Ndërlidhjet

logo-print

Projekti “Kosova e Re”, i prolonguar


Termocentrali "Kosova A"

Termocentrali "Kosova A"

Konferenca ndërkombëtare për termocentralin "Kosova e Re", që po mbahet në Prishtinë, sipas ekspertëve të energjetikës dhe ish-projektuesve të planeve të ndërtimit të tij, vlerësohet si një hap pozitiv për nxitjen e investitorëve të huaj për këtë projekt. Megjithatë, ata thonë se i tërë projekti është prolonguar, nuk ka qenë transparent dhe, rrjedhimisht, konferenca nuk ka arritur efektin e duhur.


Prodhimi i energjisë elektrike prej linjitit nga ekspertët e energjetikës, vlerësohet jetik për përmirësimin e gjendjes së rëndë energjetike në Kosovë.

Për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të kenë një vizion të qartë dhe serioz.

Ekspertja e energjetikës, Fllanza Hoxha, thekson se duhet të bëhen përpjekje të vazhdueshme nga ana e Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e investitorëve serioz, pasi që, siç thekson ajo, Kosova ka nevoja jashtëzakonisht të mëdha për kapacitete të reja energjetike.

“Numri i të interesuarve nuk ka qenë ai që është pritur nga Qeveria e Kosovës. Investitorët kanë parë një joseriozitet në këtë investim”.

“Termocentrali i ri, i cili planifikohet të ndërtohet, duhet të ketë transparencë në procedurat e prokurimit në zgjedhjen e investitorëve dhe njëkohësisht investitorët duhet të kenë një qasje pozitive ndaj aspekteve sociale dhe ekonomike”
, shprehet Hoxha.

Konferenca për tërheqjen e investimeve për ndërtimin e termocentralit të ri është organizuar pas vendimit të Qeverisë për modifikimin e këtij projekti, që pasoi tërheqjen e dy kompanive të mëdha nga tenderi për ndërtimin e termocentralit.

Ekspertë të energjetikës thonë se ndryshimet e dokumentacionit të tenderit i kanë luhatur investitorët seriozë.

Ethem Çeku, ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur u hartua projekti për termocentralin “Kosova e Re”, thotë se për dallim nga konferenca e parë e investimeve për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë, e cila kishte tërhequr vëmendjen e emrave më të mëdhenj në fushën e energjetikës në Kosovë, kjo konferencë, sipas tij, nuk ka zgjuar një interesim aq të madh.

“Kjo konferencë nuk ka arritur efektin e caktuar. Po ashtu u dërguan mesazhe më të këqija, pasi që ajo nuk ishte përgatitur në nivelin e duhur”.

“Kanë filluar të bëjnë ndryshime të ligjeve, kanë filluar të bëjnë ndryshimin e strategjisë dhe për investitorët, kur nuk e ke pakon ligjore të përgatitur, ata kanë frikë për investime në Kosovë”
, thotë Çeku.

Vonesat e mëdha që janë duke u bërë rreth këtij projekti, kriza ekonomike globale dhe çështja e problemeve mjedisore, thotë ish-ministri i Energjetikës dhe Minierave, Ethem Çeku, janë duke e sjellë Kosovën në një varësi të madhe energjetike.

Ai thekson se për çdo vit Kosova shpenzon 100 milionë euro për të blerë energji.

“Mungesa e vizonit për shpejtimin e ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese të reja, na frikëson që as në vitin 2011 nuk do të arrijë të fillojë ndërtimi i blloqeve të reja të termocentralit ‘Kosova e Re’ ”.

“Kështu do të mbesim një vend i varur nga kompanitë tregtare për të blerë energji dhe buxheti ynë do të shkojë kryesisht në blerjen e energjisë
”, shprehet Çeku.

Ndërtimi i termocentrali “Kosova e Re”, pritet të fillojë të ndërtohet në vitin 2011. Termocentrali parashihet t’i ketë fillimisht 500 megavat, me mundësi të shtimit edhe të 500 megavateve të tjera.

Kostoja e ndërtimit llogaritet të shkojë deri në një miliard euro, shumë kjo që do të bashkëfinancohet nga Qeveria dhe kompania fituese.

Lidhur me kapacitetin e termocentralit “Kosova e Re”, ekspertja e energjetikës Fllanza Hoxha shprehet:

“Ndërtimi prej 500 megavat është kapacitet shumë i vogël se shumë shpejt vjen viti 2024 kur edhe termocentrali “Kosova B” duhet të mbyllet”.

“Ne jemi shtet pretendent për të qenë në BE (Bashkimit Evropian) dhe do të jemi të detyruar t’i plotësojmë kushtet mjedisore, të cilat na i kushtëzon BE-ja”.

Zyrtarë të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave pohojnë se në këtë konferencë kanë marrë pjesë rreth 50 kompani të huaja.

Investitorët, në ditën e dytë të konferencës, kanë vizituar mihjen e linjitit në Sibovc, termocentralin “Kosova B” si dhe lokacionin ku parashihet të ndërtohet termocentrali “Kosova e Re”.

Në këtë konferencë dy ditore, investitorët janë ftuar të paraqesin ofertat e tyre për fazën e parakualifikimit deri më 29 janar të këtij viti dhe të njoftojnë zyrën e projektit nëse u nevojitet më shumë kohë.

Investitorët potencialë, të cilët do të futen në listën e ngushtë, do të vizitohen nga këshilltarët e Bankës Botërore në muajin mars, për t’i marrë preferencat e tyre, në korrik do të përgatitet paketa tenderuese dhe në shtator do të bëhen vlerësimet si dhe përzgjedhja e fituesve.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG