Ndërlidhjet

logo-print

Haiti: Marrin fund operacionet e kërkimit

  • RFE /RL


Zyra e Kombeve të Bashkuara për bashkërendimin e çështjeve humanitare njofton se, “qeveria haitiane e ka deklaruar të mbyllur fazën e operacioneve të kërkim-shpëtimit”.

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, ekipet ndërkombëtare të shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë nga rrënojat 132 persona.

Në mesin e të mbijetuarve ishte një grua 84-vjeçare dhe një djalë 22-vjeçar, të cilët duket se janë të mbijetuarit e fundit që janë nxjerrë nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara në Haiti.

Numri i të vdekurve llogaritet në mbi 100 mijë, kurse 1.5 milionë haitianë kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti 7 ballë i shkallës Rihter.

Në Gjenevë, Margareta Ualstrom, e dërguara speciale e organizatës botërore lidhur me uljen e rrezikut nga katastrofat, tha se bota duhet të ndërtojë një Haiti më të sigurt.

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se në fokus të ndihmës humanitare tani janë të pastrehët. Njoftohet se shumë haitianë po largohen nga zonat e prekura rëndë nga tërmeti i 12 janarit, drejt rajoneve që nuk janë prekur nga tërmeti.

Mbrëmja e së premtes mblodhi së bashku yje të kinemasë dhe muzikës, në një koncert humanitar për Haitin.

Koncerti kishte si qëllim mbledhjen e fondeve për Haitin, në një transmetim maratonë në televizione, internet dhe në telefona celularë në gjithë botën.

Koncerti humanitar u drejtua nga aktori Xhorxh Klluni dhe reperi me origjinë haitiane Viklef Xhin. Në koncert morën pjesë Madona, Cold Play, Sting, e shumë të tjerë.

Në koncertin e titulluar “Shpresë për Haitin”, pjesëmarrës ishin mbi 100 yje të muzikës botërore, e të Hollivudit.
Në mesin e figurave të njohura ishte dhe ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, i cili së fundi ka vizituar Haitin. Klinton foli për të ardhmen e vendit ishullor.

“Ajo çfarë njerëzit duhet të dinë është se këta njerëz kanë mundësinë e tyre më të mirë në jetë për t’i ikur historisë së deritashme dhe të ndërtojnë atë lloj vendi që meritojnë fëmijët e tyre. Mendoj se, nëse veprojmë drejt, kjo do të ndodhë”
, tha Klinton.

Zyrtarët në Nju-Jork deklaruan se deri tani apelit për 575 milionë dollarë fonde për Haitin, shtetet dhe organizatat e ndryshme i janë përgjigjur në një vlerë prej 334 milionë dollarësh.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, deklaroi se “rrallë përballë katastrofave të kësaj natyre bashkësia ndërkombëtare ka vepruar me një solidaritet të tillë, apo kaq shpejt”.

Megjithatë, presidenti i Haitit, Rene Preval, i ka deklaruar gazetës spanjolle “El Pais” se ndihmat humanitare për vendin e tij po vuanin nga një mungesë e përgjithshme bashkërendimi. (I.B)
XS
SM
MD
LG