Ndërlidhjet

Sejdiu: Rugova – ikonë e pavarësisë së Kosovës


Kosova ka përkujtuar katër-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova. Presidenti Sejdiu e ka cilësuar paraardhësin e tij si arkitekt dhe ikonë të pavarësisë së Kosovës. LDK-ja, katër vjet pas vdekjes së Rugovës, është optimiste se ka ardhur koha e rikthimit.



Zyrtarë kosovarë dhe qytetarë, me homazhe të varri dhe me një akademi përkujtimore kanë shënuar katër-vjetorin e ndarjes nga jeta të presidentit Ibrahim Rugova.

Duke e quajtur arkitekt dhe ikonë të pavarësisë së Kosovës, presidenti Fatmri Sejdiu tha se Ibrahim Rugova shënoi kohën e vet në Kosovë.

“Ibrahim Rugova, krijues i një modeli kulturor në Kosovë, u bë fuqishëm figura më e madhe politike e historisë moderne të Kosovës. Identifikimi me të, prandaj, paraqet vlerë! Këtë vlerë ne do ta mbrojmë dhe do ta kultivojmë me përkushtim, me dije dhe me dashuri të paskajshme".

Homazhe te varri i presidentit Rugova, 21 janar 2010.
"Kjo është më e pakta që mund të bëjmë ne të gjithë, për një njeri që e solli koha për t’i prirë Kosovës, për një njeri që në Kosovë bëri epokë, bëri kohën e vet”
, tha Sejdiu.

Me rastin e katër-vjetorit të vdekjes së presidentit Rugova, presidenti Fatmir Sejdiu, dekoroi Vaclav Havelin, ish-presidentin e Republikës Çeke dhe udhëheqësin e lëvizjes reformatore në këtë vend, me Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Ibrahim Rugova, e cila u dha sot për herë të parë.

Në emër të zotit Havel, dekoratën e mori ambasadorja e Republikës Çeke në Prishtinë, Janina Hrebickova, e cila lexoi letrën, të cilën presidenti Havel, në pamundësi të ardhjes personalisht në këtë manifestim, ia kishte shkruar presidentit Sejdiu.

“Është nder për mua që të jem personi i parë që shpërblehet me Medaljen e Artë, e cila e mban emrin e një personaliteti të shquar të historisë së shtetit tuaj të ri. Unë kam qenë shumë i lidhur me dr Ibrahim Rugovën, me lidhje të miqësisë”.


“Ai ishte partner, në të cilin shtetet perëndimore i kishin vënë shpresat e tyre për një bashkëjetesë paqësore dhe zhvillim demokratik për mbarë rajonin. Me siguri që na mungon të gjithë neve”, ka thënë Havel në letrën e tij.

Tutje, Havel ka shkruar se nuk do ta harrojë kurrë vizitën e tij në Kosovë, në kohën kur, siç ka thënë, Kosova kalonte nëpër krizën e një katastrofe humanitare, të shkaktuar nga nacionalizmi postkomunist, i cili vepronte me anë të spastrimit etnik.

“Megjithatë, edhe tani nuk mund të jemi të sigurt që zhvillimet e tilla nuk do të mund të përsëriten, por vërtet besoj se anëtarësimi i ardhshëm i vendeve të Ballkanit në Unionin Evropian, do të ndihmojë në zvogëlimin e atyre konflikteve dhe ndodhive historike deri në atë masë saqë pjesëtarët e gjeneratave të reja do të rriten në paqe dhe respekt për njëri-tjetrin”,
ka thënë Havel në letrën dërguar presidentit Fatmir Sejdiu.

* * * * * * * * * *

Katër vjet pas goditjes që mori nga vdekja e liderit, Lidhja Demokratike e Kosovës është optimiste se tash është koha për rikthim.
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale, përkatësisht fitorja në kryeqytet i bën përfaqësuesit e LDK-së të besojnë janë në rrugë të mbarë për t’u rikthyer si partia e parë në vend.

Vdekja e kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, dhe ndarja në dy parti: në LDK dhe LDD (Lidhja Demokratike e Dardanisë) në Kuvendin e fundit zgjedhor, konsiderohen si dy goditjet e rënda që i mori partia, pasojat e të cilave ende po i vuan.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, rikthimin e LDK-së e sheh edhe në zbatimin e reformave të brendshme të partisë.

“Natyrisht që implementimi i politikave reformuese në LDK është një proces që ka zgjatur dhe i cili detyrimisht do të zbatohet, sepse është një rrugë me një drejtim. Nuk ka kthim mbrapa".

"Natyrisht që presidenti Rugova po i mungon në veçanti politikës shqiptare në Kosovë, shtetit të Kosovës. Por, kështu jeta e ka përcaktuar dhe me një analizë të rezultateve të fundit dhe me politika të qarta rekomanduese, LDK-ja, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, natyrshëm do të kthehet si parti e parë në vend”,
thotë Haziri.

Politikani që iu rikthye LDK-së pas vdekjes së presidentit Rugova, Bujar Bukoshi, beson se fryma rugoviane e partisë është gjallë, por, siç thotë ai, kolosi i fjetur mund të ngrihet vetëm nëse strukturat udhëheqëse të partisë ndërmarrin veprime konkrete.

LDK-ja aktualisht po përgatitet për zgjedhjet e brendshme, që priten të mbahen në këtë vit. Bukoshi thotë se partitë e mëdha e kanë të vështirë dhe të ngadalshëm rikthimin.

“Tani, pas zgjedhjeve lokale, sikur prapë ne u përkujtuam se ajo fryma e LDK-së nuk ka vdekur. Unë kam thënë edhe më herët se LDK-ja është një kolos i fjetur, për të cilin tani duhen veprime të caktuara, që një parti popullore e këtij vendi, që me veprime përkatëse, me hapjen e saj, me prurjen e njerëzve të rinj aty, me një mençuri, të vazhdojë dhe të konsolidohet".

"Partitë e mëdha nuk është lehtë, nuk shkon sikur me shkop magjik, që brenda natës, apo brenda një sezoni elektoral të rikthehet e gjithë ajo, por mendoj se jemi në rrugë të mirë, me predispozitat e duhura që kjo parti të konsolidohet”,
shprehet Bukoshi.

Edhe në zgjedhjet e fundit lokale, sikurse në ato të vitit 2007, LDK-ja u rendit për herë të dytë, në 20 vjetët e ekzistencës së saj, si partia e dytë në vend, duke ia lënë vendin e parë, që e kishte mbajtur për vite të tëra, Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, shpresat për rikthim te zyrtarët e LDK-së i rriti fitorja që në raundin e parë e kandidatit të LDK-së për Prishtinën, Isa Mustafa. Tashmë, Prishtina, sipas fjalëve të Hazirit, është shndërruar në një model se si duhet vepruar.

“Shembulli i mirë është Prishtina në rajon, ku LDK-ja në raport me rivalin e saj, PDK-në, udhëheq me 41 për qind. Dallim historik, dallim që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë, dallim që është tregues i qartë; nëse vendosen profilet politike të qëlluara e që kanë besim, profesionalizëm e seriozitet në punë, LDK-ja e mbërrin rezultatin e vet”, thotë Haziri.

Partinë Demokratike të Kosovës e quajnë rival kryesor, por vazhdojnë të qeverisin bashkë. Në analizat për zgjedhjet e fundit lokale thuhej se ka qenë fjalori i ashpër i disa zyrtarëve të LDK-së kundër partnerit të koalicionit, ai që i garantoi fitoren LDK-së në Prishtinë dhe në komuna të tjera.

Lutfi Haziri thotë se LDK-në me PDK-në e afron vetëm interesi i shtetit.

Por, ka zëra brenda vetë LDK-së që e duan prishjen e koalicionit. Bujar Bukoshi mendon se ky koalicion nuk i bën mirë as vendit e as vetë partisë.

“Koalicioni PDK-LDK nuk ka qenë një koalicion i balancuar dhe mendoj se ky koalicion duhet të rikonsiderohet, sepse ka qenë një disbalanc. LDK, edhe pse ka qenë partner, është partner akoma, është hetuar qartas se kemi të bëjmë me një trajtim të partnerit si raporti me nënën dhe njerkën, d.m.th. nuk ka qenë e balancuar. Kjo nuk është e mirë për vendin”, thotë Bukoshi.

Përplasjet mes partnerëve të koalicionit janë ndjerë gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, ku LDK-ja dhe PDK-ja kanë shkëmbyer akuza dhe kundërakuza. Kulmi është arritur mes natës së 19 dhe 20 nëntorit, kur PDK-ja paralajmëroi prishjen e koalicionit.

Koalicioni vazhdoi jetën, por ende po debatohet për, siç thuhet, rifreskimin e qeverisë, që nënkupton ndërrimin e disa ministrave.
XS
SM
MD
LG