Ndërlidhjet

logo-print

Analistët politikë në Prishtinë vlerësojnë se vonesat e autoriteteve përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor në lidhje me komunën e Gjilanit dëshmojnë ndërhyrjen e politikës në këtë proces dhe do të krijojnë dëme afatgjate në këtë komunë.




Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë u ka rekomanduar autoriteteve kosovare disa ndryshime në procesin zgjedhor.

Raporti i përpiluar nga misioni i ekspertëve të zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian u është dorëzuar institucioneve kosovare pas analizimit të zgjedhjeve të sivjetme lokale.

Raporti i përfaqësuesve të Komisionit të BE-së sugjeron që të thjeshtësohet procesi elektoral në Kosovë edhe duke hequr votimin me kusht, dispozitën në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme për gjobitjen e vëzhguesve zgjedhorë deri në 200 mijë euro dhe duke thjeshtëzuar procesin e ankesave dhe parashtresave.

Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldoun Sino, theksoi se këto ndryshime janë të nevojshme për të shmangur situata, siç është ajo në komunën e Gjilanit.

“Arsyet lidhen me procesin se si është. Përmenda procedurat për ankesa dhe parashtresa. Shohim që ka një komunë, në të cilën, edhe disa muaj pas zgjedhjeve, nuk kemi ndonjë rezultat dhe kjo duhet të ndryshohet”.

“Duhet të ekzistojë një sistem, ku është e qartë se si mund të bëhet ankesa dhe çfarë nivelesh ka - kjo i ngjan sistemit gjyqësor, ku ekziston instanca e parë, e dytë dhe e tretë. Nuk është e qartë se kush është arbitri i fundit që merr vendimet, sepse dikush duhet t’i marrë ato vendime”
, u shpreh Sino.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq, thanë se do t’i marrin parasysh këto sugjerime në lidhje me reformën zgjedhore në Kosovë. Bëhet e ditur se kjo reformë do të përfshijë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, për ta bërë këtë komision, siç thuhet, të pavarur dhe profesional, ku merren vendime në zbatimin e ligjit dhe jo vendime politike.

* * *

Paqartësitë dhe zvarritjet e KQZ-së për marrjen e vendimit dhe qartësimin e hapave të ardhshëm për komunën e Gjilanit duket se po lënë përshtypjen për ndikimin e politikës në procesin vendimmarrës brenda KQZ-së.

Pas deklaratave kundërthënëse të përfaqësuesve të KQZ-së në lidhje me konsultat që ky organ po zhvillon për të gjetur një zgjidhje për procesin e Gjilanit, ende nuk është qartësuar se në cilin nivel po zhvillohen këto konsulta.

Një pjesë e anëtarëve të këtij komisioni madje kishte pohuar se nuk është e përfshirë fare në konsulta të tilla.

Analisti Agron Bajrami shpreh dyshimin se pas mungesës së 2/3 të votave të nevojshme për të miratuar rezultatin final zgjedhor për Gjilanin, ky proces ka kaluar përtej suazave ligjore.

“Zhvillohen konsultime, që do të thotë se bëhen përpjekje që të arrihet një marrëveshje midis palëve të përfshira, por duke anashkaluar legjislacionin, duke anashkaluar rregullat, të cilat përcaktojnë se si duhet të përmbyllen zgjedhjet”.

“Andaj, ato nuk zhvillohen në KQZ, ato zhvillohen nëpër zyrat e qeveritarëve më të lartë të vendit, sigurisht dhe me praninë e faktorit ndërkombëtar”,
thekson Bajrami.

Një pikëpamje tërësisht tjetër e kanë përfaqësuesit e koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që mbikëqyrin procesin zgjedhor në Kosovë.

Ata i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk janë vërejtur ndikimet politike në KQZ nga jashtë, porse tani i takon Gjykatës Supreme dhe eventualisht Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë çështjen e Gjilanit.

Shqyrtimi i kësaj problematike në këto instanca juridike, sipas analistit Bajrami, nuk do ta ndihmojë situatën e krijuar.

Ai vlerëson se çështja e Gjilanit ka rrëshqitur nga duart e KQZ-së, gjë që, siç thotë ai, do të krijojë dëme afatgjate, sikurse në nivelin komunal, ashtu dhe në nivelin qendror.

“Kemi arritur në një vonesë, e cila, sido që të jetë vendimi, në fund do të shkaktojë pakënaqësi dhe do të shkaktojë një dëmtim afatgjatë të situatës në komunën e Gjilanit, por ndoshta më gjerë në nivelin qendror, meqenëse kemi të bëjmë me një problem, i cili lidhet drejtpërdrejt me interesat e dy partive në pushtet - PDK-së dhe LDK-së”, thotë Bajrami.
XS
SM
MD
LG