Ndërlidhjet

Aksidentet në rritje


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Statistikat zyrtare të Policisë së Kosovës tregojnë se aksidentet me fatalitet vetëm në dy javët e para të muajit janar, kanë shënuar numër alarmant.

Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, thotë se që nga fillimi i këtij viti, numri i të vdekurve në aksidente trafiku është katërmbëdhjetë, ndërkaq rastet e lëndimeve të personave kanë qenë të shumta.

Në bazë të raporteve, vetëm në janar kanë ndodhur 14 aksidente me fatalitet, 223 me lëndime dhe 636 aksidente me dëme materiale”, shpjegon Kamberi.

Eksperti i shkencave të komunikacionit, Arif Krasniqi, thotë se në aksidentet me fatalitet ndikojnë shumë faktorë.

“Shkaktarët që ndikojnë në aksidente të komunikacionit, janë shumë. Por, ne llogarisim që njeriu është përgjegjësi kryesor, duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, si: shpejtësinë, parakalimin...”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, edhe sinjalizimi, i cili mungon në disa nga rrugët e Kosovës, është njëri nga faktorët e numrit të shumtë të aksidenteve.

Ndryshe, edhe togeri Baki Kleani e konsideron alarmant dhe shqetësues numrin e aksidenteve vetëm në dy javët e para të janarit. Ai thotë se Policia e Kosovës, përkatësisht njësia e trafikut ka ngritur masat e sigurisë lidhur me këtë çështje.

“Mund të potencojmë se në vitin 2009 si aktivitet i shtuar ka qenë shqiptimi i tiketave - rreth 170 mijë tiketa për ata që kanë kryer kundërvajtje në trafik”.

“Drejtoria ka pasur edhe plane operacionale, që i ka adresuar me urdhra operativë në të gjitha drejtoritë rajonale, që të ketë një aktivitet më të shtuar sa i përket sigurisë në trafik në përgjithësi”,
thotë Kelani.

Ai po ashtu pohon se zyrtarë të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me departamentin e trafikut, kanë mbajtur ligjërata në shkolla lidhur me sinjalizimet që përfshihen në trafik, në mënyrë që të vetëdijesohen nxënësit në komunikacion.

Sipas Kelanit, nuk kanë munguar as projektet me organizata ndërkombëtare në vend lidhur me vetëdijesimin për trafikun.

“Me OSBE-në ka qenë projekt i përbashkët që të bëhet një vetëdijesim i ngasësve, duke shpërndarë broshura. Në dhjetor të vitit të kaluar ka qenë edhe një projekt, që ka paraparë të gjitha masat që një shofer duhet t’i respektojë në rrugë”, thotë Kelani.

Ndryshe, sipas zyrtarëve, aktivitetet policore nuk janë ndërprerë asnjëherë, por janë faktorët tjerë që ndikojnë në numrin e shumtë të aksidenteve fatkeqësisht fatale.
XS
SM
MD
LG