigurojë financim të qëndrueshëm në sektorin energjetik.

“Ne, bashkë me MIGA-n, Agjencinë Multilaterale Garantuese të Investimeve, ofrojmë garanci të pjesshme të rrezikut për ofertuesit e suksesshëm për termocentralin e ri”.

“Gjithashtu, mund të ofrojmë edhe garantimin e rrezikut politik për të siguruar komunitetin investues”
, ka thënë Nayak, duke theksuar se këto garanci pritet që të minojnë perceptimet e mëdha për rrezikun e investitorëve.

Ndërkaq, sipas Patricia Rader, nga USAID-i, suksesi i këtij projekti është i lidhur ngushtë me suksesin e privatizimit të rrjetit të distribuimit të energjisë.

“Është me rëndësi të thuhet se përveç burimeve natyrore, Kosova ka një mjedis të qëndrueshëm makroekonomik, me sistem bankar stabil, përdor euron, ka ligjin për investimet e jashtme, që u jep investitorëve trajtim të barabartë, tatime më të ulëta dhe regjim fleksibil doganor
”, është shprehur Rader.

Ndërkaq, Renzo Davidi, nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, ka theksuar se si nënshkruese e Traktatit për energji, Kosova është e përkushtuar në tri gjëra kryesore: që të ketë furnizim të sigurt, të përmirësojë gjendjen mjedisore dhe të zhvillojë konkurrencën e tregut.

“Në vitin 2017, nënshkruesit janë të obliguar që të përmbushin standarde të caktuara të mjedisit - pengimi i ndotjes së ambientit, kontrollimi i emetimit të gazrave dhe menaxhimi i mbetjeve nga termocentralet e vjetra”,
ka shpjeguar David, duke shtuar se për këtë arsye Komisioni Evropian e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për mbylljen e termocentralit “Kosova-A” , më 2014, ose 2015.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka pohuar se Kosova ka ambient dhe politika favorizuese për investitorët e huaj.

“Një mesazh i vetëm, që duhet të dalë nga konferenca e sotme, është se dëshirojmë të kemi një mjedis që mundëson sukses afatgjatë për investitorët potencialë”.


“Dhe, për ju miq të nderuar, të tregojmë se Kosova është e hapur për biznes dhe është e gatshme që të pranojë kompani të mëdha, siç jeni ju, që të investojnë në Kosovë dhe në të ardhmen e saj”
, ka pohuar Shala, duke theksuar se energjia është sektori më i rëndësishëm dhe më strategjik për Kosovën.

Ndryshe, realizimi i këtij projekti pritet të fillojë në vitin 2011, ndërkaq vlera e tij, sipas autoriteteve, pritet të jetë ndërmjet 700 milionë dhe 1 miliard euro.

Termocentrali parashihet t’i ketë fillimisht 500 megavate, me mundësinë e shtimit edhe të 500 megavateve të tjera.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG