Ndërlidhjet

Qeveria e vlerëson të suksesshëm takimin e KS-së


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi e ka cilësuar si të suksesshëm takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, e në veçanti paraqitjen e shefit të diplomacisë kosovare. Ndërkaq, politikanë dhe analistë politikë në Prishtinë, e cilësojnë si të pamundur idenë e presidentit serb për bisedime shtesë mes Serbisë dhe Kosovës, për të cilën gjë foli gjatë mbledhjes së KS të OKB-së.



Mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që është mbajtur mbrëmë dhe në të cilën është diskutuar për raportin tremujor të zhvillimeve në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar si të suksesshme.

Thaçi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, para kabinetit qeveritar, e ka lavdëruar edhe raportin e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, që e ka prezantuar para përfaqësueseve të shteteve anëtare të OKB-së, për zhvillimet e fundit në vend.

“Mbledhja e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ishte jashtëzakonisht e suksesshme për Republikën e Kosovës”.

“Paraqitja e ministrit të Jashtëm, zotit Hyseni, ishte jashtëzakonisht dinjitoze shumë argumentuese dhe vlerësim i progresit të arritur në Republikën e Kosovës; progres ky i arritur si shtet i pavarur sovran dhe demokratik, vend demokratik dhe shumetnik me fqinjësi të mirë, me stabilitet rajonal dhe perspektivë euro-atlantike”
, ka vlerësuar Thaçi.

Përderisa presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, edhe mbrëmë ka kundërshtuar strategjinë për veriun e Kosovës, e hartuar nga ICO-ja dhe Qeveria, e cila, sipas tij, do ta destabilizojë Kosovën, kryeministri Thaçi ka thënë se strategjia do të jetë shumë efikase në sundimin e ligjit.

“Edhe strategjia e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe e autoriteteve dhe mekanizmave ndërkombëtarë, është jashtëzakonisht e përgjegjshme, e matur dhe do të jetë shumë efikase, në veçanti me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe legjitimimin e tri komunave të reja përmes procesit elektoral”.

“Gjithashtu, edhe krijimin e komunës së veriut, përmes një procesi demokratik, në përputhshmëri të plotë me dokumentin e presidentit Ahtisari, por edhe angazhimet tona shtesë për zhvillimin socio-ekonomik edhe në veri të Mitrovicës”
, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar të gjithë ministrat që me përpikëri dhe angazhime shtesë, t’i kryejnë të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me implementimin e strategjisë, në mënyrë që ajo sa më parë të fillojë së zbatuari.

Ndryshe, një prej çështjeve, për të cilën u diskutua në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ishte edhe ajo që presidenti i Serbisë Tadiq ka kërkuar negociata për statusin e Kosovës pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë.

Por, një gjë e tillë nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, është hedhur poshtë.

Po ashtu, edhe politikanë të tjerë në Kosovë nuk shohin ndonjë mundësi për bisedime të reja me Serbinë.

Nënkryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, konsideron se bisedimet me Serbinë për statusin e Kosovës kanë përfunduar.

“Çështja e bisedimeve në mes të Serbisë dhe Kosovës ka përfunduar, sepse është shpallur pavarësia e Kosovës në harmoni me pjesën më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe me vendet, të cilat sot vendosin për relacionet e zhvillimeve botërore”.

“Prandaj, një çështje e tillë nuk mund të hapet dhe është mirë që politika serbe të ndryshojë më në fund, sepse me logjikën e tillë vetëm se acarojnë raportet në mes të Kosovës e Serbisë dhe po ashtu edhe në rajon”
, thotë Isufi.

Isufi, gjithashtu thekson se çdo tentim për rikthimin e bisedimeve për statusin e Kosovës, është një tendencë për destabilizim dhe konflikte të reja.

“Tani mund të bisedohet vetëm për marrëdhënie fqinjësore, se si duhet të krijohen ato, sepse Kosova ka ecur shumë përpara në zhvillimet e veta
”, thekson Isufi.

Edhe analisti për çështje politike, Driton Lajçi, shprehet se nuk ka asnjë mundësi për të pasur bisedime shtesë me Serbinë.

Strategjia politike e Serbisë karshi Kosovës, siç thotë Lajçi, është e gabueshme.

“Këmbëngulësia e presidentit Tadiq për të filluar negociata dhe që e ndërlidh me opinionin e GJND-së, është çështje paragjykuese dhe është kthim i orës historike prapa”.

“Do të thotë që nuk ka asnjë argument bindës që do të mund ta mbështesë, të thirret në të, apo të reflektojë për rifillimin e negociatave”
, vlerëson Lajçi.

Sipas Lajçit, Serbia duhet ta rishqyrtojë pozicionin e saj karshi Kosovës, duke mos kërkuar që të ketë negociata të reja me palën kosovare për statusin Kosovës.

Nga negociatat e zhvilluara në mes të Prishtinës dhe Beogradit, sipas Lajçit, nuk është arritur asnjë sukses.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG