Ndërlidhjet

logo-print

Fati i koalicionit - muajin e ardhshëm


Ndërtesa e Qeverisë

Ndërtesa e Qeverisë

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Astrit Haraçija, thotë se fati i vazhdimit, apo jo, të koalicionit aktual qeverisës do të përcaktohet pas bisedimeve ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, nga mesi i muajit të ardhshëm. Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se koalicioni është stabil, por ka një pajtueshmëri për nevojën e disa ndryshimeve dhe reformave në Qeveri.


Lidhja Demokratike e Kosovës pret që çështja e reformave në Qeverinë e Kosovës të trajtohet nga mesi i muajit të ardhshëm.

Në të kundërtën, zyrtarë të kësaj partie besojnë se jo vetëm koalicioni aktual, por edhe vetë LDK-ja do të shkojë kah një krizë e re politike.

Astrit Haraçija, anëtar i Kryesisë së LDK-së, thotë se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duhet të ulen dhe të rishqyrtojnë gjithë marrëveshjen e koalicionit dhe jo vetëm ndërrimin e ministrave të caktuar.

Sipas Haraçisë, praktika e deritashme e këtij koalicioni, ka treguar se LDK-ja vetëm i ka bartur pasojat, kurse PDK-ja ka vendosur për të gjitha çështjet.

Madje, një dallim i madh ndërmjet partnerëve, sipas tij, vërehet edhe te ndarjet buxhetore, ku LDK-ja, nënvizon Haraçija, merr më pak buxhet sesa ministritë që drejtohen nga komunitetet pakicë.

“Tash unë mendoj se duhet të ulemi dhe ta përcaktojmë çdo detaj, të dihet kush çka bën. Nuk mund të jemi ne përgjegjës, por jo vendimmarrës. Sot ne përgjegjësinë po e marrim karshi elektoratit, kurse vendimet i sjell PDK-ja”
, thotë Haraçija.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se është në përgjegjësi të kryeministrit Hashim Thaçi të vendosë për kohën dhe formatin e ndryshimeve në Qeveri, të cilat më pas ai do t’i diskutojë me partnerët e koalicionit.

Krasniqi thotë se ndryshimet përfshijnë rifreskime dhe rritje kapacitetesh në ekzekutivin aktual.

“Kjo nënkupton një rifreskim, rritje të kapaciteteve të përgjithshme të Qeverisë së Kosovës, prurje të reja për ta fuqizuar efektshmërinë dhe efikasitetin e Qeverisë edhe më shumë dhe gjithçka do të jetë në funksion të fuqizimit të qeverisjes në Kosovë”
, thotë Memli Krasniqi.

Ai thotë se koalicioni po funksionon, por nevojiten disa freskime, në mënyrë që të shtohen kapacitetet dhe efikasiteti në punë.

Për këto freskime dhe ndryshime, sipas Krasniqit, ka një pajtueshmëri ndërmjet partnerëve në koalicion, PDK-së dhe LDK-së.

“Unë besoj se koalicioni ka treguar efikasitet dhe qëndrueshmëri gjatë gjithë kohës dhe ekziston një pajtueshmëri për ta fuqizuar edhe më tutje përmes një reformimi dhe një rifreskimi qeverisjen në vend”,
thekson Krasniqi.

Ndërkohë, Astrit Haraçija thotë se vazhdimi i këtij koalicioni mbetet i varur nga rezultatet e bisedimeve që do të pasojnë për reformat në Qeveri.

Sipas zyrtarit të LDK-së, ende nuk është e sigurt nëse ky koalicion do t’u mbijetojë këtyre ndryshimeve. Ai alarmon edhe LDK-në se do të pësojë humbje të mëdha politike nëse nuk fuqizohet roli i saj në Qeveri.

“Nuk jam për të prishur punë, por jam për atë që të ulemi dhe të bëjmë një marrëveshje të sinqertë. Nëse nuk mund ta bëjmë një marrëveshje të tillë, si partnerë koalicioni dhe vazhdojmë tutje, kjo do të ishte fundosje e LDK-së”.

“Mendoj se deri diku kah 15 shkurti duhet të ulemi e të bisedojmë edhe një herë se a duam ta vazhdojmë, a jo. E them, për ne, nëse vazhdojmë kështu si jemi tash, kjo do të ishte fundosje”,
shprehet Haraçija.

Ndryshimet dhe freskimet në Qeverinë e Kosovës tashmë janë pranuar si një domosdoshmëri nga të dyja partitë në koalicion.

Por, ato presin që së pari të përfundojë rrethi i tretë i votimit për kryetarin e Prizrenit dhe Lipjanit, si dhe të përcaktohet çështja e kryetarit të Gjilanit, para se të kalohet në bisedime për nivelin qendror.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG