Ndërlidhjet

logo-print

Dodik nuk heq dorë nga referendumi


Millorad Dodik

Millorad Dodik


Kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, tha se ai do të mbajë referendum për ta rritur autonominë e këtij rajoni, me gjithë kundërshtimin e drejtpërdrejtë nga fraksionet tjera politike dhe bashkësia ndërkombëtare.

“Republika Serbe nuk heq dorë nga referendumi për fatin e saj në Bosnjë”, i tha Dodik të përditshmes së Beogradit, “Danas”.

Ai tha se referendumi nuk është akt i secesionit, por synon t’i japë Republikës Serbe pavarësi më të madhe dhe fuqi të vetos.

Dodik tha se data për referendumin do të caktohet nga fundi i janarit, pasi të miratohet legjislacioni shtesë nga Parlamenti në Banja Llukë.

Presidenti në largim i Kroacisë, Stipe Mesiq, tha të hënën se po të ishte në detyrë kur do të mbahej referendumi, ai do të intervenonte ushtarakisht, duke e dërguar armatën e vendit të tij në kufirin kroato-boshnjak.

Në reagimin ndaj kësaj deklarate të presidentit kroat, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, e akuzoi Mesiqin për “luftënxitje”.

Tadiq tha se deklarata e Mesiqit paraqet “nxitje për luftë dhe kërcënim direkt për stabilitetin e rajonit”, duke shtuar se për këtë çështje do ta njoftojë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Por, kabineti i presidentit kroat, Mesiq, njoftoi se deklarata e tij “duhet të kuptohet si paralajmërim se bota nuk do të duhej t’i mbyllë sytë para politikës së kryeministrit Millorad Dodik dhe efekteve të kësaj politike, ashtu siç i mbylli sytë shumë gjatë para politikës së Sllobodan Millosheviqit, e cila çoi në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë me luftëra të përgjakshme”.

“Mesiq dëshiroi ta thotë qartë se për Kroacinë, shkatërrimi i Bosnjës fqinje do të ishte absolutisht i papranueshëm”, thuhet në komunikatën nga Presidenca kroate. (V.P.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG