Ndërlidhjet

KS tërheq vërejtjen për tensionet në veri të Kosovë


Këshilli i Sigurimit
Këshilli i Sigurimit
Nikola Krastev, Nju-Jork

Veriu i Kosovës mbetet një rajon ku tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve janë të mëdha, u tha në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjendja e përgjithshme në Kosovë është stabile, por kemi një paqe të brishtë, tha kreu i UNMIK-ut, Lamberto Zanier.

Shefi i diplomacisë kosovare, Skënderi Hyseni, dhe presidenti serb, Boris Tadiq, përsëritën qëndrimet e vendeve të tyre mbi situatën. Britania theksoi sukseset në Kosovë dhe nevojën për forcimin e shtetit ligjor.

Tensionet ndëretnike në veri të Mitrovicës po shkaktojnë shqetësim, derisa gjendja e përgjithshme e sigurisë në Kosovë “është e qetë, por e brishtë”, theksonte në raportin e radhës për Kosovën, kreu i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun.

Ky shqetësim u ngrit dhe nga kreu i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, gjatë seancës të së premtes në mbrëmje të Këshillit të Sigurimit.

Zanier theksoi se, ndonëse kthimi i të zhvendosurve ka njohur rritje, tensionet ndëretnike, mungesa e perspektivës ekonomike dhe shqetësimet rreth sigurisë i kanë mbajtur larg kthimit një numër të konsiderueshëm të zhvendosurish.

“Është e qartë se UNMIK-u duhet të vazhdojë të ndjekë procesin e rindërtimit dhe të monitorojë nga afër situatën, për të siguruar se të gjitha komunitetet i respektojnë marrëveshjet ekzistuese, në mënyrë që të ruhet stabiliteti dhe që komunikimi efikas të mbahet gjatë gjithë kohës”
, theksoi Zanieri.

Raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë problematike edhe gati dy vjet pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova, u theksua gjatë debatit në KS.

Presidenti serb, Boris Tadiq, në vazhdimësi ka përsëritur se vendi i tij “nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, as direkt, e as indirekt”.
Tadiq ishte i pranishëm dhe në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit dhe u tha vendeve anëtare se procesi i pajtimit nuk do të jetë i lehtë.

Ai shtoi se barrierat psikologjike janë të mëdha dhe është e nevojshme të vendoset besimi. Për këtë hapi i parë premtues, sipas Tadiqit, do të ishte riangazhimi për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore përmes dialogut.

“Ne besojmë se dialogu është rruga më efikase për të arritur në një zgjidhje të qëndrueshme, një zgjidhje e pranuar nga të gjitha palët, jo zgjidhje që në mënyrë të papërgjegjshme do të sakrifikojë përparësitë gjeostrategjike të të gjithëve për një palë të vetme”.

“Serbia synon zgjidhjen e të gjitha dallimeve politike përmes negociatave. Ne jemi thellësisht të vendosur ta kthejmë 2010-ën në vitin e zgjidhjeve paqësore
”, tha presidenti serb, Boris Tadiq, në Këshillin e Sigurimit.

Kosova në takim u përfaqësua nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Hyseni falënderoi 65 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që kanë njohur shtetin e Kosovës dhe hodhi poshtë ofertën e Tadiqit për rifillim të bisedimeve mbi statusin.

“Ne hedhim poshtë çdo thirrje për rifillim të bisedimeve mbi statusin. Për më tepër, ne vlerësojmë se thirrjet për bisedime të reja mbi statusin e Kosovës vijnë nga njerëz që, ose nuk janë në dijeni të situatës dhe përpjekjeve të mëdha që u bënë për të arritur konsensusin, ose më keq akoma, nga ata që në mënyrë aktive përpiqen të krijojnë çrregullime në rajon”
, tha shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni.

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në OKB, Mark Grant, theksoi se pavarësisht sfidave, është shënuar përparim i madh në Kosovë, përfshirë dhe uljen e dhunës kundër pakicave.

Për të konsoliduar sukseset Kosova, tha Grant, duhet të punojë për përmirësimin e standardeve të qeverisjes dhe shtetit ligjor.

“Sfidat serioze në fushën e të drejtave të njeriut dhe të një sistemi të pavarur gjyqësor, që janë ngritur, si në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian duhet të adresohen”.

“Perspektiva evropiane e Kosovës, ashtu si dhe ajo e fqinjëve të saj, ofrojnë nxitje për reforma të mëtejshme
”, tha përfaqësuesi britanik, Mark Grant.

Kreu i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të gjejnë rrugë për të lënë mënjanë vlerësimet rreth statusit për të mirën e bashkëpunimit rajonal. (I.B.)
XS
SM
MD
LG