Ndërlidhjet

WSJ: "Ngrohja globale, alarm i rremë?"


"Wall Street Journal"

Nëntorin e kaluar kreu i Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për ndryshimet klimatike, Raxhendra Paçauri, kritikoi ashpër dhe hidhur ministrin e mjedisit të Indisë.

Ky i fundit kishte vënë në pikëpyetje idenë se ngrohja globale po shkrinte me shpejtësi akujt e Himalajeve.

“Ne kemi një ide shumtë të qartë të asaj që po ndodh”, tha Paçauri për të përditshmen britanike “Guardian”.

“Nuk e di pse ministri e mbështet këtë studim të paqëndrueshëm. Është një deklaratë tejet arrogante”.


Por, kur vjen puna te studimet e paqëndrueshme, vështirë se ka ndonjë që e meriton një emër të tillë më shumë se raporti i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet klimatike.

Raporti i tyre i vitit 2007, këmbëngulte se akujt e Himalajeve, që ushqejnë lumenjtë, të cilët janë burim jete për një pjesë të madhe të Azisë jugore, sipas të gjitha gjasave do të zhduken në vitin 2035.

“Hollimi i akujve të Himalajeve i atribuohet më së shumti ngrohjes globale, që është shkaktuar nga rritja e sasisë së gazrave të lëshuar në atmosferë
”, shkruhet në raportin e vitit 2007.

Tashmë është bërë e qartë se ky element, që fitoi shumë publicitet atë kohë, është marrë nga një raport i vitit 2005, i organizatës World Wildlife, i cili bazohej në një koment të vitit 1999 nga eksperti indian i akujve Sied Hasnain.

Tani zoti Hasnain thotë se është cituar gabimisht. Për më tepër Paneli i Kombeve të Bashkuara në vitin 2006 ishte informuar nga Gorg Kaser, një ndër ekspertët më të njohur në botë për akullnajat, se pretendimi që akujt e Himalajeve do të shkrinin në vitin 2035 ishte i pabazë.

“Ky numër nuk është një gabim i vogël, por është shumë larg së vërtetës”
, i tha agjencisë franceze të lajmeve Kaser.

Ai shtoi se, “është aq e gabuar, sa nuk ia vlen as të diskutohet”.

Paneli i Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike gjatë kësaj jave nisi të pranojë se pretendimi nuk kishte bazë të shëndoshë, madje zoti Paçauri tha se i kalonte pak konceptet mbi baza shkencore.

Gabimi është vetëm një element që nxjerr në pah falsitetin e alarmit mbi ngrohjen globale.

Në raportin e panelit të OKB-së për klimën ka shumë pasaktësi. Në të thuhet se viti 1998 ishte viti më i nxehtë në Shtetet e Bashkuara, çfarë nuk është e saktë, 1934 është viti që mban rekord.

Po aty thuhet se niveli i deteve do të rritet në shkallë të tillë që shpejt do ta mbulojë Floridën. Sipas llogaritjeve më të besueshme, mendohet që rritja reale do të jetë vetëm 19 inç deri në vitin 2100.

Po kështu thuhet se arinjtë polarë janë të rrezikuar nga ngrohja globale. Popullsia e arinjve polarë është e stabile, në mos ka njohur rritje. Me pasaktësi të tilla mund të vazhdohet gjatë.

Për informacion, akujt e Himalajeve po njohin një lloj tërheqje, po kjo tendencë është vënë re që nga mesi i shekullit të XIX-të, kohë kur nisën matjet.

Arsyet për një dukuri të tillë janë komplekse dhe nuk janë kuptuar mirë. Jemi të kënaqur kur shkencëtarë të përgjegjshëm e pranojnë të vërtetën.

Nëse ata do të mund ta ndihmonin Panelin Ndërqeveritar të OKB-së për ndryshimet klimatike, që t’i kishin faktet e sakta, atëherë raporti i tyre mund të kishte më shumë vlerë. (I.B)
XS
SM
MD
LG