Ndërlidhjet

logo-print

“Në bazë të dokumenteve që kam pasur në posedim, janë tri të meta evidente në dokumentin ‘Strategjia për veriun e Kosovës’”, tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala.







RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Shala, aktualisht Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës janë në finalizim të një strategjie për veriun. Në bazë të asaj që keni parë deri më tash, sa konsideroni se këto përpjekje do të rezultojnë me integrimin e pjesës veriore dhe të pakicës serbe?

BLERIM SHALA
Para së gjithash, është për t’u përshëndetur që më në fund kemi përpjekje serioze të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës, që ta trajtojnë politikisht çështjen e veriut, e cila ka qenë e injoruar në dy vjetët e kaluar dhe e cila llogaritej se në një mënyrë të çuditshme, vetvetiu, me kalimin e kohës do të zgjidhet.

Tash kemi një trajtim më serioz, kemi një dokument, i cili adreson problemet kryesore në veri në mënyrë të saktë. Kemi artikulimin e qëllimeve politike, që duhet të sendërtohen në veri të Kosovës, që po ashtu është një artikulim i qëndrueshëm.

Por, megjithatë, kam dyshimet e mia se në ç’mënyrë do të zbatohet apo implementohet strategjia për veriun e Kosovës, sepse, në bazë të dokumenteve që kam pasur në posedim, që i kam lexuar, janë tri të meta evidente në dokumentin “Strategjia për veriun e Kosovës”.

E meta e parë është që llogaritet se në një mënyrë apo tjetër Beogradi do të heshtë, nuk do të kundërshtojë, nuk do të krijojë probleme për zbatimin e strategjisë, ndërsa kemi parë, edhe unë, edhe ju, që në ditët e kaluara, zyrtarët e Beogradit kanë thënë në mënyrë kategorike, madje edhe kryetari i Serbisë, Tadiq, ka paralajmëruar që në Këshillin e Sigurimit do ta trajtojë këtë çështje, duke thënë që ka bërë strategji ilegale Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

E meta e dytë e këtij dokumenti është se llogarit për së tepërmi po ashtu në një konsensus të Bashkimit Evropian mbrapa këtij dokumenti. E dimë që pesë shtetet e Bashkimit Evropian e kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

Dhe, e meta e tretë është hartimi i një dokumenti shtesë, i cili është tepër i rëndësishëm, i cili ka të bëjë me sigurimin e ambientit të sigurisë në veri të Kosovës, sepse zakonisht planet e tilla, propozimet e tilla politike kërkojnë një mbështetje të fuqishme të sigurisë.

E kemi parë këtë edhe në Konferencën e Rambujesë, pra e kemi parë edhe para se të bëhet Kosova shtet i pavarur, kur kemi pasur një koordinim shumë të mirë midis KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe Policisë së UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët edhe Beogradin dhe Këshillin e Sigurimit; ndërkohë, atje do të diskutohet për Kosovën në sesionet e rregullta tremujore. Sa konsideroni se mund të zgjidhet problemi i veriut pa Beogradin, marrë parasysh se këto struktura janë të mbështetura drejtpërdrejt nga qeveria e atjeshme?

BLERIM SHALA
Kjo është një pyetje tepër e rëndësishme. Mendoj që serbët e Kosovës, veçmas në pjesët qendrore dhe lindore të Kosovës, kanë treguar edhe me pjesëmarrjen e tyre, jo më simbolike, në zgjedhjet e nëntorit, se kanë filluar të kuptojnë që ardhmëria e tyre është në shtetin e Kosovës, në institucionet e Kosovës.

Por, çështja e veriut të Kosovës ka të bëjë me struktura, të cilat unë i quaj të paligjshme, jo më paralele – struktura ilegale në Kosovë të një shteti tjetër.

Nëse dëshirojmë që të kemi sukses në veri, si Kosovë dhe si faktori ndërkombëtar në Kosovë, neve gjithsesi, patjetër, na duhet përkrahja e fuqishme e Brukselit, e Bashkimit Evropian. Beogradi e ka agjendën e vet, siç e dini dhe ju, të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ekzistojnë pra mekanizmat e ushtrimit të presionit mbi Qeverinë e Serbisë, mbi lidershipin e Serbisë, që të lëshojë pe në Kosovë, që të heqë dorë nga financimi dhe mbajtja e strukturave të veta të paligjshme në Kosovë.

Po qe se do të mbërrihet kjo, jam i bindur që brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore, do ta kemi integrimin e plotë të veriut dhe serbët e Kosovës do të jenë pjesë përbërëse e gjithë strukturës shtetërore, si në nivelin lokal, ashtu dhe në nivelin qendror.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të kundërtën, a shihni rrezik nëse nuk do të ketë sërish veprim atje, që çështja e veriut të diferencohet nga pjesa tjetër ku jetojnë serbët?

BLERIM SHALA
Po mendoj që keni të drejtë në kualifikimin e diferencimit, sepse kjo edhe ashtu ka ndodhur, se serbët e Kosovës kanë marrë pjesë në zgjedhjet në Graçanicë, në Shtërpcë, në komunat e reja, në Kllokot, në komunat e vjetra ekzistuese të Kosovës, ndërsa i kanë bojkotuar zgjedhjet në tri komunat e veriut. Pra, kemi një situatë mjaft të ndryshme në veri të Kosovës me pjesë të tjera të shtetit të Kosovës.

Por, ne nuk kemi zgjidhje tjetër, e as bashkësia ndërkombëtare nuk ka zgjidhje tjetër, pos të adresojë si duhet çështjen e veriut të Kosovës, ta integrojë veriun e Kosovës, t’i integrojë serbët e atjeshëm, të sigurojë për shqiptarët një jetë krejtësisht normale në veri të Kosovës si për të gjithë qytetarët e tjerë, sepse opsionet tjera janë të pamundshme dhe në të vërtetë na kthejnë në situata tepër të rënda jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, është debatuar shumë rreth mundësisë së rikonfigurmit të Qeverisë së Kosovës. Si e shihni ju nga prizmi i opozitës këtë proces aq shumë të përfolur?

BLERIM SHALA
Mendoj se e kemi një situatë mjaft paradoksale. Tema e rikompozimit apo rikonfigurimit të Qeverisë i ka mbushur gati katër muaj. Një qeveri serioze e një shteti serioz nuk e trajton një temë të tillë me muaj të tërë, por e trajton me ditë ose më së shumti me javë, e artikulon pozicionin e vet, siguron përkrahjen e partnerit të vet në qeveri, në këtë rast të LDK-së, dhe e bën veprimin e paralajmëruar që moti, që në nëntor të vitit të kaluar.

Ne kemi situatë, e cila, për bindjen time, instalon pasiguri, jostabilitet në Qeveri të Kosovës. Paramendoni, nëse ju jeni ministër i Qeverisë së Kosovës dhe për çdo ditë lexoni se ndoshta emri juaj po lakohet që do të ndërrohet apo nuk do të ndërrohet dhe ju nuk keni stabilitet në veprimin e juaj si ministër.

Pra, për bindjen time, rrëfimi për riokompozimin e Qeverisë po prodhon deformim të Qeverisë në këtë periudhë. Rrugëdalja nga gjendja në Kosovë, nga gjendja ekzistuese në Kosovë, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është shumë e qartë.

Neve na duhen zgjedhje të reja parlamentare. Neve na duhen zgjedhjet parlamentare, pos tjerash, për të legjitimuar si duhet lidershipin e Republikës së Kosovës.

Ne fare mirë e dimë se kur është zgjedhur udhëheqësia e Kosovës, e cila ka krijuar Qeverinë e Kosovës. Në çfarë rrethanash? Në nëntor të vitit 2007, me kornizën kushtetuese të Kosovës, jo me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Pra, për hir të legjitimitetit të mirëfilltë të pushtetit, por për hir edhe të shtegdaljes nga kriza e tanishme gjithëpërfshirëse, mund të them politike, ekonomike, sociale, neve na duhen zgjedhjet e reja parlamentare sa më parë që është e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Në analiza të ndryshme është thënë se rezultati i zgjedhjeve lokale, nëse do të merrej për bazë edhe për ato parlamentare, nuk ka sjellë një rikonfigurim, kushtimisht thënë, të të gjithë skenës politike në Kosovë dhe nuk shihet ndonjë formulë tjetër qeverisëse. A pajtoheni ju me këtë përcaktim?

BLERIM SHALA
Jo, mendoj se realisht zgjedhjet lokale të nëntorit kanë sjellë një ndryshim thelbësor sa i përket pozicionit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka dyfishuar votat, kanë sjellë një dëmtim të matshëm për partitë – AKR-në dhe LDD-në, kanë sjellë një rezultat më të mirë sesa që është pritur për LDK-në dhe kanë treguar që PDK-ja është në stagnim apo edhe në prapakthim.

PDK-ja me përqindje ka më pak votues sesa në vitin 2007; fizikisht i ka diku 4,000 vota më tepër se në vitin 2007, megjithëse ka pretenduar të ketë shumë më tepër.

Mendoj se skena politike e Kosovës ka nevojë për profilizim, politika e Kosovës ka nevojë të matet, të peshohet në nivelin qendror në zgjedhje, të shohim se çka mendon votuesi.

Votimi na nevojitet edhe për të parë se cili është qëndrimi i votuesit kosovar ndaj procesit të shtet-ndërtimit. Ky proces është tejet i ndërlikuar gjithkund në botë, aq më shumë në Kosovë, për shkak të rrethanave të njohura.

Është mirë të shohim se a është qytetari i Kosovës i kënaqur me procesin e shtet-ndërtimit. Nëse është i kënaqur, atëherë kjo do të thotë se do të vazhdojë qeverisja e PDK-së. Nëse nuk është i kënaqur qytetari i Kosovës me mënyrën se si po ndërtohet shteti, se si po bëhen institucionet, atëherë ai me siguri do ta ndryshojë drejtimin apo kahen e pushtetit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG