Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit diskutoi mbi raportin më të ri për Kosovën. Në Kosovë vlerësohet se seancat e KS-së tashmë kanë kaluar më tepër në një rutinë dhe se nuk mund ta ndryshojnë gjendjen politike në terren. Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë thonë se përgatitjet e kosovarëve për këto mbledhje duhet të jenë serioze.




Zyrtarë e analistë kosovarë konsiderojnë se rëndësia që dikur kishin seancat e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, është zbehur dhe këto mbledhje tashmë perceptohen më shumë si rutinore.

Këshilli i Sigurimit diskutoi, mbrëmjen e së premtes, raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun.

Ndërsa Kosova përfaqësohet në seancë në nivel të ministrit të Jashtëm, Serbia dërgon presidentin e saj.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pranon se që nga shpallja e pavarësisë, mbledhjet e Këshillit të Sigurimit nuk përcillen me vëmendjen që kishin më parë.

“Kjo është një e vërtetë në kuptimin e perceptimit të opinionit publik, por çdoherë vendimet dhe mbledhjet që mbahen në Këshillin e Sigurimit, do ta kenë rëndësinë e vet”.

“Dhe, natyrisht që opinioni publik vendor me siguri se mund të fitojë perceptime më të zbehta për zhvillimet e fundit, por rëndësia e politikës dhe e politikanëve për këto mbledhje duhet të jetë gjithmonë e madhe dhe serioze
”, thotë Kuçi.

Në anën tjetër, një nga liderët e serbëve të Kosovës, Dragisha Kërstoviq, thotë se Këshilli i Sigurimit ka rolin e vet në bashkësinë ndërkombëtare, por, sipas tij, assesi nuk do të mund të ndikojë në ndryshimin e gjendjes dhe të realitetit të ri të krijuar në Kosovë.

“Nuk besoj se do të ndodhë diçka në kuptimin e asaj që aktualisht është gjendja politike në Kosovë. Prandaj, nuk pres që diçka mund të ndryshojë dhe që zhvillimet politike mund të marrin kahe tjetër
”, thekson Kërstoviq.

Disa nga politikanët serbë, kryesisht ata në veri, ende insistojnë në respektimin e Rezolutës 12 44 dhe, rrjedhimisht, kthimin e rolit që e kishte para pavarësisë UNMIK-u.

Në të vërtetë, roli i UNMIK-ut është shuar pothuajse fare, ndërsa përfaqësuesit kosovarë mbylljen e misionit e kanë kërkuar edhe në vetë mbledhjet e Këshillit të Sigurimit.

Analisti Behlul Beqaj flet për rolin e administratës në shuarje të OKB-së.

“Konsideroj se prania e UNMIK-ut në Kosovë gjithnjë e më tepër do të ketë funksion simbolik, e gjithnjë e më pak efekte konkrete e praktike, edhe pse për rastet eventuale të kontesteve, të cilat mund të paramendohen veçmas në veriun e Kosovës, mund të merret si mbështetje simbolike nga pala që mendon se duhet të respektohet Rezoluta 12 44
”, vlerëson Beqaj.

Bazë për mbajtjen e seancave për Kosovën në Këshillin e Sigurimit është Rezoluta 12 44, mbi të cilën UNMIK-u ka administruar në Kosovë deri në shpalljen e pavarësisë.

Por, edhe pse mbetet në fuqi, roli i kësaj rezolute është zbehur. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk i shkakton pengesa Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shpjegon:

”Ndryshimi i Rezolutës 12 44 do të hapte rrugë për anëtarësim në OKB. Por, unë jam i bindur se kjo rezolutë është pranuar, se tashmë nuk ekziston në formën çfarë ka qenë, por po ashtu besoj se edhe vendimi do të merret në kohën e duhur”.


“Nuk presim ndonjë ndryshim të shpejtë, por mendoj se zhvillimet, pas mendimit këshillëdhënës në GJND, do të ndikojnë që të jetë një këshillë e mirë, apo orientim i mirë edhe për shtetet e tjera”,
thotë Kuçi.

Beogradi zyrtar kërkon me ngulm respektimin e Rezolutës 12 44. Por, në Kosovë ka politikanë serbë të tillë që thonë se edhe rezoluta, edhe UNMIK-u nuk e kanë fuqinë e dikurshme.

“Tash janë ndryshuar rrethanat politike dhe qëndrimet e serbëve janë tjera”.

“Personalisht, mendoj se, sipas të gjitha gjasave, do të ketë ngushtim dhe zvogëlim të mundësisë së veprimit dhe ndikimit të UNMIK-ut në Kosovë, pasi që autorizimet e tij gjithnjë e më tepër po barten në institucionet, të cilat i ka Brukseli në Kosovë
”, shprehet Dragisha Kërstoviq.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, në raportin e rregullt tremujor, i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të fokusohen në bashkëpunimin rajonal dhe t'i lënë anash shqetësimet mbi statusin e Kosovës.

Zyrtarët kosovarë e vlerësojnë këtë, duke e parë si një thirrje bërë në veçanti Beogradit, meqë, sipas tyre, Prishtina ka qenë gjithnjë bashkëpunuese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG