Ndërlidhjet

SHBA: Demokratët pësojnë humbje të madhe


Uashington
Uashington


Humbja e një ulëseje në Senat për shtetin veriperëndimor të Masaçusetsit, është goditje e dyfishtë për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama.

Kjo e privon Partinë Demokratike nga 60 ulëset, të nevojshme për t’i shmangur pengesat e republikanëve që t’i bllokojnë planet e tij. Prej sot, Obama duhet të mbështetet në negociatat dhe kompromisin për t’i kaluar ligjet, por për këtë ka pak vullnet në Senat.

Kjo është, gjithashtu, goditje e rëndë psikologjike për presidentin dhe partinë e tij, sepse e humbën atë që deri tash ishte ulëse e sigurtë e demokratëve. Ky vend për afro 50 vjet ishte i zënë nga senatori i ndjerë, Eduard Kenedi, i cili vdiq vitin e kaluar, dhe më parë nga i vëllai, Xhon Kenedi, i cili u bë president i Shteteve të Bashkuara.

Në një video të postuar javën e kaluar në faqen e tij në internet, Obama theksoi rëndësinë e mbajtjes së kësaj ulëseje.

Në Uashington, unë luftoj për t’i frenuar abuzimet në industrinë, e cila vazhdimisht e mohon kujdesin shëndetësor. Luftoj për reformën financiare që ta ndal Uall Stritin të mos bëjë kërdi me ekonominë tonë".

"Po luftoj që të krijoj një ekonomi të re, energji të pastër. Është e qartë se epilogu i kësaj dhe betejave tjera fle mbi një votë për Senatin e Shteteve të Bashkuara. Prandaj, ajo që do të ndodhë të martën në Masaçusets është shumë e rëndësishme
”, tha presidenti Obama.

Por, apeli i tij hasi në veshë të shurdhër dhe votuesit në Masaçusets e shfrynë zemërimin e tyre për vështirësitë e vazhdueshme ekonomike të vendit dhe shkallën e lartë dyshifrore të papunësisë. Kandidati demokrat, prokurorja e shtetit, Marta Koaklei, fitoi 47 për qind të votave krahasuar me 52 për qind sa mori Braun.

Republikani Braun është kritik i paepur i reformave shëndetësore, me të cilat Obama synon t’u ofrojë siguri shëndetësore rreth 36 milionë amerikanëve, të cilët aktualisht janë të pasiguruar.

Një gjë është e qartë, shumë e qartë ndërsa po udhëtoj në këtë shtet. Njerëzit nuk duan plan miliarda dollarësh për kujdesin shëndetësor, i cili po u imponohet me forcë amerikanëve”, tha Braun gjatë një tubimi parazgjedhor në Boston.

Por, përkujdesja shëndetësore nuk është e vetmja nismë e madhe e Obamës që është vënë në rrezik. Këtu, pos tjerash, janë edhe reformat për rregullimin financiar. Tash demokratët do ta kenë më të vështirë t’i kalojnë në Senat propozimet e tyre për shtrëngimin e mbikëqyrjes së bankave dhe tregut të kapitalit.

Demokratët tash duhet të përqendrohen te zgjedhjet e ardhshme për Kongresin, që mbahen në nëntor. Ato duhet të vendosin nëse do të mbahen më fort rreth programit të gjerë reformator të presidentit Barak Obama, ose të tregohen më të moderuar para disponimit të elektoratit.

Saktësisht një vit më parë, në 20 janar, Obama hyri në Shtëpinë e Bardhë mbi valën e një euforie me premtime për ta përtrirë dhe riforcuar vendin. Në vend të kësaj, Kongresi mund të përballet me udhë pa krye, që nënkupton se administrata mund të paralizohet nga paaftësia e vet për ta miratuar programin legjislativ të saj. (V.P.)
XS
SM
MD
LG