Ndërlidhjet

OJQ-të shqiptare kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Arsimit


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Vendimi i ministrit të Arsimit për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë, vazhdon të shkaktojë reagime në Shkup. OJQ-të shqiptare kërkojnë dorëheqjen e ministrit Nikolla Todorov, ndërsa për vendimin e tij ka polemika edhe mes partive politike. Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë thonë se duhet zbatuar projekti i OSBE-së, me të cilin parashihet që shqiptarët dhe maqedonasit të mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit.



Shoqatat joqeveritare shqiptare kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov, për shkak të, siç thonë, sjelljes së vendimit antiligjor për nxënësit shqiptarë që të mësojnë maqedonisht nga klasa e parë.

Lëvizja Qytetare “Zgjohu”, Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Shoqata "Art Vizion" dhe të tjera, mbështesin fuqimisht Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë, punonjësit e arsimit, si dhe prindërit e nxënësve të shkollave fillore për situatën e krijuar me imponimin e orëve të gjuhës maqedonase.

“Vendimi i ministrit për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë, ka shkaktuar konfuzion të madh. Prandaj, kërkojmë nga ministri i Arsimit të japë dorëheqje të parevokueshme dhe këtë çështje ta menaxhojë Qeveria”.

“Nga ana tjetër, i ftojmë dhe u bëjmë thirrje prindërve, fëmijëve dhe të gjithë të prekurve me këtë problem, që të mos ndërmarrin hapa të paparamenduar, por të veprojnë sipas udhëzimeve të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ”,
deklaron Bekim Hoxha, përfaqësues i Lëvizjes Qytetare “Zgjohu”.

Ndërsa, Ardian Limani nga Lidhja e Historianëve Shqiptarë, shprehet:

“Ministri i Arsimit, me një vendim arbitrar dhe tendencioz, imponoi mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë. Kjo politikë e ka zanafillën te projektet antishqiptare të viteve të 80-ta, kur gjuha shqipe përjashtohej nga sistemi”.

“Tani kur Kushtetuta e garanton përdorimin e gjuhës shqipe dhe e njeh si gjuhë zyrtare në shtet, ministri, me këtë vendim, tenton ta zhvleftësojë atë”
.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta, thotë se shqiptarët nuk janë kundër mësimit të maqedonishtes, pasi atë e mësojnë që nga klasa e katërt, në arsimin e mesëm dhe atë universitar.

Por, vendimi i ministrit, sipas tij, nuk mund të zbatohet pasi është në kundërshtim me Ligjin për arsimin fillor.

Ky vendim, sipas kryetarit të LASH-it, nuk është në përputhje as me strategjinë "Drejt arsimit të integruar", të përgatitur nga OSBE-ja, me vizionin e një shteti të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit.

“Projekti i OSBE-së parashikon aktivitete të përbashkëta për fëmijët shqiptarë dhe maqedonas që të mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit”.

“Duhet të kenë kuize të përbashkëta, si dhe aktivitete tjera dhe askund në atë projekt nuk kërkohet që nxënësit shqiptarë duhet të mësojnë gjuhën maqedonishte prej klasës së parë”.

“Çdo kund ku thuhet se fëmijët e bashkësive etnike duhet të mësojnë gjuhën maqedonishte, thuhet edhe e kundërta, se fëmijët maqedonas duhet të mësojnë gjuhën e bashkësive, pra në ato mese ku jetojnë
”, shpjegon Nuhi Dardhishta.

Vendimi i ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov, ka shkaktuar polemika të shumta edhe mes partive politike.

Derisa vetë ministri dhe partia që ai përfaqëson, VMRO-DPMNE, mbrojnë vendimin me arsyetimin se gjuhë zyrtare është maqedonishtja, andaj edhe detyrimisht duhet të mësohet nga klasa e parë, partitë shqiptare, përfshirë edhe BDI-në që është në Qeveri, kundërshtojnë.

Madje, zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi thotë se Qeveria nuk ka dhënë pëlqim për këtë vendim dhe se për këtë do të kërkojë llogari nga ministri Todorov.
XS
SM
MD
LG