Ndërlidhjet

logo-print

Korrupsioni në sistemin e drejtësisë


Fotografi i ilustruese

Fotografi i ilustruese

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër-korrupsion thonë se niveli më i lartë i korrupsionit mbetet në sistemin e drejtësisë. Një gjë e tillë thuhet edhe në publikimin e bërë nga Qendra për Avokim dhe Këshilla Ligjore.






Përfaqësues të Agjencisë Kosovare Kundër-korrupsion dhe të organizatave të tjera vendore, deklarojnë se niveli më i lartë i korrupsionit në Kosovë është në sistemin e drejtësisë.

Drejtori i Agjencisë Kundër-korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se gjatë vitit 2009, numri i informatave që është pranuar në institucionin e tyre, në krahasim me vitet e kaluara, është shumë më i madh.

“Mund të them me përgjegjësi të plotë se numri i informacioneve që është pranuar në agjenci, në vitin 2009, është në përqindje më i madh se ai që është pranuar në vitin e kaluar, por dhe rastet e denoncuara në prokuroritë kompetente janë më të shumta”.

“Ndryshim esencial është që, tani në vitin 2009, nuk i kemi proceduar informacionet vetëm në prokuroritë vendore, por i kemi proceduar disa informacione edhe në prokurorinë e EULEX-it”
, thotë Preteni.

Preteni thekson se disa nga informacionet, të cilat janë dorëzuar në organet e drejtësisë, janë refuzuar për faktin se ato kanë qenë pikërisht për korrupsion në vetë ato institucione.

“Prokuroritë na kanë refuzuar, kur rastet i përkisnin mu Gjyqësorit. Ne i kemi trajtuar e ritrajtuar prapë ato informacione dhe kemi vlerësuar që bazat, elementet dhe provat janë të mjaftueshme, i kemi riaktivizuar duke i dërguar te prokuroria e EULEX-it”,
deklaron Preteni.

Ndryshe, në një raport vjetor të rasteve më të korruptuara për vitin 2009, i cili është publikuar të mërkurën, nga Qendra për Avokim dhe Këshilla Ligjore, në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës , tregon se në Kosovë sektori me nivelin më të lartë të korrupsionit është Gjyqësori.

Merita Mustafa, menaxhere në programin për transparencë dhe anti-korrupsion shpjegon:

“Gjatë vitit 2009, kemi marrë gjithsej 103 raste, të cilat tregojnë se institucionet më të prekura nga korrupsioni në Kosovë janë: gjyqësia, edukimi, sektori privat, të drejtat pronësore, prokurimi publik dhe fusha e inspeksioneve/licencave
”.

Në raport thuhet se pas sektorit të Gjyqësorit, me përqindjen prej 19 për qind të rasteve të raportuara, vjen sistemi i edukimit me 12 për qind, sektori privat me 11 për qind, prokurimi publik me 8 për qind etj.

Mustafa, gjithashtu thekson se raporti tregon edhe mënyrën se si paraqitet korrupsioni në Kosovë

“Sa i përket mekanizmave se si zhvillohet në këto institucione, në përgjithësi, praktikat më të përhapura janë mitoja, sidomos në prokurimin publik, familjarizimi, manipulimi i konkurseve për pranim në punë dhe largimet arbitrare nga puna”.

“Ndërsa, gjyqësia vazhdon të mbetet sektori më i korruptuar dhe ndër praktikat në këtë sektor, janë lidhjet familjare dhe ndikimi nga jashtë
”, shprehet Mustafa.

Ndryshe, raporti konstaton gjendje të rëndë të përhapjes së korrupsionit në Kosovë dhe u bën thirrje institucioneve të kosovare për luftimin e kësaj dukurie.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG