Ndërlidhjet

Përfaqësuesit politikë kosovarë pajtohen me konstatimet në raportin e fundit të Human Rights Watch, për nevojën e reformave në drejtësi dhe mbrojtjen më të mirë të komuniteteve pakicë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Në reagimet e tyre, zyrtarët në Prishtinë e vlerësojnë raportin korrekt dhe real, që pasqyron gjendjen faktike në Kosovë.


Prishtina zyrtare e vlerëson real dhe neutral raportin e fundit të Human Rights Watch, ku kritikohet pozita e komuniteteve pakicë dhe gjendja në komponentin e drejtësisë në Kosovë.

Reformat në drejtësi kanë ecur ngadalë, thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke e vlerësuar si të qëndrueshëm konstatimin kritik të HRW-së.

Kurse, pozita e komuniteteve, pavarësisht përparimeve, nënvizon Kuçi, sfidohet ende në veri të Kosovës, ku institucionet vendore e ndërkombëtare janë në përpjekje të vendosjes së rendit kushtetues dhe ngritjes së institucioneve legale e legjitime që do të funksionojnë atje, në kuadër të sistemit juridik të Kosovës.

“Mbetet ende për të bërë në pjesën veriore të Kosovës dhe besoj se shembujt e formimit të komunave të reja, të themelimit të komunave me kryetar legjitim, pasi që jo vetëm ne dhe bashkësia ndërkombëtare, por edhe vetë komuniteti serb ka vuajtur që në Kosovë nuk ka pasur përfaqësues të tyre legjitim. Ne do të mundohemi t’i gjejmë ata përfaqësues legjitim dhe do të punojmë me ta”
, deklaron Kuçi.

Për dallim nga Human Rights Watch, ditë më parë, Freedom House pati publikuar një raport në lidhje me lirinë në botë, ku Kosova vlerësohej se ka shënuar përparime pikërisht duke përmirësuar pozitën e komuniteteve pakicë, duke veçuar komunitetin serb.

Por, Human Rights Watch potencon faktin se bashkësitë rome, egjiptiane dhe ashkali janë ato grupime, të cilat mbeten më të pambrojturat në mesin e pakicave në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se raporti tregon gjendjen faktike në Kosovë, pavarësisht disa zhvillimeve pozitive që kanë ndodhur.

“Realisht, gjendja, sa i përket të drejtave të njeriut dhe aspekteve tjera që lidhen me të, vazhdon të jetë e rëndë në Kosovë dhe kjo kryesisht për shkak të mungesës së një qasjeje profesionale dhe me përkushtim për t’i zhvilluar këto aspekte në Kosovë
”, thotë Ramadani.

Se gjendja aktuale me pozitën e pakicave është më e mirë sesa ajo që ishte në të kaluarën, pajtohet edhe njëri nga përfaqësuesit politik të serbëve, Ranxhel Nojkiq.

Por, ai thotë se Kosova ende mbetet larg përmbushjes së standardeve evropiane në këtë fushë.

“Mendoj se pavarësisht faktit se ka përmirësime, krahasuar me gjendjen në vitin 1999 dhe fillimin e vitit 2000, megjithatë institucionet e Kosovës, të cilat e cilësojnë veten si demokratike, nuk i kanë përmbushur kriteret e domosdoshme”
, shprehet Nojkiq.

Një vlerësim tjetër kritik në raportin e Human Rights Watch ka të bëjë me komponentin e drejtësisë, që vazhdon të jetë më i kritikuari në të gjitha raportet dhe vlerësimet që bëhen për Kosovën.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e pranon se reformat në drejtësi po ecin ngadalë.

“Procesi i sistemit të drejtësisë është në një reformë që nuk po shkon ashtu si duhet, por duhet të punojmë më shumë që ta rrisim efikasitetin dhe efektivitetin. Jemi në proces të riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, proces ky që mendoj se duhet të jetë më i shpejtë”.


“Po ashtu, besoj që edhe misioni i EULEX-it do të jetë një ndër ata që do të ndihmojë, jo vetëm në vendosjen e rendit dhe ligjit, por edhe në ngritjen e kapaciteteve tona për rend dhe ligj”, thekson Kuçi.

Në anën tjetër, Burim Ramadani i AAK-së, thotë se edhe Qeveria ka mund t’i ndihmojë reformat në drejtësi, duke e ruajtur pavarësinë dhe duke mos ndërhyrë në çështjet e saj.

“Pavarësisht se Gjyqësori është degë e pavarur në secilin shtet demokratik, Qeveria ka për detyrë që t’i mundësojë atij, duke përfshirë këtu edhe prokurorinë, zhvillim normal, duke i mundësuar fond më të madh, duke i mundësuar numër më të madh të punëtorëve profesionalë, gjyqtarë e prokurorë dhe duke bërë sigurimin e nevojshëm për prokurorët në rastet e veçanta”,
shpjegon Ramadani.

Raporti i Human Rights Watch flet dhe për optimizmin që ka sjellë vendosja e EULEX-it.

Këtij misioni i rekomandohet t’i vendosë përparësitë në mesin e rasteve të mbetura që nga trazirat e vitit 2004 dhe zhvillimit të një strategjie për të trajtuar numrin e madh të rasteve që kanë të bëjnë me krime lufte, të cilat i ka trashëguar që nga UNMIK-u.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG